Kënga e Turmës

Rita Petro: Të provokosh një shoqëri vetëm me një fjalë…

Poezia është një imazh i kulluar që na vjen në mendje nëpërmjet emocioneve që marrim dhe këto nuk janë vetëm emocione të çastit. Ato fiksohen ditë pas dite, vit pas viti në kujtesën tonë dhe vjen një çast kur ndodh metamorfoza…

Poetja që tronditi gjithë shoqërinë shqiptare përmes një vëllimi poetik, mbartur vetëm në një fjalë, Rita Petro duket se i jep përgjigje me vëllimin poetik “Kënga e turmës”, të shoqëruar me skica, dhe imazhe erotike por jo më, me këngë të tilla; raporti mes intimes, erosit dhe një personaliteti krijues të poetes me pretendimin utopik për ndryshimin e shoqërisë…

Pse shkruani? Ç’është për ty poezia?

Nuk mund të them atë që do të thonin shumë krijues, që jeta ime pa poezinë nuk do të kishte kuptim. Jeta ime do të kishte kuptim edhe pa shkruar. Ndërsa jeta njerëzore nuk do të kishte kuptim pa artin në përgjithësi dhe pa artin e poezisë në veçanti. Jeta njerëzore do ishte bardhezi pa ngjyrat që i jep arti. Ç’është poezia? Poezia është një imazh i kulluar që na vjen në mendje nëpërmjet emocioneve që marrim dhe këto nuk janë vetëm emocione të çastit. Ato fiksohen ditë pas dite, vit pas viti në kujtesën tonë dhe vjen një çast kur ndodh metamorfoza…imazhet kthehen në fjalë. Kjo është poezia, që në ndryshim nga proza ka një nëntekst shumë më të fuqishëm, se përmblidhet në aq pak fjalë.

Pse shkruaj? Më është dhënë kjo dhunti, të cilën unë nuk e shndërrova në profesion. Nëse ka një art i cili zor të shndërrohet në profesion, mendoj se është poezia. Mund ta kem dhe gabim, por unë kështu e mendoj. Njerëzit kanë një standard shumë skematik në kokë përsa i takon poezisë. Kur të takojnë ose kur janë me ty dhe ndërkohë po perëndon dielli pas shpinës tënde, ata të thonë në mënyrën urdhërore: “Bëj një poezi tani! Po kështu kur shohin që ndodh një padrejtësi, të thonë: Bëj një poezi kundër të keqes! Sigurisht çdo poet, të paktën mbi mesataren, mund të shkruajë për këto dukuri që ndodhin çdo ditë. Po kësaj i thonë të vargëzosh duke kërkuar krahasime dhe epitete. Poezia është metaforë e jetës, është një sintezë imazhesh e ndjesish që arrijnë majat më të larta te poeti, pasi ajo është mbarsur në trurin e tij, siç mbarset gruaja apo toka me farën e re.

Ju niseni në poezitë e tua në një temë të gjerë të identitetit dhe përvojës femërore. Pse drejt kësaj ideje?

Shiko dëgjoj shpesh që poeti i mirë nuk ka gjini, nuk i dallohet gjinia. Nuk jam kundër kësaj pasi një mesazh universal nuk është as femëror dhe as mashkullor. Dhe shumica e poezive të mia janë të tilla. Por unë nuk vuaj as nga kompleksi, që kanë disa poete se mos ngjaj si femër. Unë jam femër dhe truri im do apo nuk do komandon një trup me organe gjenitale femërore. Instinktet e mia më tepër do ngjasojnë me instinktet e një ulkonje apo luaneshe se sa të një ujku apo të një luani. Nga ana tjetër, ka dhe letërsi të ashtu quajtur femërore, kur tematika është e një natyre të kufizuar dhe i drejtohet në një mënyrë komerciale apo të angazhuar vetëm botës femërore. Në këtë rast, kemi të bëjmë me një letërsi brenda kornizave.

