Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Reflektim për prindërit, mësuesit e institucionet: Dhuna dhe mungesa e komunikimit po gjunjëzojnë shkollat. Nxënësit janë qenie njerëzore që kërkojnë vëmendje, besim dhe ndjeshmëri. Le të ndalojmë, të reflektojmë dhe të veprojmë tani, për një edukim që i jep prioritet njeriut, jo vetëm rezultateve.
Shkruar nga Fiqiri Çifliku, ekspert i arsimit
Ngjarja e djeshme që nuk është e vetmja këto kohët e fundit, ku një nxënës humbi jetën për shkak të një sherri banal e ka gjunjëzuar mjedisin shkollor dhe jo vetëm. Nuk dua të bëj moral për askënd por një analizë se çfarë po ndodh duhet ta bëjë gjithsecili prej nesh.
Në procesin edukativ, të vendosësh urat e komunikimi midis nxënësit dhe mësuesit është, “Thembra e Akilit”. Me sa duket “e keqja”, e ka gjetur pikën e dobët dhe aty ka goditur. E ka vendosur në pozitë shumë të vështirë mësuesin dhe shkollën tonë.
Tashmë, në mënyrë kolektive, jemi fokusuar tek planet mësimore, vlerësimin, mbajtjen e klasës, dukjen para të tjerëve, e shumë si këto. Por kemi harruar diçka të rëndësishme, në klasë kemi qenie njerëzore. Krijimi i urave të komunikimit dhe shprehja e të njerëzishmes në këto mjedise, mund të ketë ndikimin më të madh në jetën e një nxënësi. Kjo nuk lidhet gjithmonë me përmbajtjen, por më së shumti me ato që ndodhin jashtë mureve të klasës apo shkollës.
Për të mos u gjendur në mënyrë të përsëritur në kushtet kur regjistrojmë rastet e dhunës, bullizimit, sherreve masive, akteve vandale, deri tek humbjet e jetëve të nxënësve, duhet që të përpiqemi të kalojmë vetëm pak minuta, duke folur me nxënësin për interesat e tij jashtë klasës. Mund të jetë sporti, arti, lojërat ose libri i tyre i preferuar – por kjo është ajo gjë që ndriçon botën e tyre. Nëse do të ulemi e të dëgjojmë pesë minuta, do të mësojmë se çfarë i shtyn ata të kryejnë një veprim të caktuar, çfarë i emocionon apo çfarë ëndërrojnë të bëjnë në të ardhme. Janë këto çastet që nxisin besimin, krijojnë raporte njerëzore dhe i bëjnë nxënësit të ndihen të vlerësuar – jo vetëm si nxënës, por si individë.
Gjëra të vogla si këto, pa asnjë kosto shtesë për secilin nga ne, mund të kenë një ndikim të madh në jetën e fëmijëve. Le të dalim nga kornizat ku na kanë detyruar të futemi pa kuptuar dhe të provojmë veten për t'u lidhur sot me të paktën një nxënës. Është një veprim kaq i thjeshtë, por mund të sigurojë një lidhje të qëndrueshme, pa pengesa dhe që mund të transformojë mënyrën e edukimit.
***
Ne shqiptarët jemi padyshim kombi më i vjetër në këto troje, por historia e shkollës sonë është mjaft e vuajtur për shumë arsye, politike, shoqërore, ekonomike apo tjetër. Të mendosh që shkolla e parë zyrtare kombëtare shqipe, është themeluar në Korçë, më 7 mars 1887, e ideuar dhe ndihmuar nga Naim Frashëri dhe rilindës të tjerë. Sa shumë kanë luftuar të parët për ta pasur mundësinë të studionin. Por të mos shkojmë larg e të mendojmë se prindërit tanë lodheshin, sfiliteshin e u binte bretku në punë për të bërë të mundur që ne të mos na mungonte gjë. Përpiqeshin me çdo mënyrë që të ndiqnim shkollën, të studionim.
