SHKRIM

Stilolapsi përballë

Çdo ditë e më shumë unë ndesh individë që në vend të stilolapsit përdorin celularin apo tabletin. Pa dyshim që po përballemi me një kthesë epokale.

-Në matematikë punon dhe është i kujdesshëm, por shkrimin në gjuhë nuk e ka të mirë. Gërmat nuk ruajnë drejtimin dhe më shumë ngjason me një zhgarravinë.- tha mësuesja në një rast testimi të një nxënësi në ciklin fillor.

-Epo unë kur të rritem do shkruaj vetëm në kompjuter mësuese, -ishte përgjigja e 10 –vjeçarit.  


Me sa duket po vjen koha kur të përshëndetemi një herë e mirë me stilolapsin dhe t`i bashkohemi tastierës “derisa pamundësia të na ndajë”. Në fakt kjo është ajo që po i ndodh shumicës prej nesh. Në ditën time vetëm një herë e përdor stilolapsin për të firmosur një dokument zyrtar. Kaq. Për pjesën tjetër të ditës, shkruaj një letër një kompjuter, dërgoj një tekst me postë elektronike, shkruaj një sms dikujt, mbaj shënimet e punës sime në tablet, gjej disa materiale në internet të cilave u jap copy-paste. Nuk më duhet në asnjë moment të përdor stilolapsin. Dhe çdo ditë e më shumë unë ndesh individë që në vend të stilolapsit përdorin celularin apo tabletin. Ndonëse profesione të caktuara lidhen ngushtësisht me të shkruarin, ndodh që personat në fjalë të mos ta kenë fare stilolapsin në mjetet e tyre të punës. Në mënyrë komode e kanë zëvendësuar atë me tabletin. 


Si për të na e pohuar edhe më shumë këtë fakt, firma BIC e prodhimit të stilolapsave, ka nisur tashmë fushatën “Lufto për shkrimin tënd”. Pas 50-vjetëve në treg, është e para herë që futet në krizë një kompani kaq prestigjioze, duke parandierë fundin e shpejtë të produktit të saj. Nëse lundron në faqen e kësaj kompanije sheh slloganet e saj, të cilët kujtojnë lexuesin për vlerën e shkrimit të dorës, që sipas tyre i indihmon fëmijët të bëhen lexues, rrit besimin dhe krijimtarinë e tyre. Pa dyshim që po përballemi me një kthesë epokale. 


Nëse një fëmije 3 vjeç i japim sot një tabletë, ai me gisht do të lëvizë format trekëndore, drejtkëndore, rrethore do t`i vendosë ato mbi njëra tjetrën duke patur si qëllim të ndërtojë një figurë që të mos rrëzohet. Ishte pikërisht loja që gjenerata ime luajti me copa druri e më vonë plastikë, por mediumi ka ndryshuar. Fëmija lëviz sytë dhe gishtat në ekran. Shpejt. Ne bënim të njëjtën gjë, por me forma fizike dhe ngadalë, përndryshe do të rrëzohej kalaja. 


Për të qartësuar të rinjtë që mund të angazhohen seriozisht kundër këtij shkrimi duke e gjykuar si frikë ndaj teknologjisë mendimin tim, më lejoni të pohoj se unë nuk bëj pjesë te përkrahësit fanatikë të stilolapsit, por ama as te dashnorët e zjarrtë të tastierës. Ajo që mua më ka tërhequr vëmendjen është ai momenti kur mes miqsh kemi fëmijë të vegjël dhe asnjë nuk u jep atyre një laps e një letër për të shkruar a vizatuar, por një tabletë apo smartfon për të luajtur . 


Atëherë i vetmi vend ku stilolapsi mund të shpëtohet mbetet shkolla, por përvojat botërore po tregojë se invazioni teknologjik, po ia rrëmben stilolapsit edhe këtë territor të fundit. 


Manfred Spitzer, autor i Digital Dementia është kundër rrymës "copy-paste": "Të prekësh një fjalë me dorën tënde dhe ta zhvendosësh në një pjesë tjetër të ekranit është gjëja më sipërfaqësore që mund të bësh. Thellësia e përpunimit është minimale. Të mësuarit kërkon një punë mendore autonome: kur për një kohë më të gjatë përpunohet një përmbajtje, dhe mbi të gjitha në një mënyrë më të thelluar, aq më mirë mësohet ajo. Nuk ka prova të mjaftueshme për të deklaruar që teknologjia moderne e informacionit mund të përmirësojë mësimin në shkollë. Media dixhitale e mendon të cekët ”. 


Unë i përkas brezit që ka lindur në vitet `70, që do të thotë brezit kur në shkollë përdorej vetëm stilolapsi. Na u desh ta mësonim tastierën. Të mësonim secilën nga medet digjitale të mundshme, sepse përndryshe do të mbeteshim përgjithmonë në anën tjetër të bregut, analfabetët e epokës së re. Por ama ne jemi mjeshtrat që përdorim shkëlqyer si stilolpasin ashtu dhe tastierën. 


Veçse është e qartë se për një fëmijë që mëson më së pari të lexojë dhe të shkruajë, shkronja "a" e shkruar me dorën e tij do t`i mbetet e ngulitur në mendje. Kur ta shkruajë atë në fletore me dorën e tij, ai do të ndiejë shijen e suksesit. Do të ketë kapërcyer një përballje. 


Shkrimi është thelbësor, por nuk mund të jetë mjeti i vetëm që duhet të ruhet. Në klasë të pestë nxënësi mund të lexojë gazetën, të shkruajë e të shohë një dokumentar duke përdorur tastierën. 


Ndërsa shkruaj tani unë dhe pa dyshim një pjesë e mirë e brezit tim, në emër të dashurisë nostalgjike luftojmë për stilolapsin, por nga ana tjetër  nuk bëjmë dot pa kompjuterin personal, tabelën multimedia, tabletin, duke vendosur në bodrum tabelën e zezë, të vjetër dhe romantike (e cila brezit tim i pëlqen aq shumë!)




(Natasha Shuteriqi Poroçani; Portali Shkollor)

2,283 Lexime
5 vjet më parë