Analizë

Eksperti i arsimit, Fiqiri Çifliku: Çfarë duhet të ndryshojmë tek kualifikimi i punonjësve të arsimit parauniversitar në Shqipëri?

Kualifikimi i mësuesve është një proces i rëndësishëm për cilësinë e arsimit. Eksperti Fiqiri Çifliku analizon ndryshimet e nevojshme në sistemin shqiptar, përfshirë vlerësimin e diplomave, trajnimeve dhe eksperiencës. Ai thekson rëndësinë e një vlerësimi të drejtë dhe të standardizuar për mësuesit.

Kualifikimi i mësuesve është proces i vazhdueshëm dhe shumë i rëndësishëm për të siguruar një cilësi të lartë arsimore dhe për të përgatitur nxënësit për sfidat e jetës reale. I njihet mësuesve detyrimi për t’u kualifikuar dhe shtetit për t’i siguruar kushtet dhe ndjekur procedurat e vlerësimit të tyre. Ky proces duhet të jetë në përputhje me strategjitë dhe me nevojat që shpreh sistemi arsimor nisur nga pozicioni që nxënësit tanë kanë në nivel kombëtar, por edhe në nivel ndërkombëtar, pra në krahasim me njëri-tjetrin dhe me moshatarët nëpër botë. Në fakt diferencat janë të ndjeshme si në nivel kombëtar ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Nuk do të ndalem tek shkaqet dhe problematikat që e kanë thelluar këtë diferencë pasi ato kanë qenë pjesë e diskutimeve të herëpashershme dhe kanë ndikuar në ndryshimin e shpeshtë të akteve rregullatore apo të përmbajtjes.E për të vijuar me problematikën e ndryshimeve të shpeshta, përmend edhe procedurat dhe mënyrën e vlerësimit të kualifikimit të mësuesve. Kam lexuar me shumë vëmendje postimet dhe komentet në rrjet për këtë çështje. Ja vlen të ndahen publikisht mendime dhe ide konkrete edhe pse shpesh bien në vesh të shurdhër. Ca më keq kur ekspertët grinden me njëri-tjetrin se kush ka të drejtë. Sot pyetjet më të shpeshta kanë qenë në lidhje me vlerësimin e diplomës së arsimit të lartë.

Mësuesit ankohen pse nuk vlerësohen trajnimet brenda apo jashtë vendit, pse nuk vlerësohen artikujt në revista shkencore me ISBN, pse nuk vlerësohet pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare?

Por vlerësohen certifikatat në gjuhë të huaj apo kreditet të cilat ashtu si diploma janë detyrim ligjor. 


Sa për diplomën dua të sqarojë se të paktën në 30 vite që unë punoj në arsim nuk kanë marrë asnjëherë pikë ndërkohë që ndaj tjetër qasje për vlerësimin e trajnimeve mbi detyrimin ligjor brenda dhe jashtë vendit, për artikujt në revista shkencore, pjesëmarrja në projekte ndërkombëtare, diplomat e tjera të çdo niveli të lidhura me fushën e edukimit, të psiko-pedagogjisë, pedagogjisë së specializuar apo fushës së teknologjisë apo inteligjencës artificiale në edukim. 


Por kujdes, nuk duhet të harrojmë skandalin e verës për pagesa mbi 200 euro, për një pagesë për gjoja botime në revista shkencore pa kaluar fazat e vlerësimit. Nuk duhet të harrojmë blerjen e kreditove pa ndjekur asnjë orë trajnim. Falsifikimi i dëshmive të gjuhëve të huaja në mënyrë masive. Pagesa për të botuar libra që nuk i verifikon askush nëse vlejnë apo janë plagjiaturë dhe nëse kanë lidhje vërtetë me arsimin parauniversitar. 


Për të vlerësuar nëse një mësues është i kualifikuar dhe i përshtatshëm për detyrën që kryen, duhet të shqyrtohet së pari nëse i plotëson kritere ligjore dhe zotëron një diplomë në fushën e arsimit ose në një disiplinë specifike për të cilën mësuesit i njihet e drejta të japë mësim. Për ata që janë diplomuar pas vitit 2011, apo janë diplomuar para vitit 2011 dhe nuk e kanë ushtruar asnjë ditë profesionin e mësuesit kanë detyrimin për licencë për ushtrimin e profesionit të mësuesit. 


