Rrënimi i statusit të mësuesit, shkak pse të rinjtë nuk po e zgjedhim më këtë profesion
Si ka ndryshuar statusi i mësuesve nga dje dhe sot? Për këtë çështje sjellim një opinion të shkurtër nga pedagogu Ermal Hasimja.
Habitemi pse degët e mësuesisë nuk po tërheqin më studentë ose tërheqin vetëm studentë të dobët! Rroga e mësuesit nuk është problemi kryesor. Sot një mësues i mirë mund të gjejë punë edhe në shkolla private me rroga të mira dhe madje ta plotësojë rrogën edhe me kurse private.
Problemi kryesor është rrënimi i statusit të mësuesit duke e lënë atë të pambrojtur përballë presioneve të prindërve që kërkojnë mrekullia nga mësuesit dhe shumë pak prej fëmijëve të tyre, përballë presionit për nota fiktive për të mashtruar sistemin dhe garantuar aksesin në universitetet publike në kurriz të nxënësve që mësojnë fort, përballë drejtuesve nganjëherë të paaftë, përballë nxënësve gjithnjë e më të llastuar, dembelë e të paedukuar.
Këtij problemi i shtohet edhe mungesa e edukatës së punës së shumicës së shqiptarëve që duan rrogë, jo punë. Në krahasim me një punë “të rehatshme” në shtet puna e mësuesit është tepër e lodhshme për shumë të rinj pa ambicie.
Nuk ka pse habitemi pastaj pse të rinjtë nuk duan të bëhen “një copë” mësues.
Nga Ermal Hasimja (pedagog, politolog, studiues)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Për t'u edukuar nuk mjafton arsimimi
Prindërimi i suksesshëm, sfida më e madhe e familjes së sotme!
Përkujtimi i gjuhës amtare, vëmendjen ta kthejmë nga përdorimi drejt i gjuhës shqipe