Shkollat e kopshtet në Shqipëri, Kosovë dhe Diasporë “vishen” kuqezi për festat e Nëntorit
Si në Shqipëri e Kosovë, ashtu edhe në mbarë shkollat shqiptare nëpër botë, ku fëmijët mësojnë gjuhën shqipe, festat e Nëntorit përcillen me shumë emocion të madh duke organizuar interpretime të ndryshme, aktivitete, projekte etj. Flamuri kuqezi dominoi veshjet dhe zemrat këtë fund Nëntori.
Duket se këto vitet e fundit kremtimi i 28-29 Nëntorit është kthyer në një traditë festimi me ngjyrat tona kombëtare kuqezi në të gjitha kopshtet e shkollat ku edukohen dhe mësojnë fëmijë shqiptarë.
Si në Shqipëri e Kosovë, ashtu edhe në mbarë shkollat shqiptare nëpër botë, ku fëmijët mësojnë gjuhën shqipe, festat e Nëntorit përcillen me shumë emocion të madh duke organizuar interpretime të ndryshme, aktivitete, projekte etj.
Përcjellja e dashurisë për Atdheun dhe e vlerave kombëtare te brezat u bë frymëzimi për çdo drejtues e mësues shkolle shqiptare!
Atmosfera e Festave të Nëntorit jehoi në çdo ambient shkolle e kopshti përmes emocioneve që sjellin aktivitetet me rastin e këtyre festave. Ambientet e shkollave u zbukuruan me ngjyrat e Flamurit Kuqezi.
Lista për të përmendur çdo kopsht e shkollë është shumë e gjatë por mund të themi se projektet e ndryshme dhe vizatimet e arrira, në sajë të talentit dhe përkushtimit të nxënësve e mësuesve shqiptarë, shprehën dashurinë e madhe që ka ky popull për lirinë dhe vendin e tij.
Për Shqipërinë vargjet më të bukura janë shkruar, tingujt më të bukur janë kënduar, sepse ky vend i vogël, mbart një histori të madhe. Shqipëria jonë e dashur feston Ditën e Pavarësisë dhe të Çlirimit. Gëzuar Festat Shqipëria jonë!
28 Nëntori - Dita e Flamurit
28 Nëntori ndryshe njihet edhe si Dita e Pavarësisë. Kjo ditë është një ditë e veçantë për shqiptarët në mbarë botën (jo vetëm në Shqipëri) sepse në këtë datë në dy vite të ndryshme kanë ndodhur dy ngjarje historike në historinë e Shqipërisë. Më 28 nëntor 1443, heroi ynë kombëtar Gjergj Kastriot Skënderbeu çliroi Krujën nga pushtimi osman dhe ngriti flamurin kombëtar mbi kalanë e saj.[3] 469 vite më vonë, më 28 nëntor 1912, i quajtur gjithashtu si Nëntori i dytë, u shpall Pavarësia e Shqipërisë nga Ismail Qemaili i cili ngriti flamurin në Vlorë.
29 Nëntori – Dita e Çlirimit të Shqipërisë
29 Nëntori është dita e Çlirimit të Shqipërisë nga forcat fashiste italiane e gjermane. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Ushtria Nacional Çlirimtare e Shqipërisë zhvilloi kryengritje të armatosur kundër okupimit të Shqipërisë. Prej 7 prillit të vitit 1939 e deri më 29 nëntor të vitit 1944, Shqipëria kishte qenë e pushtuar nga Italia fashiste dhe pas kapitullimit të saj, në vjeshtë të vitit 1943, Shqipëria pushtohet nga forcat gjermane. Në fund të nëntorit 1944, pas Çlirimit të Tiranës, më 17 nëntor dhe pjesës kryesore të Shqipërisë së Veriut, mbetej te çlirohej qyteti i Shkodrës dhe qarku i tij. Shkodra u çlirua më 29 nëntor të vitit 1944, datë kjo e cila shënon ditën e çlirimi të Shqipërisë nga pushtimi gjerman. Shqipëria është vendi i parë në Ballkan që u çliruan me forcat e veta, ndërsa të gjitha shtetet e tjera të Ballkanit u çliruan me ndihmën e Armatës së Kuqe.
N.Allkja Biçaku
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Festojmë 28-29 nëntorin!
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Letër falenderuese mësuesit