Kualifikimi i mësuesve sipas udhëzimit të ri
Është botuar në fletoren zyrtare udhëzimi “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të punonjësve arsimorë” si dhe udhëzimi “Për organizimin dhe funksionimin e sistemit të zhvillimit të vazhdueshëm profesional të punonjësve arsimorë”. Më poshtë, përveç tyre gjeni edhe disa interpretime të përmbledhura.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Është botuar në fletoren zyrtare Udhëzimi Nr. 17, datë 22.7.2024, “Për kriteret dhe procedurat e kualifikimit të punonjësve arsimorë”. Punonjësit arsimor, me diplomë në fushën e mësuesisë ose të barasvlershme me to, sipas Ligjit 69/2012, si dhe kandidatët që japin lëndët e muzikës, të arteve pamore, kërcimit dhe edukimi fizik, i nënshtrohen detyrimisht procedurave të kualifikimit, nëse deri më 31 dhjetor të vitit paraardhës, plotësojnë kushtet për vjetërsinë e punës në arsim.
a) Për të përfituar kategorinë e kualifikimit “Mësues i kualifikuar”, duhen 3 vjet punë si mësues, 30 kredite zhvillim profesional për tre vjet.
b) Për të përfituar kategorinë e kualifikimit “Mësues specialist”, duhen 8 vjet punë si mësues, nga të cilat 5 vjet punë pas fitimit të kategorisë “Mësues i kualifikuar”, 50 kredite zhvillim profesional për pesë vjet pas fitimit të kategorisë “Mësues i kualifikuar.
c) Për të përfituar kategorinë e kualifikimit “Mësues mjeshtër”, duhen 15 vjet punë si mësues nga të cilat 7 vjet punë pas fitimit të kategorisë “Mësues specialist”, 70 kredite zhvillim profesional për shtatë vjet pas fitimit të kategorisë “Mësues specialist”.
Sigurisht në këtë proces rol ka edhe drejtori i shkollës i cili bën vlerësimin e performancës që për kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe “Mësues specialist” duhet të jetë “Mirë” ose “Shumë mirë”, ndërkohë për kategorinë “Mësues mjeshtër” duhet të jetë patjetër Shumë mirë.
Në nenin 17, përcaktohet përmbajtja e dosjes së kandidatit të cilat ngarkohen në sistemin elektronik përkatës dhe konfirmohen nga drejtori i institucionit arsimor dhe/ose njësia arsimore vendore, përgjegjëse për arsimin parauniversitar:
a) Diplomë e ciklit të dytë master me 60–120 kredite, diplomat e ciklit të tretë “Master ekzekutiv” ose të barasvlershme me to me 60–120 kredite, doktoratë të fituar në fushën e edukimit, e drejtimit të arsimit dhe/ose që lidhet me profilin përkatës.
b) Certifikatat me kreditet përkatëse të vlefshme.
c) Dëshmi të mbrojtjes së gjuhëve të huaja (nëse ka), të njohura sipas legjislacionit në fuqi.
Në ndryshim nga proceset e deritanishme testimit i nënshtrohen vetëm kandidatët për të përfituar kategorinë “Mësues i kualifikuar” pas 3 vjet punë. Testimi i informatizuar zgjat 60 (gjashtëdhjetë) minuta dhe vlerësimi i kandidatëve kryhet në mënyrë automatike nga sistemi kompjuterik në momentin e përfundimit të testimit. Teza e testimit të informatizuar vlerësohen me 100 pikë që konvertohen maksimalisht në 40 pikë, duke shumëzuar numrin e pikëve që kandidati ka marrë në testimin e informatizuar me 0.4 dhe konsiderohet kalues nëse grumbullon 60 për qind të pikëve total të testit.
Për kandidatët e kategorisë “Mësues i kualifikuar” është 30 pikë të dosjes, 30 pikë të orës së hapur mësimore dhe 40 pikë të testit të informatizuar.
Për kandidatët e kategorisë “Mësues specialist” është 30 pikë të dosjes, 30 pikë të orës së hapur mësimore dhe 40 pikë të projektit kurrikular.
Për kandidatët e kategorisë “Mësues mjeshtër” është 30 pikë të dosjes dhe 70 pikë të projektit kurrikular.
Kandidati nuk e fiton kualifikimin, nëse vlerësimi përfundimtar i tij është “Dobët”, por ka të drejtë të hyj në procesin e sesionit pasardhës.
UDHËZIM Nr. 17, datë 22.7.2024 PËR KRITERET DHE PROCEDURAT E KUALIFIKIMIT TË PUNONJËSVE ARSIMORË
UDHËZIM Nr. 16, datë 22.7.2024 PËR ORGANIZIMIN DHE FUNKSIONIMIN E SISTEMIT TË ZHVILLIMIT TË VAZHDUESHËM PROFESIONAL TË PUNONJËSVE ARSIMORË
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Hartimi i projektit kurrikular
Datat e provimeve të lirimit 2021
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!