
Prof. Asc. Dr. Pëllumb Karameta: PISA 2025, sfida për përmirësimin e arritjeve të nxënësve
Shkrimi i Prof. Asc. Dr. Pëllumb Karametës thekson rëndësinë e përgatitjes për PISA 2025, duke u fokusuar në zhvillimin e mendimit kritik, aftësive dixhitale dhe përdorimin e teknologjisë. Ai analizon përgatitjet, investimet për mësuesit dhe infrastrukturën, si dhe mundësitë për përmirësimin e arsimit.
Vlerësimi ndërkombëtar PISA është instrument kyç për matjen e aftësive zbatuese të nxënësve në lexim, matematikë dhe shkencë; madje, mundëson dhe krahasimin me vendet e tjera. Rezultatet e edicionit të fundit PISA 2022 treguan një rënie shqetësuese të performancës së nxënësve tanë në tre fushat kryesore, veçanërisht në matematikë (-69 pikë, krahasuar me vitin 2018). Arritjet pasqyruan mangësi të thella, të ndikuara nga pandemia, metodat tradicionale të mësimdhënies dhe mungesa e qasjes në teknologji. Në këtë kontekst, Ministria e Arsimit dhe Sportit vlerësoi të domosdoshme që përgatitja e nxënësve për PISA 2025 të bëhet me kujdes profesional, me fokus zhvillimin e mendimit kritik, zgjidhjen e problemeve dhe zbatimin praktik të njohurive nga nxënësit. Investimet e dy viteve të fundit kishin në fokus fuqizimin e mësuesve për të zbatuar metoda më efikase të nxëni, përmirësimin e materialeve didaktike me theks në ato dixhitale dhe përdorimin e vlerësimeve formuese për të identifikuar dhe adresuar dobësitë e nxënësve.
Në edicionin e vitit 2025, testimi do të ketë një risi: krahas tri seksioneve të përhershme (leximi, matematika dhe shkenca), për herë të parë, do të vlerësohen edhe aftësitë dixhitale të nxënësve për të mësuar në një botë gjithnjë e më të dixhitalizuar. Kjo është mundësi për sistemin arsimor që të përgatitet dhe të sigurojë nxënës të aftë për të përballuar kërkesat e një shoqërie të bazuar në teknologji.
Në edicionin e këtij viti, do të marrin pjesë nxënës 15-vjeçarë nga 150 shkolla të mesme të shpërndara në të gjithë vendin. Nxënësit do të testohen për aftësitë në zgjidhjen e problemeve, aktivizimin e mendimit kritik dhe përdorimin e teknologjisë për të analizuar dhe përpunuar informacionin.
Me vlerën dhe rëndësinë e këtij testimi parasysh, përgatitjet kanë filluar që në vitin 2024. Kështu, janë trajnuar 1503 mësues të cilët po ndihmojnë rreth 17.000 nxënës të kuptojnë metodologjinë e re të testimit dhe t’i përgatitin për të dhënë më të mirën në këtë sfidë ndërkombëtare.
Për të siguruar që nxënësit të përgatiten në mënyrën e duhur, Ministria e Arsimit dhe Sportit ka krijuar një ekip specialistësh të fushave përkatëse, i cili do të ndihmojë mësuesit dhe shkollat përkatëse për të adresuar disa çështje kyçe.
1. Kuptimi i metodologjisë së vlerësimit të PISA
Në shkollat tona, nxënësit vijojnë të përgatiten për testime që bazohen kryesisht në riprodhimin e informacionit dhe të njohurive, sipas mënyrës që vlerëson arritjet me përdorimin e “letrës dhe të lapsit”. Përkundër kësaj, testimi PISA ofron situata problemore në formate dixhitale për të testuar aftësitë analitike, mendimin kritik dhe zgjidhjen e problemeve. Për këtë, mësuesit dhe nxënësit po familjarizohen, duke trajtuar pyetjet e edicioneve të mëparshme, të cilat nuk kërkojnë thjesht aktualizimin e njohurive që nxënësit zotërojnë, por sesi i zbatojnë ata këto njohuri në situata të ndryshme shkollore apo reale, përmes teknologjisë.
2. Përmirësimi i aftësive për mendimin kritik
Një nga komponentët më të rëndësishëm të PISA 2025 është identifikimi i aftësive dixhitale dhe i mendimit kritik që nxënësit aktivizojnë gjatë trajtimit të situatave problemore të paraqitura në test. Nxënësit po ndihmohen të analizojnë informacionin, të identifikojnë burimet (të dhënat dhe kërkesat që ofrojnë situatat e testit) dhe të marrin vendime të bazuara në të dhëna. Mësuesit po e nxisin këtë qasje nëpërmjet përdorimit të platformave dixhitale të cilat po ndihmojnë nxënësit të kuptojnë elementet e situatës problemore dhe metodën me të cilat ata aftësohen për të analizuar, kuptuar, gjykuar dhe vlerësuar përgjigjen e përgatitur.
