Detyrimi i deklarimit të pagave për mësuesit dhe punonjësit në arsim: Afati është 31 mars 2025
Të gjithë mësuesit dhe punonjësit në arsim, që kanë një pagë bruto mbi 100 mijë lekë në muaj (1.2 milion lekë në vit), duhet të dorëzojnë "Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale" (DIVA) deri më 31 mars 2025. Edhe ata me burime të tjera të ardhurash mbi 50 mijë lekë janë të detyruar ta bëjnë këtë.
Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi
Vitin e kaluar ka pasur shumë diskutime rreth gjobave që qytetarët, përfshirë këtu edhe mësues, kishin marrë nga drejtoria e tatimeve. Gjobat u regjistruan nga sistemi tatimor, pasi nuk ishte bërë deklarimin e të ardhurave brenda datës 30 prill 2024, si afati i fundit për deklarim. Këtë vit kanë hyrë në fuqi ndryshimet e parashikuara në ligjin nr. 29/2023, “Për tatimin mbi të ardhurat”.
Sipas ndryshimeve, jo vetëm dy punësimi, por edhe rroga e vitit të kaluar, është vendimtare për të përcaktuar nëse je subjekt i dorëzimit të deklaratës së të ardhurave ose jo.
Të gjithë ata individë që gjatë vitit 2024 kanë pasur pagë bruto mbi 100 mijë lekë në muaj, për herë të parë do të dorëzojnë “Deklaratën Individuale të të Ardhurave Personale” (DIVA) për vitin 2024, nëse shuma e të ardhurave vjetore është mbi 1.2 milion lekë.
Me ligjin e vitit 2023, u vendos që detyrimin për të dorëzuar DIVA-n, nuk do e kenë vetëm ata individë që kanë të ardhura mbi 2 milionë lekë në vit (ose mbi 166 mijë lekë në muaj, bruto), por fasha zbriti në 1.2 milionë lekë/viti. Kjo do të thotë se çdo punonjës, mësues, punonjës publik apo privat i cili merr 100.000 lekë bruto, në muaj, ka detyrimin të deklarojë të ardhurat në sistemin e tatimeve.
Kujdes, afati i dorëzimit të deklaratës vjetore nuk është më 30 prilli, por do të jetë data 31 mars 2025.
Këtë deklaratë do ta dorëzojnë edhe të dy punësuarit, pra ata që kanë qenë në dy listë-pagesa të ndryshme në të njëjtin muaj (p.sh. një mësues që ka punuar në dy zyra arsimore, nëse ka lëvizur sipas portalit.
Risi e ligjit është fakti se edhe për ata individë që kanë të ardhura nga burime të tjera (jo pagë) mbi 50 mijë lekë, të pa tatuara, duhet të deklarojnë DIVA-n. Nëse deklarata nuk dorëzohet brenda afatit (31 mars 2025), punonjësi gjobitet me 3 mijë lekë, të cilës i bashkëngjitet edhe interesi e kamatëvonesat e llogaritura automatikisht nga sistemi.
Deklarata DIVA 2024, gjenerohet e paraplotësuar automatikisht në e-Filing me të dhënat e të ardhurave vjetore bruto nga pagat apo shpërblimet nga marrëdhëniet e punësimit për individët, si edhe me përllogaritjen e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi.
Nëse i bëjmë një analizë nivelit të pagave në arsim rezulton se pothuaj të gjithë drejtuesit e institucioneve arsimore apo punonjësve të AKAP/DRAP/ZVAP, u lind detyrimi të bëjnë deklarimin e DIVA-s. Në këtë grup mund të futen edhe mësuesit që kanë mbi 24 vjet punë, si dhe shkallën e dytë të kualifikimit, pasi sipas përllogaritjeve paraprake plotësojnë shumën e të ardhurave bruto për deklarim.
Gjithsesi për të qenë të sigurt dhe për të mos u penalizuar verifikoni të ardhurat tuaja vjetore pranë zyrën e financës ku punoni ose më shkurt, duke shkarkuar të gjitha pagat mujore në llogarinë tuaj në e-Albania (Kujdes, pasi të ketë dalë dhe paga e muajit dhjetorit 2024)
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Manastirliu: Programi “Art, Zeje, Sport” gjatë këtij viti do shtrihet edhe në 100 shkolla
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Të drejtat dhe detyrat e nxënësve, mësuesve e prindërve