Në poezinë time është individi në përgjithësi (dhe indirekt femra, gruaja ) që përballet me dukuritë e jetës gjatë udhëtimit nga lindja në vdekje. Shumica e këtyre ndjesive dhe eksperiencave janë të njëjta si për botën femërore ashtu dhe për atë mashkullore. Ndaj poezia ime nuk ka tematikë femrën, gruan, problemet e saj; femra gruaja janë boshti rreth të cilit sillet kozmosi.

E cilësuar poete e erosit, që me vëllimin poetik “Vrima” thyen tabu, që trondit ‘normat” e një shoqërie përballë seksit.  Të ka emocionuar kjo, a keni qenë e kënaqur nga reagimet apo keni provuar ndjesi të kundërt, çfarë…?

Fillimisht jam gjendur e papërgatitur. Nuk kam qenë asnjëherë në qendër të vëmendjes të aq shumë njerëzve…Vrima u kthye në epidemi, një çudi që nuk zgjati 3 ditë, por më shumë se një javë dhe vazhdon edhe sot. Në atë kohë nuk kishtestatuse në fb pa u përmendur Vrima, nuk kishte bisedë të njerëzve pa u tallur me Vrimën. Dukej sikur shoqëria mezi kish pritur fjalën Vrima për të nxjerrë në një tepsi të përbashkët gjithë ushqimin e keq që kish ngrënë për shumë e shumë vite. Dhe në këtë pikë unë dhe shumë njerëz të tjerë që mendojnë si unë themi, më mirë që ndodhi kështu.

Kjo gjë sot më është kthyer në adrealinë dhe e di shumë mirë që në biografinë e një poeti është një plus shumë i madh kjo ngjarje. Të provokosh një shoqëri të tërë vetëm me një fjalë, nuk është gjë e vogël; të shkruash vargje që tronditin, është gjë e madhe. Dhe për mua, që gjithçka e bëra spontanisht, mendoj se kjo kthehet një ditë në vlerë, sepse sikur poezitë e mia mos kishin vlerë, ato nuk do të ishin tronditëse.

Në fakt unë e kisha ndier një lloj shtangieje te njerëzit e mi që e lexuan për herë të parë “Vrimën”, ende pa u botuar. Kur ua lexoja disa fragmente poeme, e shihja se si mbeteshin dhe reagonin me vonesë. Aty fillova ta kuptoj se kisha shkruar një libër të mirë. Por kurrë nuk e kam parashikuar një vullkan të tillë, mbase instinktivisht po, sepse libri “Vrima” u shkrua pas 15 vjetësh që u botua “Kënga live”  dhe te unë ishin mbledhur si një llavë vullkani ndjesi të pafundme, të cilat kishin nevojë të shpërthenin. Në të gjitha kontekstet Vrima është vullkani, i cili shkatërron dhe njëkohësisht, mbi të riciklohet një jetë e re.

Cili është imazhi më erotik që mund të sillni në mend ose që ju ka kthyer ankthet, dhe misterin në një muzë?

E kam shprehur në poezinë “Dashnori Krisht”; është një imazh fantastik ajo koka e anuar anash, ku në qafë duken shenjat e dhëmbëve të ngulura. “Dhuna” pa kaluar në sadizëm apo mazohizëm është mënyrë e bukur për të arritur kulmin e kënaqësisë trupore dhe atë  trunore, do të shtoja. Ekstaza arrihet kur trupi lihet në një gjendje lirie absolute…Dhe kënaqësia që përftohet prej kësaj është një dhimbje e bukur e thekshme. Ky është akti i vetëflijimit për hir të dashurisë…prandaj gjithnjë e kam parë imazhin e vuajtur të Krishtit të gozhduar me kokën dhe qafën e anuar si një vetëflijim madhështor për hir të dashurisë njerëzore.

Prezantoheni me një tjetër vëllim “Kënga e turmës”, pse e tillë?