3. Menaxhimi i kohës gjatë testimit
Edicionet e mëparshme kanë treguar se menaxhimi efektiv i kohës gjatë testimit ka qenë një sfidë e madhe për nxënësit tanë. Ndryshe nga testet tradicionale që zhvillohen në shkolla, testimi i PIISA-s kërkon aftësi për ta lexuar dhe kuptuar në kohë informacionin, për të identifikuar të dhënat kyçe dhe për të dhënë përgjigje të argumentuara brenda një kohe të kufizuar. Për këtë arsye, gjatë fazës së përgatitjes, nxënësit po ndihmohen të perceptojnë kohën, duke përdorur kronometrin gjatë testimeve të simuluara. Kjo ndihmon në krijimin e ndjenjës të saktë të kohës për çdo pyetje. Për shembull, testi do të zhvillohet në dy seanca me nga 60 minuta dhe 30 pyetje secila, ndaj nxënësit po praktikohen, duke synuar ta përfundojnë një pyetje rreth 2 minutave. Vendosja e objektivave kohore për secilën detyrë dhe analiza e performancës pas testimit po ndihmon në përmirësimin e menaxhimit të kohës. Ndarja strategjike e kohës gjatë simulimeve po i ndihmon nxënësit të zhvillojnë një ritëm të qëndrueshëm pune. Përqendrimi në menaxhimin e kohës është thelbësor për të arritur një performancë të mirë në testet PISA 2025.
4. Plotësimi i anketave nga nxënësit dhe drejtuesit e shkollave
Nxënësve po u shpjegohet që anketa e testit PISA është instrument i rëndësishëm për mbledhjen e të dhënave mbi faktorët që ndikojnë arritjet e tyre akademike. Kjo anketë përmban pyetje të strukturuara, duke përfshirë alternativa të shumta dhe shkallë vlerësimi (Likert), të cilat mbulojnë aspekte si sfondi familjar, ndihma e prindërve, burimet e nxënies dhe qëndrimet ndaj shkollës. Nga anketa, nxënësve u vlerësohet motivimi, vetëbesimi dhe përvojat me metodologjitë mësimore. Analiza e strategjive të nxënies dhe përdorimi i teknologjisë në shkolla janë gjithashtu pjesë e rëndësishme e procesit. Përveç nxënësve, edhe drejtuesit e shkollave do të plotësojnë anketa për të ofruar një panoramë më të gjerë mbi mjedisin e të nxënit. Të dhënat e mbledhura janë anonime dhe përdoren për kërkime shkencore. Për këtë arsye, nxënësit po nxiten ta plotësojnë anketën me vëmendje dhe sinqeritet, pasi rezultatet e saj ndihmojnë në përmirësimin e politikave arsimore dhe në zhvillimin e një sistemi më efektiv arsimor.
5. Sigurimi i infrastrukturës së nevojshme për PISA 2025
Një element kyç në suksesin e PISA 2025 është infrastruktura teknologjike. Ky edicion i testimit do të zhvillohet në mënyrë elektronike, çka kërkon që çdo shkollë pjesëmarrëse të ketë pajisje të përshtatshme dhe lidhje të qëndrueshme interneti. Aktualisht, po bëhet një vlerësim i kushteve në çdo shkollë për të siguruar sasinë e duhur të kompjuterëve dhe laptopëve, si dhe për të garantuar shpejtësi të mjaftueshme të internetit për zhvillimin e testit pa probleme teknike. Po ashtu, disa shkolla janë pajisur me Smart Lab-e që ofrojnë mundësi reale për zhvillimin e mësimit dhe testimit përmes teknologjisë, duke krijuar mjedise inovative për nxënësit. Për të përmirësuar akoma më tej këtë infrastrukturë, janë duke u shqyrtuar mundësitë për kalimin nga rrjeti 4G në atë 5G, duke rritur shpejtësinë dhe cilësinë e lidhjes, për të garantuar një veprim më të shpejtë dhe pa ndërprerje gjatë zhvillimit të testeve, por dhe të aktiviteteve mësimore.
6. PISA 2025 – Mundësi për përmirësimin
Vlerësimi në PISA është mundësi për të reflektuar mbi mangësitë tona dhe për të ndërmarrë hapa konkretë për përmirësimin e sistemit arsimor. Procesi ndihmon aftësimin e nxënësve për të zgjidhur problemet, duke i ndihmuar të përballen me sfida në mënyrë më të thelluar dhe praktike. Gjithashtu, vlerësohet përdorimi i teknologjisë në arsim, duke forcuar aftësitë për të zbatuar dhe përdorur njohuritë shkencore në realitetin e përditshëm. Një tjetër aspekt i rëndësishëm është përmirësimi i performancës së nxënësve tanë, çka kërkon angazhim më të madh nga mësuesit dhe drejtorët për të krijuar kushte më të mira mësimore. Këto mundësi e bëjnë PISA një instrument të rëndësishëm për zhvillimin dhe përshtatjen e arsimit shqiptar me kërkesat e kohës.
Në përfundim, për Shqipërinë testimi PISA 2025 është mundësi për të ndihmuar nxënësit të përgatiten për një botë gjithnjë në zhvillim, të përmirësojnë aftësitë e të menduarit kritik dhe të përballen me sfida të ndryshme, duke na ofruar mundësi të reja për zhvillimin dhe përparimin e arsimit.
© Portali Shkollor - Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fiqiri Çifliku: Politika e fjalëve të rreme, mësuesi i Hekalit dhe e ardhmja e shoqërisë
Sugjerime për përmirësimin e udhëzimit mbi ndalimin e telefonave celularë në mjediset shkollore
Mësuesit denoncojnë procesin e kualifikimit: SBASH kërkon ndërhyrje urgjente nga MAS