"Tani, bota pa telefon është thjesht ‘Eh’", arsyet pse Franko pikturoi këtë imazh
Franko Dine, “artisti i rrugës” është prekur nga kjo problematikë e të rinjve, dhe pranë gjimnazit “Petro Nini”, në harkun kohor të dy ditëve ai realizoi një imazh – Now “EARTH” without “PHONE” is just “EH”.
Përdorimi i internetit në Shqipëri vjen gjithnjë e në rritje, dhe po aq rrezik paraqet për fëmijët e adoleshentët të cilët janë të prirur ta përdorin atë rregullisht. Ata janë të ekspozuar gjithmonë e më shumë nga rreziqet që hasen gjatë lundrimit online. Për sigurinë në internet, Qendra për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve në Shqipëri zhvilloi disa javë më parë, një forum kombëtar për të rritur ndërgjegjësimin e të rinjve, prindërve, mësuesve dhe publikut të gjerë.
Psikologët e sociologët thonë se përdorimi i internetit nuk mund t’i ndalohet fëmijëve e adoleshentëve, sepse është karakteristikë e këtij brezi, energjia dhe potenciali i tyre mund të vihet shumë mirë në shërbim të të ardhmes. Por vëmendja e prindërve duhet të jetë e madhe, në mënyrë që të mos keqpërdoren këto pajisje. Franko Dine, “artisti i rrugës” është prekur nga kjo problematikë e të rinjve, dhe pranë gjimnazit “Petro Nini”, në harkun kohor të dy ditëve ai realizoi një imazh – Now “EARTH” without “PHONE” is just “EH” – që në fokus ka pikërisht varësinë e fëmijëve dhe adoleshentëve ndaj internetit dhe rrjeteve sociale.
Është komentuar shumë siguria në internet sidomos kohët e fundit, e pikërisht ti je frymëzuar nga kjo problematikë për të realizuar një imazh në një nga hapësirat e kryeqytetit.
Çfarë ke dashur të shprehësh me artin tënd?
Interneti dhe teknologjia po kthehet në një problem serioz. Përdorimi i tij me orë të tëra sjell stres, ndërsa vetmia na ka hedhur perden e tymit. Kjo më shqetëson ndaj nuk mund të qëndroja indiferent ndaj kësaj “sëmundje”.
Cili është mesazhi që jep ti përmes kësaj figure dhe kujt i drejtohesh?
I drejtohem njerëzve që të ndjekin ëndrrat e tyre dhe mos të mendojnë që bota është vetëm ai ekrani i vogël.
Frymëzohesh gjithmonë nga problematikat, apo edhe nga gjërat pozitive?
Problematikat janë ato çka mua më prekin e sigurisht që ka edhe gjëra shumë të mira që më ngacmojnë, por duke ardhur dhe nga një shtresë e mesme e shoqërisë dhe duke e kaluar pjesën më të madhe të kohës duke punuar në terren, jam më i ndjeshëm ndaj problematikave.
Problematika e radhës që do të trajtosh, cila është?
Po e ndiej vërtet shumë largimin dhe mënyra se si po ikin nga Shqipëria miqtë e mi më të afërt. Kjo do të jetë tema që do të trajtoj.
(Portali Shkollor)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre
Ese: Mjedisi dhe njeriu