Ligji

Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve

Mësuesit, nxënësit dhe prindërit kanë të drejta dhe detyra sa i takon procesit të mësimdhënies dhe mësimnxënies. Por cilat janë ato? Shikoni se çfarë përcakton ligji.

Të drejtat dhe detyrat e nxënësit


Nxënësi ka të drejtë:

a) të përzgjedhë një institucion arsimor, publik ose privat;

b) të ndjekë institucionin arsimor publik që është në zonën e përcaktuar nga njësia bazë përkatëse e qeverisjes vendore;

c) t’i sigurohet nga institucioni shërbim arsimor cilësor, sipas interesave, nevojave dhe mundësive të tij, si dhe ndihmë e posaçme për të përballuar vështirësitë e tij të veçanta të të nxënit;

ç) të informohet për të drejtat e detyrimet e tij, rregulloren e institucionit arsimor, për kurrikulën që institucioni i ofron, për format e vlerësimit, për provimet kombëtare, si dhe të vihet në dijeni me shkrim për rezultatet e ndërmjetme dhe përfundimtare të arsimimit të tij;

d) të shprehë pikëpamjet për çështje të arsimimit të tij, të ankohet për qëndrimet ndaj tij dhe të ketë vëmendjen e punonjësve të institucionit arsimor për këto pikëpamje e ankesa;

dh) të zgjidhet në bordin e shkollës pas moshës gjashtëmbëdhjetë vjeç;

e) të transferohet nga një shkollë në një shkollë tjetër të të njëjtit nivel arsimor.


Nxënësi ka detyrë:

a) të respektojë të drejtat e nxënësve të tjerë dhe të punonjësve të institucionit, të njohura me ligj;

b) të mësojë rregullisht;

c) të vijojë rregullisht dhe të marrë pjesë në veprimtari të tjera të institucionit;

ç) të respektojë rregullat e institucionit për mbrojtjen e shëndetit, të sigurisë e të mjedisit dhe të kërkojë respektimin e tyre nga nxënësit e tjerë dhe punonjësit arsimorë;

d) të respektojë rregulloren e institucionit.



Të drejtat dhe detyrat e prindërve


Prindërit janë partneri kryesor i institucionit arsimor në mbarëvajtjen e fëmijës dhe të institucionit.


Prindi ka të drejtë:

a) të informohet nga institucioni arsimor përkatës për legjislacionin arsimor në fuqi, për rregulloren e institucionit dhe për kurrikulën që institucioni i ofron fëmijës së tij;

b) të informohet për kushtet e sigurisë, të shëndetit dhe të mjedisit të institucionit dhe të kërkojë përmbushjen e tyre sipas standardeve të përcaktuara nga legjislacioni shqiptar;

c) të informohet për veprimtarinë e fëmijës së tij në institucion dhe të japë pëlqim për veprimtaritë plotësuese dhe jashtëshkollore që organizon shkolla;

ç) të vihet në dijeni për drejtimet kryesore të veprimtarisë së institucionit dhe arritjet e institucionit në krahasim me institucione të ngjashme.


Prindi ka detyrë:

a) të kujdeset që fëmija i tij të ndjekë rregullisht institucionin arsimor dhe të mësojë rregullisht;

b) të njoftojë për ndryshime të shëndetit dhe të sjelljes së fëmijës së tij;

c) të marrë pjesë në takimet për çështje që kanë të bëjnë me fëmijën e tij;

ç) të kontribuojë në mbarëvajtjen e institucionit.



Të drejtat dhe detyrat e mësuesve  


Mësuesi zhvillon mësimdhënien me synim zotërimin e kompetencave themelore, në bazë të standardeve të të nxënit dhe duke përzgjedhur ndërmjet metodave dhe praktikave bashkëkohore më të mira, vendase e të huaja.


Mësuesi ka të drejtë:

a) të ketë, në përputhje me këtë ligj, liri profesionale në zbatimin dhe zhvillimin e kurrikulës;

b) t’i sigurohen kushtet e mjaftueshme në institucion për mësimdhënie efektive;

c) t’i krijohen mundësi për zhvillim profesional;

ç) të zgjidhet dhe të zgjedhë në bordin e institucionit dhe në komisionin e etikës dhe sjelljes.


Mësuesi ka detyrë:

a) të zbatojë këtë ligj dhe aktet nënligjore, në zbatim të tij;

b) të përkujdeset për mbarëvajtjen e çdo nxënësi të tij;

c) të zbatojë dhe të zhvillojë kurrikulën;

ç) të përditësojë kompetencat profesionale;

d) të zbatojë rregulloren e institucionit;

dh) të japë ndihmesën e tij për mbarëvajtjen e institucionit ku punon.


Profesioni i mësuesit

Mësuesi në institucionin arsimor duhet të ketë fituar diplomën e mëposhtme në fushën e edukimit ose diplomë të njëvlershme me të:

a) Mësuesi i arsimit parashkollor: diplomë universitare të ciklit të parë të studimeve universitare “Bachelor”;

b) Mësuesi i arsimit fillor, mësuesi i arsimit të mesëm të ulët dhe mësuesi i gjimnazit: diplomë e ciklit të dytë të studimeve universitare.

