Shkrimtari ecen midis kurtheve, si Ulisi midis sirenave
Dhe më vjen të pyes se a ka patur njerëz-uliksë pa itakë? Gjithsesi më e dhembshur do të ishte Itaka pa Uliks, trualli i shpirtit që nuk pret njeriun e vet. Shkrimtari gjen forcë, sepse ai mbijeton! Dhe i tillë është Visari…
Ndonjëherë veprat më të mëdha shkruhen në kohët më të vështira e fitoret më të lavdishme janë maska e qindra disfatave. Ndodh që për të fituar, të kalosh në udhë e labirinte prej atyre me rrengje nga më të paparashikueshmet, e ndërkaq, për të mbijetuar, duhen provuar gjithë ngjyrat e kameleonit, edhe nëse e di që nuk do të shohësh një velë të bardhë, që kthehet gjithë lavdi.
Gjithmonë njeriu intrigohet nga misticizmi, nga e ndryshmja, nga ato që fshehin thellësitë e syri nuk i kap dot. Në këtë pikë, të gjithë jemi Ulisa; për më tepër, kushdo do të gjente mjeshtërisht një strategji të dublikuar, ku të mbronte aleatët pa tradhti, teksa sfidonte vetveten për të nxjerrë më të mirën.
Besoj se jo vetëm shkrimtari, por edhe muzikanti apo artisti nuk e kanë pasur të lehtë të ecin apo të kapërcejnë midis periudhash të errëta, ku ju është dashur të ishin vetë drita. Duhet të ketë qenë e vështirë të jetosh, e jo më të përballesh apo të gjesh guximin të shprehësh atë që ndien, si për ta nxjerrë nga vetja, si për të provuar paqen e paprekshme e të privuar mizorisht.
Për të mos shkuar më tej, kam pasur fatin të njoh fqinjin e derës ngjitur, shkrimtarin e mirënjohur Visar Zhiti. Nga biblioteka e tij e magjishme, shtëpia e mbushur me piktura dhe studioja e tij, por mbi të gjitha vlerat që rrezaton si çdo njeri fisnik, kam kuptuar se ndonjëherë nuk ka nevojë për fjalë shumë për të treguar se kush je. Një person modest, por me zemër të madhe, të cilin e shihje gjithmonë me një forcë të jashtëzakonshme të mposhtte çdo padrejtësi.
Çuditesha kur dëgjoja se kishte qenë në burg dhe ç’peshë kishte pasur e gjithë kjo në jetën e tij. Një vuajtje e pakapërcyer, që reflektohej aq mjeshtërisht e mimetizuar në çdo fjalë apo shkrim të tij, ndokund nëpër dedikimet e faqeve të para të librit, teksa të ftonte të jetoje një tjetër jetë, një tjetër ideal…
Dhe sikur të mos mjaftonte gjithë periudha e errët, veprat e së cilës aq bukur dhe «fshehtësisht me frikë» arriti t’i ruajë në memorie dhe t’i botojë sot, (mbase shumë më denjësisht të përpunuara), u duk se fati dhe jeta nuk ishin me të. Sirena ngado… Peripeci dhe vuajtje të kota, të mundimshme, ende të pashpërblyera dhe të paçmueshme sado pak…Por, siç shprehet shkrimtari, ndoshta ka kohëra, ku ndodh e kundërta, që Itaka shkon drejt Uliksit të vet.
Epokat ndryshojnë dhe gjithçka transformohet, kurse poezia, pseudomotivi i maskuar pas traumës emblematike, sikurse pohon edhe vetë Zhiti «na kujton që duhet të harrojmë, por bota, në fund të fundit është ajo që kujtojmë».
Mendoj se një tjetër sfidë e shkrimtarit është të provojë vuajtjen e shkruar mbi letër, të ngritur për së gjalli, teksa përpiqet ta gllabërojë. Ajo dhimbje kurthimtare për të u bë akoma më e madhe, teska humbi djalin e tij të vetëm, Atjonin, emri i të cilit shpjegon qartë pse as Vatikani nuk do të mund t’ia rikthente qetësinë.
Vallë, kaq e ashpër të jetë ajo jeta e dytë, rrugëtimi në libra? Kaq e pashpirt qenka fjala për ndjenjën kur buçet së brendshmi «nëse unë të dukem vrastare e kujton se më sfidon, vetë unë, egërsisht do të ngrihem në një formë tjetër»?
E pavarësisht gjithçkaje, pavarësisht të pavullnetshmes e të papriturës jehon fati, ai vazhdon, shkruan, shkruan për të birin, sepse e di që asgjë, asnjë kurth e asnjë padrejtësi nuk do të mund ta shkëpuste lidhjen e tyre shpirtërore.
«Dhe më vjen të pyes se a ka patur njerëz-uliksë pa itakë? Gjithsesi më e dhembshur do të ishte Itaka pa Uliks, trualli i shpirtit që nuk pret njeriun e vet.» Duket sikur në këto fjalë ai ka parandjerë diçka, e ka kapluar paniku pa patur mundësi ta njohë rrezikun. Sërish ka gjetur forcë, pikërisht në ato makthe, nga të cilat do të donte të zgjohej…duket se këto të fundit e kanë bërë të hekurt, por me shpirt të butë, pasi esenca nuk ndryshohet dot.
E vështirë është të frymëzohesh nga dhimbja, sepse fjalët, shuajnë një pjesë të dritës së artistit, që paradoksalisht bukur i skalit në letër. Por të jesh shkrimtar ka sfida, mbase shumë më madhore se sirenat dhe padyshim, në botën reale pak janë ata që ia dalin duke mposhtur rrethanat e rrufeshme. Kjo drita e rrufesë e tejçuar te lexuesi na bind edhe një herë ta themi njëzëri «Shkrimtari gjen forcë, sepse ai mbijeton!» Dhe i tillë është Visari…
(Punoi: Wendi Lera)
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Festat e Nëntorit, format që zgjodhën nxënësit për të treguar dashurinë ndaj atdheut të tyre