OPINION

Të mësojmë përmes kompetencave apo përmes rezultateve të të nxënit sipas kompetencave?!

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala kompetencë ka këtë kuptim: “Njohuri të thella e të sakta në një specialitet; aftësi e lartë: flet me kompetencë”. Dhe rrjedhimisht nisur nga ky përkufizim, nxënësi nuk mund të mësojë me kompetenca por me rezultate të të nxënit...

Të mësojmë përmes kompetencave apo përmes rezultateve të të nxënit sipas kompetencave?!


Duket si anomali gramatikore por në fakt, është një tregues i  turbulencës që mbizotëron te ata që hartojnë politikat arsimore te sistemit parauniversitar, apo ata që hartojnë programet kurrikulare (dyshoj për këtë pasi shikoj vetëm përshtatje). Mjafton të dëgjosh një intervistë çfarëdo të një personi që merret me arsimin parauniversitar.  

Nëse u bije rasti, patjetër do dëgjoni ose lexoni frazën pompoze: “Të mësuarit me kompetenca synon...” 

Vetëm kjo frazë do mjaftonte për të mos e ndjekur më intervistën. 

Sipas fjalorit të gjuhës shqipe, fjala kompetencë ka këtë kuptim: “Njohuri të thella e të sakta në një specialitet; aftësi e lartë: flet me kompetencë”. Dhe rrjedhimisht nisur nga ky përkufizim, nxënësi nuk mund të mësojë me kompetenca por me rezultate të të nxënit, sepse edhe mësimi me në qendër  objektivat synon përmirësimin e kompetencave dhe s’ka se si të jetë ndryshe. 


Pra, se çfarë mund të mësojë një nxënës kur zotëron njohuri të thella e të sakta në një specialitet (lëndë), e dinë vetëm këta që i kanë dalë për zot kësaj pune, sepse nëse nxënësi e zotëron këtë gjë nuk ka nevojë të vijë në shkollë. Dikush mund të thotë se kur ne themi, të “mësojmë me kompetenca”, abstragojmë për lehtësi komunikimi. Mund të jetë kështu, por kjo nuk është e saktë, sepse të mësosh me kompetenca nuk është ekuivalentja e të mësuarit me objektiva, por shumë më tepër se kaq. 


Një nxënës synon që në një lëndë të arrijë njohuri të thella e të sakta, për të rritur performancën e kompetencave.  Pra, nuk mëson përmes kompetencave, por synon përvetësimin dhe rritjen performative të kompetencave. Janë këto kompetenca që synojnë të përmirësohen përmes “rezultateve të të nxënit", që janë një shumatore e veprimtarisë së nxënësit, duke filluar që nga prezenca në shkollë, sjellja, komunikimi, objektivat, parashikimi dhe deri te shkalla më e epërme e Taksonomisë së Blumit. Vlera e këtij saktësimi, ka rëndësi, sepse shmang një formë abuzive të të shprehurit, që prodhon një retorikë boshe që nuk i shërben askujt, përkundrazi  ngatërron edhe më tepër lëmshin e një sistemi që po thuret keq!


Nga mësuesi E.N


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,814 Lexime
3 vjet më parë