Për fat të keq, duket se nuk jemi më në atë situatë. Vërtetë sot shpenzimet e familjeve për arsimin, janë marramendëse, e duket sikur po përpiqemi më shumë, por kemi ndryshuar drejtim. Pa e kuptuar fare era na ka shtyrë në një vorbull që rrezikon të na përfshijë të gjithëve. Sot u kërkojmë fëmijëve tanë të punojnë, apo të studiojnë diçka që përfundimin e ka; “një punë, një pozicion, një ofiq përsëri”. Sa duket kemi ndryshuar zinxhirin e rritjes intelektuale, politike, socio –ekonomike, civile të fëmijëve, pra të vendit në tërësi. Qartazi duket se po ecim mbrapsht. Ka ardhur momenti të kujdesemi më shumë për edukimin dhe në pak për atë se çfarë pune do të bëj fëmija kur të rritet, sa lekë do të fitojë, se çfarë pozite politiko-shoqërore apo ekonomike do të ketë.
Diskutohet fort se rrjetet sociale janë faktori kryesor i asaj që po ndodh me brezin e ri. Po a ndjehemi sadopak fajtor ne si prind për këtë? Sigurisht, ta pranosh fajin është diçka e fortë, por duhet të qëndrojmë dhe të reflektojmë. Diskutohet se po t’i mbyllim rrjetet sociale do të shpëtojmë nga kjo e keqe, por si i bëhet, nëse prindi i ble fëmijës telefon që do e kishte zili edhe Elon Mask?! Ndaj prindër, qëndroni me fëmijët, bisedoni me ta dhe orientojini drejt pastërtisë shoqërore dhe dashurisë për njëri-tjetrin. Le të pyesim veten se për çfarë e kishte fjalën Solomoni kur tha që “çdo gjë ishte kotësi dhe një rropatje pas erës”? Të përpiqemi të rrisim fëmijë modest me një vlerësim realist për aftësitë e për vlerën e tij dhe që nuk e ka mendjen tek mburrjet, jeta e lehtë dhe kotësia.
***
Në fund, por jo nga rëndësia, diçka për politik bërësit dhe menaxherët e sistemit arsimor. Ka kaluar koha e të bërit eksperimente me modele, me programe, me ndërtime e rindërtime. Të kapim kohën që kemi humbur për t’u kthyer në klasë me mësuesin dhe vlerësimin që ai meriton. Me nxënësin vërtetë në qendër, me mbështetjen për të futur sa më shumë mësues brenda klasës. Është shumë e rëndësishme për t’i afruar sa më shumë me nxënësin, e jo për ti larguar duke futur gjithfarë pozicionesh pune që me nxënësin kanë krijuar një lidhje veç formale. E di që dikush do të thotë se këto që po bëhen pikërisht këtë ndikim kanë, por koha ka vërtetuar se edhe kur mësuesi ndizte atë zjarrin në sobën prej llamarine, në mes të klasës ose kur e ndante bukën e mbështjellë me gazetë, më nxënësit e tij, ka pasur rezultate të pakrahasueshme. Të mos bëjmë qokën e radhën, por të ndalojmë, të marrim frymë thellë, të reflektojmë e të bëjmë më të mirën para se të jetë tepër vonë.
Mësues, prindër dhe administratorë të sistemit të mos neglizhojmë asgjë. Po e mbyll me një batutë. “Për një gozhdë, humb patkoin. Për një patkua, humb kalin. E për një kalë humb betejën”
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Ceremonia e ndarjes së “Medaljeve të Arta” për 188 maturantë, Manastirliu: 80% e ekselentëve studiojnë në universitetet shqiptare
Pasurimi i bibliotekave shkollore, Manastirliu: Mbi 20 mijë libra për nxënësit në gjithë vendin
Dita e Diasporës, Manastirliu: Nis nga Janari programi “Mësues për Greqinë”, mbështetje financiare për mësuesit e diasporës