E quajta “Këngët e turmës” e shtyrë nga lexuesit. Para epidemisë Vrima unë, si shumë poetë të tjerë, kisha një rreth shumë të vogël lexuesish, si dhe isha e njohur në qarqet letrare. Pas skandalit Vrima mua m’u zgjerua me përdhunë rrethi i lexuesve. Ajo që më bëri përshtypje ishte se pas leximit të librit nuk pati asnjë reagim të ri kundër vargjeve të mia provokuese. Përkundrazi, ata lexues që lexuan vetëm Vrimën filluan të kërkojnë poezitë e mia të mëparshme. E dija se librat e mëparshëm patën jehonë vetëm në qarqet letrare, por jo te lexuesit në masë të gjerë. Kështu që vendosa të botoj poezitë e mia të shkruara ndër vite, si dhe poezi të reja.

Meqë është një botim koleksioni, me imazhe, piktura dhe poezi të mbledhura,cili ka qenë procesi?

Poezitë janë renditur sipas botimeve të mëparshme duke filluar nga “Vargje të përfolura” 1993, “Shija e instinktit” 1998, Këtu poshtë këndohet live”, 2002, cikli “Në mes dy botëve” 2016 dhe gjithashtu janë përfshirë poezi e poema të reja te cikli “Mëkati i shegës”. Dikur unë dhe vizatoja imazhet që më vinin në kokë dhe para se t’i bëja poezi i pikturoja. Pra ato nuk janë thjesht ilustrime të poezive, por qëndrojnë dhe më vete. Mendoj t’i rikthehem përsëri vizatimit dhe pikturës me bojë vaji. Kam shumë imazhe në kokë, të cilat do të më ndihmojnë në aventurën time prej amatoreje. Formati katror i librit është i njëjtë me librin Vrima, pra ndihmon në puthitje. Është bukur kur ti ke dy ose më shumë libra të një shkrimtari dhe ato të puqen bukur në bibliotekë…dhe kur do t’i rikthehesh, i gjen kollaj.

Kur një poezi sipas jush i përket intimes, erosit asaj zone të errët që pak guxojnë të jenë të hapur, ku janë skajet estetikë dhe asaj thjesht si guidë erotike?

Veç një fill e ndan erotiken nga pornografikja, po kështu dhe në art. Nuk ka shumë fjalë për ta shpjeguar këtë. Është diçka që ndihet. Edhe kur bën seks, e kupton nëse partneri ka ndjenja për ty apo thjesht epsh. Edhe kur lexon një libër e kupton, nëse shkrimtari do të të ngacmojë ty seksualisht apo do të zgjerojë kufijtë estetikë të imazheve të tua erotike. Kjo e dyta është e mrekullueshme.

Vargjet: Këndova këngën tënde turmë, / Më shumë se këngën time, / Se gërmova aty thellë ku ti ke frikë të hysh, / nga manipulatorët…sigurisht kjo është një ide e shkëputur nga konteksti, por për ju pse një vendim i tillë, për “Kënga eturmës”, ç’raport krijon me vëllimin “Vrima”, konsideruar në kufinjtë e skandalozes?

Turma në vetvete është shumë e bukur dhe ndjellëse; turma është gojëpisët, e shthurur, mbushur me të marrë dhe të mençur, ndaj është shumë potente. Kur turma manipulohet është e rrezikshme se i kthen gjërat mbrapa duke shkatërruar; kur turmën e drejtojnë liderë të vërtetë, ajo shndërrohet në popull. Askush nga ne nuk është i imunizuar nga të rënit në rrjetën e psikologjisë së turmës. Sa herë e kemi kapur veten në këtë rrjetë. Disa mbesin aty gjithë jetën, disa luftojnë të dalin e të krijojnë individualitetin e tyre. Por turma ka dhe diçka të mrekullueshme. Të eksiton. Sa e bukur bëhet turma kur këndohet kënga e saj e shpirtit. Atëherë trupat bashkohen e ngjiten njëri pas tjetrit….jo për seks, as për lavdi…është dëshira e trupit, Muzika. Kjo është kënga e turmës për të cilën kam kënduar unë, pra për ata dhe për vete…në instinkte jemi pothuaj njëlloj, na ndajnë vetëm kufijtë e formalitetit.

