
Fiqiri Çifliku: Ndryshimet e reja në vendimin për transportin e nxënësve dhe punonjësve arsimor
Ndryshimet e reja në vendimin për transportin e nxënësve dhe punonjësve arsimor lehtësojnë qasjen në arsim për ata që udhëtojnë larg vendbanimit. Parashikohet kompensim financiar për nxënësit dhe mësuesit, duke rritur barazinë dhe qëndrueshmërinë në sistemin arsimor.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Vendimi nr. 119, datë 1.3.2023, “Për përdorimin e fondeve publike për transportin e punonjësve arsimorë që punojnë dhe të nxënësve që mësojnë jashtë vendbanimit”, më në fund pësoi disa ndryshime, të cilat synojnë lehtësimin e qasjes në arsim për nxënësit dhe punonjësit që udhëtojnë larg vendbanimit. Këto ndryshime janë një hap i rëndësishëm për një sistem arsimor më të qasshëm dhe më të qëndrueshëm.
Kanë transport të garantuar të gjithë nxënësit e arsimit bazë publik që udhëtojnë mbi 2 km nga vendbanimi i përhershëm në shkollën më të afërt, çka redukton barrën financiare dhe rrit vijueshmërinë në mësim. Me këtë vendim hiqet pengesa që egzistonte për pagesën e transportit të nxënësve sipas vendimit të mëparshëm, i cili përcaktonte se përfitonin vetëm nxënësit që udhëtonin më shumë se 2 km nga një vendbanim në tjetrin. Tashmë nëse mungon transporti qytetas dhe nxënësit e kanë shkollën mbi 2 km larg, do të përfitojnë pagesë transporti, sipas vendimit duke i shtuar edhe një bonus prej 50%, mbi çmimin e përcaktuar.
Ky ndryshim mund të ndihmojë në uljen e hendekut mes nxënësve në zonat urbane dhe rurale, duke siguruar qasje të barabartë në edukim.
Kompensimi për transportin u jep mundësi më të mëdha edhe mësuesve për të punuar në zona të largëta, pa kosto të larta personale. Lehtësimi i kushteve mund të ndikojë pozitivisht në motivimin dhe qëndrueshmërinë e mësuesve në institucione larg vendbanimit të tyre.
Punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike të arsimit parauniveristar, kur punojnë jashtë qendrës urbane, në distancë nga vendbanimi i tyre mbi 50 km, dhe kthehen brenda ditës në vendbanim, përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas pikës 1 të këtij vendimi, si dhe përfitojnë kompensim mujor, sipas shkronjës “a”, të pikës 11, të vendimit nr. 425, datë 26.6.2024:
a) kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, mbi 5 (pesë) kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës dhe kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 2 700 (dy mijë e shtatëqind) lekë në muaj;
Punonjësit arsimorë, të cilët janë punësuar në IAP-të publike, në distancë nga vendbanimi mbi 50 km, të cilët nuk kthehen brenda ditës në vendbanim, që nuk përfitojnë fonde publike për mbulimin e shpenzimeve të transportit, sipas këtij vendimi, përfitojnë kompensim mujor, sipas shkronjës “b”, të pikës 11, të vendimit nr. 425, datë 26.6.2024;
b) kur punojnë brenda rrethit të tyre, jashtë qendrës urbane, mbi 5 (pesë) kilometra larg vendbanimit/qendrës së punës, por nuk kthehen brenda ditës në vendbanimin e tyre, masa e kompensimit është 6 000 (gjashtë mijë) lekë në muaj.
Llogaritja e fondeve bazohet në numrin e ditëve mësimore dhe pagesat kryhen nga ZVAP-të, bazuar në të dhënat e dërguara nga drejtuesit e shkollave, paguajnë çdo muaj shpenzimet e transportit të nxënësve dhe të punonjësve arsimorë, nëpërmjet llogarive bankare, ose nëpërmjet shërbimit postar, vetëm për ato zona ku shërbimi bankar mungon apo është jo lehtësisht i aksesueshëm.
Pagesa nuk pengohet nga procedurat e prokurimit që kryen DRAP, pasi ZVAP vijojnë me pagesat deri në dërgimin e kontratës së nënshkruar nga DRAP-ja me operatorët ekonomikë për realizimin e shërbimit të transportit.
Për bashkitë, me të cilat ministria përgjegjëse për arsimin ka lidhur marrëveshje për kalimin e përgjegjësive në fushën e arsimit parauniversitar, sipas kohëzgjatjes së tyre, transporti për punonjësit arsimorë dhe fëmijët/nxënësit, sipas përcaktimeve të këtij vendimi, sigurohet nga bashkitë ku ndodhen institucionet arsimore parauniversitare, që shkojnë punonjësit arsimorë dhe fëmijët/nxënësit.
Potenciali për përmirësime të mëtejshme do të ketë nevojë për monitorimin e zbatimit të këtij vendimi jo vetëm tek ZVAP por edhe të bashkitë që do jenë përgjegjëse për mbulimin e këtij shërbimi që me gjasa do kalojë tërësisht pranë tyre në vijim. Njësitë e vetëqeverisjes vendore duhet të sigurojnë menaxhimin korrekt të fondeve dhe përfituesve. Vlerësimi periodik i impaktit mund të ndihmojë në rregullime të mëtejshme për të adresuar sfida specifike.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fondi i pyetjeve për provimin e licencës, për të gjitha profilet
QSHA: Regjistrimet për licencën e mësuesisë deri më 7 prill, provimi do të zhvillohet në muajin maj, ja procedurat
Ku e çojnë energjinë 5000 nxënësit e moshës 15-18 vjeç? (“Maratona Rinore”, çfarë më tregoi)