Edukimi fetar

Rama: Feja të futet në shkolla, s'cënon laicitetin

“Ky projekt konsiston jo në cënimin e laicitetit, por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm”

Për kryeministrin Rama, ka ardhur koha që shkollat publike të hapin dyert për njohjen e besimeve fetare. Në aktivitetin e organizuar nga Komuniteti Mysliman për ditëlindjen e profetit Muhamet, Rama u shpreh se projekti i qeverisë nuk cënon laicitetin e shkollës.

“Ky projekt konsiston jo në cënimin e laicitetit, por në forcimin e themeleve të kulturës laike, e cila është e dobët dhe e pafuqishme të përballet me format e ekstremizmit të dhunshëm”, deklaroi Rama.

Sipas kreut të ekzekutivit, shkolla publike duhet të jetë një hapsirë njohëse jo vetëm për shkencat, por edhe për fenë. Në këtë kontekst, Rama bëri të ditur se projekti do të fillojë me disa shkolla, ku programi do të udhëhiqet nga mësues të trajnuar jashtë vendit.

“Do të fillojmë me një numër shkollash në zona urbane e rurale dhe për herë të parë nxënësit do të nxiten nga mësues të trajnuar enkas brenda dhe jashtë vendit të përvejtësojnë elementët e të folurit, premisat e dialogut, hapat e parë të të argumentuarit pa pasione, pa hatërmbetje, pa paragjykime, por duke zhvilluar sensin e përkatësisë falë dhe jo në pësim të dallimeve fetare”, nënvizoi Rama.

Rama tha po ashtu se tekstet janë hartuar në bashkëpunim me institucione ndërkombëtare dhe në bashkëpunim me komunitetet fetare në vend.

(Top Channel)

1,626 Lexime
8 vjet më parë