"Fausti" Gëte - lexim i komentuar nga Rita Petro (Pjesa I)
Në vazhdim të projektit tonë me video për veprat e përfshira në programin e Maturës Shtetërore, po ju paraqesim “Leximin e komentuar” për veprën “Fausti” të shkrimtarit Johan Volfgang Gëte (me përkthim të Skënder Luarasit). Për këtë vepër janë përgatitur dy video: “Pjesa e parë” dhe “Pjesa e dytë”.
Në vazhdim të projektit tonë me video për veprat e përfshira në programin e Maturës Shtetërore, po ju paraqesim “Leximin e komentuar” për veprën “Fausti” të shkrimtarit Johan Volfgang Gëte (me përkthim të Skënder Luarasit). Për shkak të vështirësisë së veprës dhe për një panoramë të gjerësishme të saj, janë përgatitur dy video: “Pjesa e parë” dhe “Pjesa e dytë”. Më poshtë po japim pikat kryesore, ku ndalemi në “Pjesën e parë”.
PJESA E PARË
KUSHTIM
Që në Kushtimin e tij, Gëtja thotë se do të rishkruajë në dritën aktuale legjendat e rrëfimet mistike, veçori kjo kryesore e epokës së romantizmit.
PARALOJA NË TEATËR
Dialogu zbulon disraportin mes shijeve të larta estetike të autorit dhe atyre vulgare të turmës; mes frymëzimit poetik dhe shpirtit tregtar, për të arritur te një e mesme e artë: “Kush di ta thotë me lezet çdo gjë/nuk i trembet shijes së publikut”.
PROLOG NË QIELL
Zoti e ka zgjedhur Faustin si njeri të vetin e për t’ia kundërvënë djallit, Mefistofelit. Basti mes tyre është vetë dilema e luftës mes POHIMIT dhe MOHIMIT.
NATË
Lindja e dyshimit te Fausti, ku ndodh dhe kthesa e tij. Dyshimi është çelësi i një shpirti ambicioz, i cili nuk e merr të mirëqenë gjithçka që është zbuluar e thënë më parë.
Fausti gjendet i mrekulluar në vegimin e tij, por pa orientim: “Ku të të kap natyrë pa anë e fund?”
Monologu i Faustit ka nuanca të forta dramatike… Papritmas ai do të bjerë në një dëshpërim të thellë, duke u rebeluar ndaj vetvetes, duke ironizuar vetveten, dobësinë e tij para perëndive, kur vetja para tyre i duket krimb. Ka karakteristika të monologut shekspirian.
Ringjallja e Krishtit i shërben Gëtes më tepër si simbol, sesa si predikim fetar.
Poema merr karakteristikat e një tragjedie antike, me futjen në lojë të korit.
PËRPARA PORTËS
Kjo skenë merr karakteristikat e një drame shoqërore. “Këtu është parajsë e popullit” – na transmeton në mënyrë entuziaste Gëtja.
Kemi lindjen e shkëndijës te Fausti për t’iu shërbyer njerëzve.
Vargjet ku kemi meditimin e Faustit, marrin karakter filozofik e metafizik, veçori e romantikëve, që mundoheshin të futeshin në thellësitë dhe në misteret e natyrës.
Këtu del përparësia e kultit të ndjenjës përkundër arsyes, e natyrës përkundër artificialitetit, si veçori të romantizmit.
STUDIOJA E FAUSTIT
Fausti do të ndryshojë duke e përkthyer fjalinë hyrëse të Ungjillit nga: Në fillim qe FJALA, në: Në fillim qe VEPRA! Ky është momenti kur fillon të qartësohet te Fausti kuptimi i jetës.
Është çasti kur djalli do të pësojë disa metamorfoza dhe personazhi do t’i drejtohet magjisë. Kjo pjesë e poemës merr karakteristikat e një drame mister.
Mefistofeli i prezantohet Faustit, duke i bërë me sinqeritet portretin e vetvetes: Jam shpirti që gjithnjë mohon, ku mishërohen apo njëjtësohen Mëkati – Shkatërrimi – E Keqja.
Por, nga ana tjetër, me fjalët e tij Mefistofeli do të përforcojë dhe idenë e Faustit, se:
“Teoria është e thatë – Druri i jetës është i gjelbër”.
