KUALIFIKIMI 2025

“Arti ndryshon botën” - eksperienca e kualifikimit si “Mësuese Mjeshtër” e Iriana Papamihalit

Përmes projektit "Arti ndryshon botën", Iriana Papamihali ndan eksperiencën e saj të kualifikimit si “Mësuese Mjeshtër”. Nxënësit e klasës 8-B u angazhuan në një orë të hapur ku trajtuan ndikimin e artit në shoqëri, duke kombinuar vlera artistike dhe teknologjinë. Një përvojë e frytshme për të gjithë!

Nga Iriana Papamihali

Artiste, mësimdhënëse, autore teksteve shkollore


Këtë vit kualifikimi për kategorinë e parë, mësues mjeshtër, do të ishte nëpërmjet projektit, orë e hapur. Kjo u implementua për herë të parë dhe isha pak në mëdyshje, pasi kisha siguri më shumë te testi. Gjithsesi aplikova.


Si fillim përcaktova me cilën klasë do e prezantoja dhe për këtë u mora lejen nxënësve, duke i shpjeguar rëndësinë e këtij projekti për karrierën time si mësuese. Nxënësit e mirëpritën idenë dhe u ndjenë të vlerësuar që kisha zgjedhur klasën e tyre. Kështu fitova më shumë siguri për ta vazhduar më tej këtë projekt. 


Realizimi i këtij projekti do të mundësohej nga shfrytëzimi i shumë burimeve, duke përfshirë dhe TIK. Në këtë mënyrë mendova që do t’i ndihmoja nxënësit për orientimin e karrierës, për njohjen e disa profesioneve që kanë lidhje me artin pamor, sepse në ditët tona mund të jesh edhe artist digjital.


Tema e projektit “Arti ndryshon botën”, u përzgjodh nga nxënësit midis tri alternativave që kishim. Arti ka ndryshuar botëkuptime, ka emancipuar shoqëritë duke i dhënë gruas një vend të rëndësishëm dhe ka ecur paralel me ndryshimet shoqërore dhe historike botërore. 

Fokusi im kryesor si mësuese e artit pamor është të kultivoj te gjeneratat e reja vlerat artistike dhe estetike, aq të domosdoshme në formimin e tyre. Duke kristalizuar konceptin e projektit, arrita të jem shumë më e qartë për atë që do të realizoja bashkë me nxënësit. 


Nuk e mohoj që për këtë projekt lexova shumë dhe punova seriozisht për të përcaktuar strukturën dhe prezantimin final. Këtë fenomen e vura re edhe te nxënësit të cilët u përfshinë maksimalisht në këtë projekt, duke punuar fort për realizimin e tij.



Çdo gjë rrodhi natyrshëm dhe pa sforco, nxënësit ishin të lirshëm dhe bënë një prezantim dinjitoz. Në fund bashkë me nxënësit prezantova edhe unë një pikturë timen, e cila paraqiste një vajzë me veshje popullore nga Rajca. Nxënësit gjithashtu shpërndanë edhe mesazhe nga artistë të famshëm për motivim.

Në ato momente kuptova që projekti ishte një mënyrë shumë e mirë për kualifikimin, sepse unë kuptova solidaritetin e nxënësve për të qenë në krah të mësueses të tyre dhe potencialin tonë të përbashkët për të bërë më të mirën në funksion të mësimdhënies. 


Kryesorja në këtë projekt ishte përcjellja e vlerave të vërteta artistike, duke nxjerrë në pah rëndësinë dhe ndikimin e periudhave të ndryshme artistike në shoqërinë njerëzore, duke sjellë një dimension dhe një këndvështrim të ri të perceptimit vizual të botës. 


Falënderoj nga zemra nxënësit e klasës 8-B, për përkushtimin!

Suksese!


© Portali Shkollor Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,297 Lexime
3 ditë më parë