Si do t`i dimë gjërat, pa na i mësuar
Dhe prindër kur t`i takoni mësueset, jo çdo herë flisni me ato në syrin e fëmijëve për gabimet e tyre, flisni ndonjëherë dhe për ato fusha ku shkëlqejnë, kërkojuni llogari, se si duhet që t`i angazhojmë, ku duhet t`i drejtojmë pa u rritur akoma...
Shprehjet e bukura Arti dhe shumë si Arti i kanë të vetat, që në kopsht. Përsërisin në shtëpi çdo fjalë që u thotë mësuesja në klasë, pa harruar dhe fjalët magjike.
Të lutem! Më fal! Faleminderit!, etj si dhe;
- Jam i rregullt në klasë.
- Nuk bëj zhurmë.
- Nuk flas pa leje.
- Nuk i ndërpres të tjerët kur flasin.
- Dëgjoj me vëmendje mësuesen.
- Përqendrohem në mësim.
- Nuk i shaj shokët.
- Nuk i shtyj shokët.
- Luaj me ta.
- I ndihmoj ata.
Disa shokë shajnë në klasë, bëjnë zhurmë, disa të tjerë nuk e dëgjojnë mësuesen, ka dhe nga ata që shtyjnë, kur hyjmë në klasë ose kur dalim nga klasa. E mësuesja u thotë; - jo zhurmë. Ai që bën zhurmë dhe shtyn shokun nuk i zbaton rregullat. Ata ulin kokën, por prapë harrojnë, sa kalojnë pak minuta, disa prej tyre bisedojnë me njëri-tjetrin, kur dalim jashtë prapë shtyjnë. Në mëngjes shtyhen se kush do të rrijë i pari në rresht, pas mësimit po ashtu e njëjta gjë, vrapojnë të jenë të parët derisa disa rrëzohen duke u rreshtuar, e mërzisin dhe e lodhin mësuesen duke i thënë; “ai/ajo ma zuri vendin”, “unë isha i/e pari/a”.
- Po ti, a shtyhesh në rresht a s`e do vendin e parë, a bën zhurmë?
- Pse të shtyhem, që të rrëzohem, unë dhe disa shokë dhe kur dalim në koridor shohim nga dritarja derisa të rreshtohen të tjerët dhe presim fundin, pasi na kanë porositur mamatë, sepse njëri po të shtyjë duke zbritur shkallët të tjerët do të rrezikohen. Ha…ha, - o mami, duhet të jesh i pari në sjellje e në mësime, jo në rresht, si ata të “llastuarit”.
- Në klasë disa rrinë siç i ka edukuar mami, as nuk lëvizin nga vendi, as nuk flasin, kur jemi në mësim. Edhe duart i lidhim sipër bankës.
- Ju lumtë. Asnjëherë mos e bezdisni mësuesen, se jeni shumë në klasë, por as shokët mos i paditni tek mësuesja, se ajo i shikon vetë. Ai fëmijë që padit shokun e shton zhurmën dyfish ose më shumë se fillojnë me radhë duke folur.
- Po mësuese, kështu do të bëjmë, dhe diçka tjetër, - disa herë ju të rriturit na bërtisni, e ngrini zërin, mos bërtitni, por thoni kështu duhet dhe ne nuk do të bëjmë më gabime.
- Bora, fëmijë mos i lani duart aty, se është ujë i ndenjur.
- Kur na e ke thënë mësuese? Kur na e ke mësuar? Po ta dinim nuk do t’i lanim duart aty. Si do t`i dimë gjërat pa na i mësuar. Ja, po shkojmë t’i lajmë duart tani me ujë të pastër dhe nuk do ta përsërisim më.
- Ju lutem, më falni, Bora dhe ju fëmijë të tjerë! Nuk do ta ngrij më zërin dhe çdo ditë do t`ju këshilloj, gjëra të reja do t`ju mësoj, se edhe nga ju, mësuesit mësojnë.
Dhe prindër kur t`i takoni mësueset, jo çdo herë flisni me ato në syrin e fëmijëve për gabimet e tyre, flisni ndonjëherë dhe për ato fusha ku shkëlqejnë, kërkojuni llogari, se si duhet që t`i angazhojmë, ku duhet t`i drejtojmë pa u rritur akoma, se pasi të rriten talenti u humbet dhe rrugën s`e gjejnë. Çdo fëmijë e ka një talent, por duhet të dimë se si ta menaxhojmë, kohën kur dhe ku? Sepse jo në pak raste, ua humbasim dëshirën. Edhe sendet kanë jetë, “- Puna është vetëm të dish t`ua zgjosh shpirtin!”, - thoshte arixhiu te libri “Njëqind Vjet Vetmi” i Babriel Garsia Markes.