Çfarë është kultura për konceptin tuaj? A mendoni se prej saj varet natyra e poezisë që shkruani?

Sigurisht që varet shumë. Unë do përsëritja thënien e grekëve të vjetër se: U di atë që s’di asgjë. Sa më i ditur të jetë një njeri, aq më shumë dije i dalin si sfidë. Ndaj njeriu për të bërë një jetë të bukur e pa stres, duhet t’i seleksionojë dijet. Dijet nuk janë për t’u mburrur. Ka disa njerëz që vetëm numërojnë emra pa fund dhe vepra apo citime njerëzish të mëdhenj. Për mua, i ditur është ai njeri, që kulturën e vet e vë në shërbim të së përditshmes së tij, në shërbim të profesionit, të komunikimit me të tjerët dhe të ndjesive të tij. Për shembull, ne të gjithë dashurojmë, madje edhe njeriu që s’di shkrim e këndim. Por sa bukur është të dashurosh si një njeri i ditur. Në këtë kuptim, unë nuk kam krijuar mite në kokën time; pëlqej pothuaj gjithë veprat e mëdha shkruar në stile të ndryshme e në kohë të ndryshme dhe ato më kanë formuar mirë besoj.

Poezia juaj është një udhëtim i brendshëm, a mund të na thoni keni ndonjë vend favorit që lexoni apo shkruani? A ndikon kjo?

Sa pyetje e bukur, por që përgjigjja ime është krejtësisht e kundërt me të. Jo unë nuk kam asnjë vend ku shkruaj; asnjë poezi nuk është shkruar fillimisht në letër; të gjitha janë mbaruar në trurin tim. Prandaj mund të shkruaj kudo ku ndodhem, në restorant, në zyrë, në shtrat, gjatë një konference, në një shfaqje, në një bisedë miqsh, duke ngarë makinën, në banjë etj, ej. Psh; shumica e fragmenteve të poemës Vrima janë shkruar duke notuar. Mua më pëlqen shumë maratona e notit “stil i lirë”. Më jep një hapësirë të mrekullueshme mendimi kur ndiej ujin që më futet e gurgullon në çdo vrimë e pore të trupit tim, më pëlqen dhe gurgullima apo zhurma kur krahët dhe këmbët futen e dalin mbi ujë. Dhe kam një shprehje të bukur krejtësisht autentike: “Free stile është njëlloj si në jetë; të dish të mbash ritmin, të kesh nën kontroll frymëmarrjen, t’ia dorëzosh trupin kënaqësisë”. Ky është dhe parimi im kur shkruaj poezi…të kem nën kontroll gjithçka, por dhe t’i dorëzohem frymëzimit poetik.

Një poet ose poete që nuk është i njohur nga shumica e lexuesve që shkruan mbi erosin?

Ana Kove është një shkrimtare dhe përkthyese shumë interesante, do të veçoja librin e saj “Nimfa e pemës së humbur”; është shumë erotike brenda lirizmit te saj.

Kur e keni kuptuar zanafillën tuaj, nxitur si poete e erosit?

Që kur kam lindur…Në këtë shaka ka diçka të vërtetë; jemi qenie erotike, përderisa kemi ardhur nga erosi në këtë botë. Dhe gjithë jetën rregullat sociale na e kufizojnë këtë të drejtë dhe këtë kënaqësi. Kjo është lufta më e madhe e njeriut apo e instinktit me arsyen. Dhe ky është boshti ku thurret gjithë poezia ime, erosi si filozofi jetësore.

Në ç’mënyrë i shërbeni librit tuaj për t’u njohur, përhapur?