Mësuesi i shkollave të arsimit profesional, që jep lëndë profesionale, ai i arsimit të orientuar dhe mësuesi, që punon me nxënësit me aftësi të kufizuara, duhet të ketë fituar diplomë të ciklit të dytë në fushën e edukimit.

Diplomat e njëvlershme me diplomat e sipërpërmendura përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Mësuesi i arsimit fillor dhe i arsimit të mesëm ka të drejtën e ushtrimit të profesionit të mësuesit pasi të ketë kryer me sukses praktikën profesionale dhe të ketë kaluar në provimin e shtetit, siç parashikohet në ligjin nr. 10 171, datë 22.10.2009 “Për profesionet e rregulluara në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, dhe aktet nënligjore të nxjerra në zbatim të tij.

Institucionet arsimore, që shërbejnë për kryerjen e praktikave mësimore të studentëve të mësuesisë dhe të praktikave profesionale të atyre që janë të diplomuar për mësues, përzgjidhen në bazë të kritereve dhe procedurave të përcaktuara me udhëzim të ministrit.


Zhvillimi i vazhdueshëm profesional

Institucioni arsimor planifikon zhvillimin profesional të mësuesve, sipas nevojave të tyre dhe në përputhje me politikat arsimore qendrore, vendore dhe të institucionit.

Format e zhvillimit profesional janë: zhvillimi i brendshëm profesional, trajnimet, rrjetet profesionale, këshillimet, kurset afatshkurtra dhe ato afatgjata.

Mësuesit dhe drejtorët trajnohen të paktën 3 ditë në vit.

Trajnimet zhvillohen sipas sistemit “kërkesë - ofertë”, në bazë të kërkesave nga institucionet arsimore dhe të ofertave nga agjenci trajnuese që mund të jenë publike ose private. Programet trajnuese akreditohen nga ministria.

Njësitë arsimore vendore organizojnë zhvillimin e vazhdueshëm profesional të mësuesve, në bashkëpunim me agjenci trajnuese, me programe trajnimi të akredituara, të përzgjedhura me konkurrim të hapur, sipas procedurave të parashikuara në udhëzimin e ministrit.

Burimet financiare për trajnimet janë nga kontributi vetjak i punonjësit arsimor, Buxheti i Shtetit, projekte të organizatave jofitimprurëse, të fondacioneve, të institucioneve, vendase ose të huaja, dhe burime të tjera të ligjshme.


Kualifikimi i mësuesve

Kategoritë e kualifikimit të mësuesve janë tri:

a) “Mësues i kualifikuar”;

b) “Mësues specialist”;

c) “Mësues mjeshtër”.


Rritja në kategori e mësuesit bëhet nëpërmjet përvojës, trajnimit dhe pasi të ketë dhënë me sukses provimin përfundimtar të kategorisë përkatëse të kualifikimit. Kriteret dhe procedurat e kualifikimit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.

Çdo kategori kualifikimi shoqërohet me një shtesë në pagë, masa e së cilës përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave.


Çdo institucion arsimor ka bordin e tij të përbërë nga prindër, nxënës, mësues, përfaqësues të qeverisë vendore dhe të komunitetit. Bordi kontribuon për mbarëvajtjen e institucionit arsimor dhe i raporton për veprimtarinë e tij këshillit të prindërve të institucionit.


Detyrat kryesore të bordit janë:

a) miraton planin afatmesëm dhe atë vjetor të institucionit;

b) miraton planin e shpenzimeve të institucionit arsimor për fondet, të cilat sigurohen nga institucioni;

c) miraton kurrikulën e hartuar nga institucioni arsimor;

ç) merr pjesë në procedurat e emërimit e të largimit të drejtorit të institucionit arsimor dhe të mësuesit.

Përbërja e bordit, të drejtat, detyrat e tjera dhe mënyra e zgjedhjes së anëtarëve përcaktohen në udhëzimin e ministrit.


Këshilli i mësuesve

Këshilli i mësuesve të institucionit arsimor, i cili ka në përbërje të gjithë mësuesit dhe kryesohet nga drejtori, është organ kolegjial këshillimor për drejtimin e veprimtarisë së institucionit.

Detyrat dhe funksionet e këshillit të mësuesve përcaktohen me udhëzim të ministrit.


Qeveria e nxënësve

  • Qeveria e nxënësve është organizëm që mbron dhe promovon të drejtat e nxënësve dhe ndihmon në mbarëvajtjen e shkollës. Ajo ngrihet dhe funksionon sipas udhëzimit të ministrit.
  • Kryetari i qeverisë së nxënësve në arsimin e mesëm të lartë zgjidhet nga nxënësit me votë të drejtpërdrejtë dhe të fshehtë.
  • Qeveria e nxënësve përzgjedh mësuesin ndihmës.
  • Në shkollë funksionojnë edhe organizime të tjera të nxënësve, të ngritura për interesat e tyre shkencore, kulturore dhe sportive.


©Portali ShkollorTë gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

107,414 Lexime
1 vit më parë