“Të lutëm më ndihmo, dua vetëm që fëmija im të jetë me shokët e tjerë në klasë, pa u veçuar”
E etiketuar si “nëna e fëmijës ndryshe” prej 6 vitesh ajo po lufton që t’i japë fëmijës së saj një të drejtë fare bazike, të shkojë në një shkollë të përgjithshme me fëmijët e tjerë edhe pse ai nuk shikon...
Këtë fjali e lexova në mesazhin tim para pak kohësh e dërguar nga një prind i cili dëshpërimin e tij e kishte lidhur ngushtë me çdo shkronjë të asaj kërkese. Faktikisht më shumë sesa lexova tekstin dëgjova zërin e asaj gruaje në gramat e fundit të shpresës. E etiketuar si “nëna e fëmijës ndryshe” prej 6 vitesh ajo po lufton që t’i japë fëmijës së saj një të drejtë fare bazike, të shkojë në një shkollë të përgjithshme me fëmijët e tjerë edhe pse ai nuk shikon.
Studime mbi arsimin, në lidhje me problematikat dhe sfidat, janë bërë vazhdimisht në vendin tonë, por të pakta janë rezultatet sidomos për fëmijët me nevoja të veçanta. Mes një mori ndryshimesh me qëllim përmirësimin e kushteve të mësimdhënies dhe cilësisë së teksteve, hendeku mbetet i thellë për nxënësit që kanë nevojë për një mbështetje më shumë. Kur themi nxënës, kemi parasysh se së pari ata janë qenie njerëzore, ku të gjithë janë të ndryshëm dhe kanë nevoja specifike, por puna vështirësohet edhe më shumë, kur këta të fundit janë me aftësi të kufizuar fizike, mendore, apo edhe të dyja.
Në çdo vend fëmijët kanë përparësi dhe shihen si epiqendra e të ardhmes që do sjellë zhvillim dhe përmirësim, ku çdo investim i sotëm do të përkthehet në të mira më të mëdha nesërmen. Sigurisht që vendet në zhvillim shfaqin më shumë probleme në lidhje me përkrahjen e grupimeve në nevojë, si nga aspekti ekonomisë së dobët, i zbatueshmërisë së ligjit, e me radhë. Këtë e shohim dhe e përjetojmë edhe në vendin tonë. Duke nisur që nga viti 2011 me atë të ligjit, u vendos termi “Arsimi gjithëpërfshirës” i cili rendiste përfitimet dhe mos përjashtimet e fëmijëve me nevoja të veçanta, por përkundrazi t`i integronte ata së bashku me fëmijët e tjerë. Arsimi gjithëpërfshirës nënkupton nxënës të ndryshëm dhe të veçantë që mësojnë së bashku në të njëjtën klasë. Si pasojë duhet të bëhej shembja e “kullave” që emërtohen si Institute ku fëmijët ende sot kalojnë pjesën më të madhe të fëmijërisë të mbyllur nga bota e jashtme.
“Nëna e fëmijës ndryshe” ka parë aq shumë gishta tregues të drejtuar jashtë dere sa nuk beson më nëse duhet të riprovojë një derë shkolle tjetër apo thjesht t’i dorëzohet “fatit”. Në këtë rast “fati” është mos zbatimi i vetë ligjit i cili fëmijën e izolon në një institucion (ku dhe emrin e ka të frikshëm) në vend që ta integrojë në shkollat e tjera publike.
“Nëna e fëmijës ndryshe” kërkon një sqarim dhe e vetmja përgjigje që merr është se fëmija e saj duhet të rrijë atje në shkollën speciale me fëmijët si ai.
Madje ka pasur dhe shkolla private ku refuzojnë edhe paratë si e si që të mbajnë standardin e shkollës me fëmijë “pa probleme” sepse fundja prindërit e tjerë ankohen e bëjnë letra peticionesh të gjata.
Sot që të lindësh fëmijë duhet të mendohesh shumë herë më shumë që ai të jetë perfekt dhe super inteligjent sepse ndryshe do jesh gjithë jetën “nëna e fëmijës ndryshe”.
Nga Marsida Simo, sociologe
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Hartimi i projektit kurrikular
Buxheti 2025 për arsimin dhe sportin rritet me +18%