Aktualitet

Rama shpreh vlerësime për mësuesit: Jam adhuruesi juaj, keni shumë durim, Zoti dhe prindërit iu bekofshin kur hyni në klasa

Teksa foli sot për sigurinë e fëmijëve në shkolla, kryeministri Edi Rama ndau dhe ndjesitë e tij si prind i një 10-vjeçari. Nisur nga përkushtimi e vëmendja e madhe që një fëmijë kërkon, ai tha se e çmon shumë punën e mësuesve dhe se roli dhe autoriteti i tyre ka një rëndësi më të madhe se dje.

Kryeministri Edi Rama shkëmbeu batuta me mësuesit në përfundim të fjalës së tij lidhur me sigurinë në shkolla. Ai iu referua eksperiencës me djalin e tij 10 vjeç për të kuptuar punën e palodhur të mësuesve, për të cilët tha se kanë durim e duhur për të bërë këtë punë, që jo çdokush mund ta bëjë.


“Si një baba që kam edhe mundësinë t’i gëzohem faktit që kemi një djalë 10 vjeç, duke pasur parasysh se çfarë përqendrimi, beteje, durimi duhet sot me një… Unë ju them të gjithë ju që hyni në klasa, Zoti qoftë me ju! Zoti dhe prindërit ju bekofshin çdo mëngjes kur nisin fëmijët në shkollë dhe çdo pasdite kur i marrin. Ne marrim pasdite në shtëpi një, po ka të tjerë që marrin dy. Po flas për atë një që marrim pasdite, të kuptojmë se çfarë ndodh nga mëngjesi deri pasdite. Se kur keni këta zogjtë që cicërojnë më fort se kurrë dhe janë aty për t’ju dhënë mend e jo për t’ju marrë mend… Patjetër me këtë vetëdije unë personalisht jam i gjithi adhurues e mbështetës i çdo mësuesi/mësueseje në këtë Republikë, se jeni të vetmit figura që i shoh me zili në sensin, që në rast se shpesh them e bëj unë këtë s’ka problem, jeni të vetmit figura që ju shoh nga poshtë lart. Duke pranuar që në raport me ju dhe punën tuaj, jam komplet thjesht e vetëm një adhurues që nuk guxon të thotë këtë punën tuaj mund ta bëj dhe unë. Nuk e bëj dot!”, tha Rama në aktivitetin që u zhvillua te shkolla “Kosova” në Tiranë.



Roli i mësuesit sot është shumë më shumë nga çka qenë tha gjithashtu kryeministri Rama, ndërsa theksoi se qeveria nuk do të ndalet me rritjen e pagave për mësuesit.


“Do ketë rritje të vazhdueshme të rritjes së pagës së mësuesve. Sot kemi arritur që paga e tyre të jetë 950 euro. Synimi jonë është që Shqipëria 2030 të jetë kampione në të gjitha aspektet dhe të kemi në vendin tonë njerëz të motivuar. Janë tre figura kryesore që mbahet shteti: mësuesi, mjeku dhe polici”, tha Rama.



Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

849 Lexime
2 muaj më parë