Mendoj se tani ka disa mënyra shumë të bukura për të shkuar poezia te lexuesi. Është e habitshme, por më ka ndodhur kur më kanë ftuar të lexoj poezi, në disa lokale nate ku ka muzikë live e kryesisht Rock. Është aq bukur të kombinohet poezia me Rock-un apo baletin. Të gjithë e mbajnë mend “Penetrimin e shpirtrave” me regji të Arian Sukniqit dhe debutimin e balerinëve të mrekullueshëm, skenari i të cilit u ndërtua mbi librin “Vrima”. Salla ishte plot dhe nuk pipëtinte askush kur recitoheshin vargjet. Kam përjetuar një ndjesi të mrekullueshme. Dhe prapë me Sukniqin kemi një ide të çmendur në kokë.

Çfarë është një ditë tipike e të shkruarit për ju?

Profesioni im i të shkruarit nuk është poezia siç e thashë më lart, por të shkruarit e teksteve shkollore të letërsisë. Dhe aty punën e bëj me aq pasion, si dhe kur shkruaj poezi.  Poezia më ushqen përditë me shumë dashuri dhe më ka zgjeruar rrethin e njerëzve që më duan dhe i dua.

Së fundi, a vazhdoni të jeni ende me mendimin se natyra femërore, ju, e keni sfiduar vërtet botën dhe ndryshuar atë? E keni pasur një utopi në këto poezi, që i përkasin ’98-ës.

Disa nga poezitë e mia të librit të parë dhe të dytë i përkasin viteve të diktaturës, pra janë shkruar si një rebelim që kish ngritur krye brenda kufijve të trupit apo të trurit tim. Këtë mund ta vërtetojnë shumë miq të mi të cilëve ua jepja të m’i lexonin në ato kohë. Dhe ata me shaka më thonin që t’i mbaja të fshehura se do kisha probleme. Ndërsa unë i mbaja në sirtar se as më shkonte mendja se do t’i botoja apo se isha e denjë për t’u quajtur poete. Duke qenë poezi kaq të virgjëra ato janë shumë të denja për të analizuar botën femërore para dhe pas viteve ’90. E thashë dhe më lart, jo vetëm si femër, por dhe si individ i kam përjetuar dy periudhat para dhe post diktatoriale. Dhe kam zgjedhur t’i këndoj më tepër autocensurës se sa censurës. Se lufta më e madhe është ajo që bëjmë me veten tonë dhe rrethin e ngushtë të njerëzve që jetojnë me ne. Unë kam një poezi në dukje naive: Unë do ta ndryshoj botën / hipur mbi biçikletën time të kaltër / që ecën me energjinë e muskujve të mi…Gjthkush nga ne kur është i ri ëndërron për princ të kaltër dhe një botë me re të kaltra; është bukur të ëndërrosh ëndrra të kaltra, por më bukur të fillosh të sfidosh në jetë retë e zeza dhe vetëtimat. Bota është aq e madhe sa nuk e ndryshon dot një njeri, këtë fillon të kuptosh kur përballesh me jetën, siç kupton kur fiton në disa sfida, se secili prej nesh mund të ndryshojë botën e vogël rreth e qark tij. Në këto sfida, të qenit femër më ka ndihmuar. Mendoj se meshkujt janë më të dobët se femrat, sepse kanë më shumë komplekse se femrat, komplekse të ushqyera nga gjyshet dhe mamatë e tyre. Dhe një femër e mençur nëse di ta kuptojë këtë nuk ka pse ta quajë veten seks i dobët, përkundrazi mund të bëhet lidere me armët e veta të feminilitetit, të elegancës, dhembshurisë dhe të fortësisë së mbijetesës, pse jo edhe të atyre negative, që siç them unë në një nga poezitë: Do të të sfidoj me pabesinë e seksit femëror! Nëse meshkujt zgjedhin armë të dobëta për të na sfiduar dhe ne s’mund të zgjedhim armë të tjera. Ka rregulla në dyluftime. E gjithë jeta jonë është e bukur se në bazë të saj është lufta mes seksit mashkullor e femëror. E gjithë jeta jonë është e bukur nga dashuria mes SEKSIT mashkullor dhe femëror.

*Ky artikull është në kuadër të projektit “Udha e shkronjave”

(Violeta Murati, Mapo)

2,830 Lexime
7 vjet më parë