Trajnimet Kosovë

QTPA mban trajnimin e dytë për mësimdhënësit në Kosovë, këtë herë në Ferizaj

Qendra e trajnimeve Albas Kosovë organizoi trajnimin e dytë për mësimdhënësit në Kosovë, kësaj radhe në qytetin e Ferizajt. Trajnimi u zhvillua gjatë fundjavës që lamë pas në shkollën e mesme të ulët "Tefik Çanga" në Ferizaj.

Qendra e trajnimeve Albas Kosovë në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj, organizuan trajnimin dyditor në këtë qytet. Ky trajnim u zhvillua  në shkollën e mesme të ulët "Tefik Çanga", me  fillim ora 09:00.

Programi i trajnimit për datat 20-21 prill përfshiu dy module.

Moduli 1: Menaxhimi i klasës dhe konflikteve;

Moduli 2: Strategjitë e integrimit të nxënësve me aftësi ndryshe në mësimdhënien në klasë dhe në distancë.

 

Imran Aziri Sejdiju, mësuese në shkollën e mesme të ulët "Imri Halili" në Grackë të Ferizajt, njëkohësisht pjesëmarrëse në trajnimin dyditor nga QTPA, ndau me ne detaje nga përvoja e saj.

 

“Jo rastësisht thuhet se mësimdhënia është art në vete. Sa më shumë që zhytesh në lumin e dijes, aq më shumë nektar prodhon. E kush e bën zhytjen më të lehtë në këtë rrugëtim për neve mësimdhënësit? - Natyrisht se trajnimet adekuate dhe të duhura të cilat na ndihmojnë që ne të përditësohemi duke treguar performancë të shkëlqyer”, tha Sejdiju.


Për Sejdijun ky trajnim ishte i nivelit të lartë dhe shumë fitimprurës për të.

“Mua shumë më pëlqeu trajnimi, si dhe ishte shumë cilësor. Trajneret ishin shumë të afërta me neve dhe përçuese të mahnitshme të programit. Organizimi ishte në nivelin e duhur si dhe dëshiroj që të kemi edhe në vazhdimësi trajnime të duhura si këtë që na e ofroi Qendra e Trajnimeve Albas”,  përfundoi ajo.

 


Njëherazi për Portalin Shkollor foli edhe mësuesja Dhurata Ramadani, e cila ligjëron në shkollën fillore "Tefik Çanga” në Ferizaj. Ramadani shprehu kënaqësinë e saj për trajnimin, duke e dalluar atë nga përvojat e mëparshme.

 

"Trajnimi aktual nuk është monoton. Një aspekt pozitiv është ndarja e përvojave me kolegët, duke mësuar gjëra të reja nga ta dhe nga trajnimi”, tha Ramadani.

 

Ajo gjithashtu vuri në dukje se me anë të këtij trajnimi po mësojnë se si t’u qasen fëmijëve që kanë probleme me konflikte, duke ditur se me raste të tilla ballafaqohen çdo ditë.

 

“Përpos si mësuese, ne duhet të jemi edhe psikologë për këta fëmijë që kanë probleme, duke ditur se me rastet e tilla ballafaqohemi çdo ditë.” 

 

 


Ky program është i akredituar nga Këshilli Shtetëror për Licencimin e Mësimdhënësve (MASHT). Ai ka 24 orë trajnimi, duke përfshirë leksione teorike për 14 orë, ushtrime praktike për 5 orë dhe punë në grup dhe detyra për 5 orë për mësuesit e sistemit parauniversitar.

 


Ndërkohë, trajnimet e këtij programi do të vazhdojnë në qytete të tjera të Kosovës në javët në vijim.

Përgatiti: Arlinda Hajdaraj, gazetare përgjegjëse e Portalit Shkollor Albas për Kosovën. 
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

1,368 Lexime
8 muaj më parë