Mirë Moza, të premtoj se do të vë në dukje më shumë zgjuarsinë tënde, por dhe nga gabimet mësojmë se duhet që t`i përmirsojmë, po s`i vumë në dukje si do ta dish ti se ku gabon. A ke thënë vetë një ditë me shaka se “s`dua ta plotësoj librin se mësuesja s`ka kohë që të m`i korigjojë ose s`më vjen radha kësaj here, jo për ndonjë gjë, por si do ta di se ku kam gabuar”. E di vetë mësuesja se çfarë bën, ju e keni për detyrë, se prandaj janë fletat e punës dhe ushtrimet që nxënësit të ushtrohen. Shaka, shaka si do justifikohen ndryshe nxënësit, kur përtojnë ta plotësojnë librin dhe ushtrimet.
Sa bukur, tani do t`i bësh detyrat në shkollë, jo vetëm që do të mësosh me rregulla dhe me orar, por do të rrish më shumë me shokët e shoqet, me shoqërinë. Kur të vish në shtëpi, je për qejf, vetëm gara makinash, lojra e filma se kukullat s`i shikon më, pasi Arda i klasës së dytë, një ditë i kishte thënë një mësueseje, e cila e ndihmon pasdite që të bëjë detyrat. “E ç`jeni ju mësueset, të gjitha njëlloj jeni, të njëjtat gjëra na jepni, na mësoni diçka ndryshe, po unë ato i kam parë në kukulla, televizor”. S`kemi më fletore dhe libra mbi tavolinë, nuk e kemi më njërin sy në fletore dhe tjetrin në lajme apo në kukulla. Nuk do të ankohesh më, se po të bëjmë zhurmë.
Ua, sa mirë! - o mami. Tani, do të ha tre hamburger në ditë, dhe do të blej dy-tre kokakola apo pije enrgjike.
Deri tani ju prindërit u ankuat për një hamburger dhe një pije në ditë, tani e tutje fëmijët tuaj do të hanë jo më nga një hamburger, sufllaqe apo patatinë, por nga tre në ditë vetëm në shkollë, pastaj në shtëpi ua marrim me të qeshura dhe ndonjë lek. Pra, do të bëhemi buçko e kaluar buçkove.
E ç`je një ti, sa i vogël dhe sa larg vret. T`u lut që të shkoje në aktivitetin e dytë për fëmijë te qendra, por nuk pranove. Kur pe fotot e kushërirës, i the, “përse nuk më tregove se ishte ndryshe nga hera e parë”? Ajo ta thashë dhe ta sqaroi, se dy herë nuk përsëritet e njëjta gjë, do të mësosh diçka tjetër, të re. Nuk shihet i njëjti film dy herë.
“Jo, po të ma kishe mbushur mendjen se është ndryshe, do të vija se s`bën”. Ju fëmijë përherë do të dini të dilni mirë për vete, sepse jeni të mirë, dhe shumë kërkues, do ta vërtetoni me kalimin e kohës. Bota vetë janë fëmijët, por disa prindër s`kanë as kohë, as kushte për fëmijët e tyre, lëre pastaj, ata që i rrisin me dado, merr kulturë tjetër fëmija, s`ndjen as atë dashurinë prindërore, as aromën, as shijen e “rrëmujës” me lodrat e tyre.
Hajdeni fëmijë se duhet të dalim, po na presin prindërit tek oborri. Të lutem, Moza ndihmoje dhe Manushaqen që të mbledhë librat dhe nisemi. U bëmë vonë!
Jo, mësuese unë jam Manushaqja, kjo është Mimoza.
S`ka gjë ju ngatërrova emrat, po njësoj jeni, si dy pika ujë ngjasoni.
Çfarë thua mësuese, ajo s`krahasohet me mua. Unë jam shumë më e bukur se Mimoza.
Po Manushaqe, shumë e bukur është dhe Lulëkuqja, por kur i merr erë të kap dhimbja e kokës.
(Fëmijët e sotëm të Arsimit Fillor, emrat e fëmijëve të përmendur më lart janë të sajuar.)
(Drita Topjana, mësuese Prill 2019)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre