Risi

Shkollat Qendër Komunitare, Ministrja Kushi: Projekti do të zbatohet edhe në 200 shkolla të tjera

Këtë vit projekti “Shkollat Qendër Komunitare” do të zbatohet në 200 shkolla të tjera. Fokusi i këtij projekti është rritja dhe forcimi i mëtejshëm i partneritetit “shkollë-familje-komunitet”.

Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi nëpërmjet një videoje informuese në rrjetin social Facebook nënvizon rëndësinë e fuqizimit dhe rritjes së numrit të “Shkollave Qendër Komunitare”.


“200 shkolla i shtohen këtij projekti të rëndësishëm në vitin shkollor 2021-2022. Kjo do të jetë një mundësi e mirë për rritjen e shkëmbimit të përvojave, bashkëpunimit, harmonizimit dhe hapjen e shkollave për komunitetin,”- shprehet ajo.


Në këto shkolla, krahas procesit mësimor, zhvillohen edhe aktivitete të ndryshme sportive, kulturore dhe artistike, duke shërbyer edhe në forcimin e raporteve dhe bashkëpunimit të shkollës me komunitetin, pushtetin vendor dhe organizata e institucione në vend.



Ky projekt mjaft i rëndësishëm i kthen shkollat në vendin ku bashkëpunohet për përmirësimin e arritjeve dhe zhvillimin e potencialit të plotë të çdo nxënësi. Gjithashtu, shkollat qendër komunitare janë një shtysë për nxitjen e vullnetarizmit për të shtuar kontribut në komunitet. Shkolla nuk duhet të jetë një mjedis i veçuar, por në shërbim të të gjithëve.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

4,080 Lexime
3 vjet më parë