Aktualitet

Shtyhet viti i ri akademik, nga e hëna nis "Java e vaksinimit masiv të studentëve"

Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi ka lajmëruar se java e ardhshme do të jetë "Java e Vaksinimit Masiv të Studentëve". Për këtë shkak edhe viti i ri akademik nuk do të fillojë më 11 tetor siç u tha, por do të shtyhet më datë 18 tetor.

“Viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve”, kështu ka deklaruar këtë mesditë Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi. 


Reagimi i plotë i Ministres Kushi:

Të dashur studentë,

Së pari dua t'ju falënderoj të gjithë ju që i jeni bashkuar procesit të vaksinimit dhe po na ndihmoni që së bashku t'i rikthehemi normalitetit në të gjitha universitetet e vendit. Meqenëse fillimi i vitit të ri akademik po afron dhe ne duam që të gjithë ju, pa përjashtim, të hyni në auditorë pa rrezikuar shëndetin tuaj dhe të stafeve akademike, javën e ardhshme e kemi shpallur si "Java e vaksinimit masiv të studentëve".

Shumë faleminderit edhe një herë Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale që shprehu menjëherë gatishmërinë që në të gjitha fakultetet dhe universitetet e vendit të vendosë në dispozicion ekipet e tyre të vaksinimit, për të mundësuar mbarëvajtjen e këtij procesi.

E që kjo javë të jetë sa më produktive, me kërkesë të Konferencës së Rektorëve, viti i ri akademik do të fillojë zyrtarisht në datën 18 tetor, me qëllim që nga data 11-17 tetor të gjithë së bashku të jemi të fokusuar vetëm në procesin e vaksinimit të studentëve.

Nga universitetet do të kërkoja sa më shumë bashkëpunim dhe koordinim me strukturat e shëndetësisë, për të venë në dispozicion të gjitha hapësirat e nevojshme për studentët dhe personelin e vaksinimit, ndërsa studentëve do t'u lutesha me gjithë zemër e do t'i inkurajoja fort që ta shfrytëzojnë edhe këtë mundësi të re, me qëllim që viti i ri akademik të jetë sa më i mbarë e i suksesshëm. 

Kam shumë besim që ju, të dashur studentë, do të na provoni edhe këtë herë që jeni pjesa më vitale dhe progresiste e shoqërisë sonë. 

Faleminderit dhe shumë suksese të gjithëve!



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

2,083 Lexime
3 vjet më parë