QILARI I AUERBAHUT NË LAJPCIG
Poema merr karakterin e një komedie me temë shoqërore. Kemi një përdorim të gjuhës “së rrugës”, plot humor e shpoti, tekste këngësh për perandorin apo për pleshtin, ironi ndaj Papës etj.
Tryeza që nxjerr verë nga vrimat e shpuara është një detaj i marrë nga legjenda për Faustin, ndërsa, kur prej këtyrevrimave dalin flakë, është origjinale e Gëtes.
KUZHINA E SHTRIGËS
Për skenën e kuzhinës së shtrigës, Gëtja frymëzohet nga një pikturë e kohës dhe nga bota e magjisë. Kjo pjesë e poemës që e vendos skenën në mjedisin e legjendës, është e ngjashme me dramën mister.
Pas figuracionit mitologjik e fantastik përrallor ndihet kritika e Gëtes ndaj kuptimit idealist e fetar të jetës. Këtu kemi një kontradiktë të fuqishme: nga njëra anë Fausti tallet me shtrigën që bën magjira e mban në dorë Biblën, nga ana tjetër, prej asaj ai mori balsamin e ringjalljes dhe u rinua.
KOPSHTI
Një situatë e bukur idilike, ku në qendër është Margarita dhe luleshqerra dhe Fausti i dashuruar që mendon veç të rrëmbejë një puthje.
Skenat me Margaritën kanë veçori të dramës sentimentale e romantike.
PYLL E SHPELLË
Me vargje të bardha, si të poemave epike, Fausti i drejtohet në mënyrë madhështore shpirtit sublim, që në thelb është Perëndia… ku kemi përplasjen mes dogmave të krishtera fetare dhe mendimit përparimtar që e ngre fuqinë e njeriut deri te perëndia. Mefistofeli kundërshton, duke ironizuar këtë dëshirë të njeriut, i cili fundin e ka në një hiç.
ODA E GRETËS
Në këtë skenë kemi një këngë të thjeshtë lirike, siç është dhe meditimi i heroinës sonë. Greta e mbyllur në odën e saj dhe që vuan nga dashuria.
KOPSHTI I MARTËS
Fausti dhe Margarita e dashurojnë njëri-tjetrin, por janë shumë të ndryshëm. Fausti filozofon për dashurinë si një forcë metafizike me shumë të panjohura dhe mahnitet nga misteri i saj; ndërsa Greta (Margarita) është vajza model i moralit të kohës, që ëndërron martesën dhe një vatër të ngrohtë familjare.
VEPRIME DRAMATIKE
Me veprime të lidhura shkak/pasojë ndodhin disa tragjedi. Vdes e ëma e Margaritës, pasi ajo i dha asaj tri pika me ilaç gjumi, që të mund të takohej me Faustin. Vdes vëllai i Margaritës në luftim me Faustin dhe me Mefistofelin, për të mbrojtur nderin e së motrës. Më vonë Margarita do të mbytë foshnjën e saj që e ka me Faustin. Në meshë skena është e ngjashme me një dramë fetare, ku kori këndon në latinisht një himn fetar të shek. XIII.
..............................................................
Ky lexim ka për synim t’ju vijë në ndihmë maturantëve për një rishikim të përmbledhur të veprës letrare, i cili merr parasysh renditjen e ngjarjeve, siç është në vepër. Leximi i komentuar nuk është as analizë letrare dhe as koment, të cilat janë të përfshira në botime të tjera. Shpresojmë, që nëpërmjet kësaj mënyre, të nxitim dëshirën e nxënësit për ta lexuar në mënyrë të drejtuar veprën, duke zbuluar tekstin dhe nëntekstin e saj.
Rita Petro është specialiste didakte e lëndës së gjuhës e letërsisë në arsimin parauniverisitar (që prej vitit 1985) dhe bashkautore në 40 tekste shkollore, që përdoren nga nxënësit shqiptarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe në Diasporë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Përzgjedhja e teksteve – katalogu Albas
Natasha Pepivani: Librat që fëmijët mund të lexojnë gjatë pushimeve të verës
Portali Shkollor ALBAS, media e spikatur online dedikuar fushës së arsimit shqiptar