Albas nis festimet e 25-vjetorit me ekspozitën "Bëhet libër, bëhet art!"

Zbuloni magjinë e ilustrimit në ekspozitën “Bëhet libër, bëhet art!”, organizuar nga Albas për 25-vjetorin e saj. Një udhëtim vizual me ilustrime origjinale nga librat për fëmijë që kanë frymëzuar breza të tërë. Nga datat 23-25 prill, ora 08:00 -18:00, në COD, Qendrën për Hapje dhe Dialog në Tiranë.

Në 25-vjetorin e themelimit, Shtëpia Botuese Albas ngre siparin e festimeve me një ekspozite të veçantë, që sjell në qendër të vëmendjes ilustrimin si art më vete. Me titullin simbolik “Bëhet libër, bëhet art!”, kjo ekspozitë i fton të gjithë dashamirësit e librit dhe të artit të zbulojnë pasurinë vizuale që ka shoqëruar prej vitesh veprat më të dashura për fëmijë në gjuhën shqipe.


Hapja zyrtare do të zhvillohet të mërkurën, më 23 prill 2025, ora 18:00, në COD, Qendrën për Hapje dhe Dialog, te Kryeministria në Tiranë, në një ditë me simbolikë të veçantë: Ditën Ndërkombëtare të Librit. Ndërkohë ekspozita do të qëndrojë e hapur tri ditë, deri më datë 25 prill, nga ora 08:00 deri më 20:00. 



Ekspozita “Bëhet libër, bëhet art!”- Një udhëtim përmes ilustrimeve, botëve të imagjinatës dhe ndërveprimit


Ekspozita përbën një udhëtim vizual nëpër historinë e librave të botuar nga Albas, përmes ilustrimeve origjinale që kanë ndikuar në formësimin e shijeve estetike dhe imagjinatës së brezave të lexuesve. Nga skicat e para, deri te faqet e botuara, vizitorët do të kenë mundësinë të njihen me procesin krijues të ilustratorëve, atyre artistëve që shpesh mbeten në hije, por që kanë luajtur një rol kyç në përjetimin emocional të lexuesit të vogël.


Në ekspozitë do të paraqiten punime të ilustruesve të njohur shqiptarë, si edhe të emrave të rinj e premtues, të cilët kanë kontribuar me talentin dhe ndjeshmërinë e tyre në krijimin e një identiteti vizual të veçantë për librin shqip.


Por veç këtyre, do të ketë edhe një hapësirë interaktive ku fëmijët dhe të apasionuarit pas ilustrimit do të mund të eksperimentojnë, të vizatojnë, dhe të mësojnë më shumë për teknikat që përdorin ilustratorët. Në këtë mënyrë, Albas ofron jo vetëm një retrospektivë të punës së saj, por edhe një përvojë edukative dhe frymëzuese për të gjitha moshat.


Pra, “Bëhet libër, bëhet art!” nuk është vetëm një ekspozitë, është një festë për fjalën, për figurën dhe për emocionin që lind kur këto dy forca takohen në një faqe libri. Është një homazh për artistët që kanë sjellë në jetë personazhe, skena dhe ndjenja që qëndrojnë gjatë në kujtesën e fëmijërisë.


Në një kohë kur imazhet konsumohen me shpejtësi, Albas na fton të ndalemi e të vështrojmë me kujdes: të kujtojmë se ilustrimi nuk është vetëm zbukurim, por një gjuhë më vete, që flet me ngjyra, forma dhe detaje.



Krahas ekspozitës, në bashkëpunim me Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), Albas po zhvillon edhe konkursin “Andersen”, një nismë që synon të nxisë kreativitetin e fëmijëve përmes ilustrimit të kopertinave të përrallave të shkrimtarit të njohur Hans Christian Andersen.



© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

469 Lexime
2 ditë më parë