Përvoja profesionale pas punësimit është ajo që duhet të marrë peshën më të madhe në procesin e kualifikimit të mësuesit dhe këtu lista është e gjatë dhe duhet të përfshijë një gamë të gjerë elementët për ta vlerësuar mësuesin në disa dimensione. Këtu mund të përfshijmë vlerësimin për:


  • Certifikatat profesionalet të cilat dëshmojnë përfundimin e trajnimeve specializuese për mësimdhënien, siç janë programet e pedagogjisë ose metodologjisë së mësimdhënies. 
  • Certifikatat e trajnimeve (mbi detyrimin ligjor sipas ligjit 69/2012) që tregojnë pjesëmarrjen e mësuesit në trajnime për zhvillimin profesional, si seminare, konferenca, ose kurse të specializuara afatshkurtra. 
  • Kurset e vazhdueshme/Rrjetet profesionale si evidenca të pjesëmarrjes në kurse që ndihmojnë në përmirësimin e aftësive dhe njohurive të mësuesit. 


Në këtë grup është e rëndësishme të përfshihet në vlerësim përkushtimi ndaj zhvillimit profesional dhe këtu veçoj:

  • Angazhimin në aktivitetet shkollore, pjesëmarrjen në aktivitete jashtë klasës, si klubet, projekte speciale, ose iniciativat e tjera të shkollës. 
  • Kontributi në komunitetin arsimor e cila lidhet me pjesëmarrjen në forume arsimore, botime, ose projekte kërkimore. 
  • Dokumente që dëshmojnë përvojën e mësuesit në mësimdhënien e një lënde specifike ose në një nivel të caktuar arsimor, në formën e referencave nga punëdhënësit e mëparshëm. 
  • Raporte periodike që vlerësojnë performancën e mësuesit në klasë dhe ndikimin e tij në nxënësit, si formë e vlerësimit të drejtorit. 
  • Letra rekomandimi që dëshmojnë për cilësitë e mësuesit si profesionist dhe si individ nga kolegët dhe nxënësit. 


Referencat dhe vlerësimet duhet të jenë të lidhura me vlerësimin e aftësive për të komunikuar dhe ndërvepruar me nxënësit, prindërit dhe kolegët, si dhe aftësitë që ka mësuesi për të përshtatur metodat e mësimdhënies me nevojat e nxënësve. 


Ndoshta mosbesimi që kemi tek sistemi i vlerësimeve kombëtare apo olimpiadave na ka shtyrë të lëmë pas dore rezultatet e testeve dhe provimeve të standardizuara. Mendoj se janë të nevojshme, të jenë pjesë e vlerësimit të mësuesit ca më shumë se çdo gjë tjetër pasi ato janë instrumentet që matin njohuritë dhe aftësitë e mësuesit në lëndën e tij. 


Tani po kaloj tek një element shumë i rëndësishëm që duhet të ketë peshën e duhur në vlerësimin e performacës që ka një mësues. E kam fjalën për një element që po e emërtoj “Portofoli i Punës së Mësuesit” (PPM). Kujdes, portofoli i punës nuk duhet të jetë vetëm një koleksion dokumentesh, por duhet të kthehet në një pasqyrë e përkushtimit, krijimtarisë dhe zhvillimit të vazhdueshëm profesional të mësuesit. Dokumentet që duhet të përmbajë PPM, të pasqyrojnë përvojën, aftësitë dhe arritjet e tij profesionale. Duke u përdorur nga drejtuesi, koordinatori i cilësisë apo zyra vendore e arsimit parauniversitar, si një mjet për të demonstruar kualifikimet dhe përkushtimin e mësuesit ndaj profesionit të tij mund të përfshijë plane mësimore, projekte të nxënësve, projekte kurrikulare në një lëndë apo projektet ndërlëndore, modele testesh, si dhe shembuj të metodave të mësimdhënies apo orë të hapura. 


Në një shkrim tjetër do të përcjellim disa nga elementet kryesore që mund të përfshihen tek portofoli i punës së një mësuesi, duke shqyrtuar dokumentet dhe kritere, si dhe mund të bëjmë një format të pikëzimit, për vlerësimin e plotë dhe të saktë mbi kualifikimet dhe aftësitë e një mësuesi. 




© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,421 Lexime
4 orë më parë