QQ: Mendimi krijues i nxënësve po shkatërrohet, fajin e kanë drejtuesit
Raporti më i fundit i dalë nga PISA ka treguar se nxënësit shqiptarë renditen të fundit në botë për të menduarit në mënyrë kritike. Qëndresa Qytetare ka reaguar dhe ka kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të MAS, duke i konsideruar si përgjegjës kryesorë për degradimin në këtë nivel të nxënësve.
15-vjeçarët shqiptarë renditen të fundit në botë, duke u pozicionuar në vendin e 64-t, sa i përket aftësisë për të menduar në mënyrë krijuese. Të dhënat kanë dalë nga testi i PISA-s, të mbledhura nga testimi i zhvilluar në vitin 2022, duke vlerësuar për herë të parë edhe kapacitetin e nxënësve në mendimin krijues si dhe aftësinë për të prodhuar ide origjinale në 64 vende dhe ekonomi të botës.
Publikimi i prezantuar dje nga Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD), është një nga pesë vëllimet që prezantojnë rezultatet e raundit të tetë të vlerësimit të PISA-s. Sipas raportit ka dallime thelbësore në performancën e të menduarit krijues midis vendeve dhe ekonomive.
“Sistemi me performancën më të ulët (Shqipëria) ka një rezultat mesatar të studentëve prej 13 pikësh në shkallën e të menduarit krijues – rreth 28 pikë më pak se mesatarja e studentit në Singapor (sistemi me performancën më të lartë)”,- saktëson raporti.
Në krye të renditjes qëndron Singapori, duke marrë 41 pikë, ndërsa pas tij renditet Korea dhe Kanadaja me 38 pikë dhe Australia me 37 pikë. Shqipëria renditet e fundit me 13 pikë, duke u paraprirë nga Republika Dominikane me 15 pikë, Maroku me 15 pikë, Uzbekistani dhe Filipinet me 14 pikë. Sipas raportit ka një hendek shumë të madh mes vendit me performancën më të lartë dhe atë më të ulët.
“Hendeku i performancës në të menduarit krijues midis vendit me performancën më të lartë dhe me performancën më të ulët është shumë i madh, rreth 28 pikë. Më pak se 3 në çdo 100 studentë në pesë vendet me performancën më të mirë (Singapori, Korea, Kanada, Australi dhe Zelanda e Re në rend zbritës) performojnë rreth ose nën mesataren e pesë vendeve me performancën më të ulët (Shqipëri, Filipinet, Uzbekistani, Maroku dhe Republika Domenikane, sipas renditjes)”.
Ky studim është i pari në një shkallë kaq të gjerë që mbledh të dhëna për performancën pas ndërprerjeve të COVID-19.
“Pavarësisht nga rrethanat sfiduese, 31 vende dhe ekonomi arritën të paktën të ruajnë performancën e tyre në matematikë që nga PISA 2018. Midis tyre, Australia, Japonia, Korea, Singapori dhe Zvicra ruajtën ose ngritën më tej nivele të larta te performanca e studentëve, me pikë që variojnë nga 487 në 575 pikë (mesatarja e OECD 472)”,- thuhet në studim.
Sipas raportit kjo tregon tipare të përbashkëta që kanë karakterizuar këto sisteme.
“…përfshirë mbyllje më të shkurtra të shkollave, më pak pengesa për mësimin në distancë dhe mbështetjen e vazhdueshme të mësuesve dhe prindërve, të cilat mund të ofrojnë më tej njohuri dhe tregues të praktikave më të mira më të mira për të adresuar krizat e ardhshme”.
Reagon Qëndresa Qytetare: “Mendimi krijues shkatërrohet kur institucionet arsimore drejtohen nga kopjacët”
Qëndresa Qytetare ka kërkuar dorëheqjen e drejtuesve të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, duke i konsideruar si përgjegjës kryesorë për degradimin në këtë nivel të nxënësve.
“Qëndresa Qytetare i kërkon klasës politike, shoqërisë civile dhe medias ta shohin arsimin si një emergjencë kombëtare, pasi nëse arsimi bie ka rënë mbarë shoqëria”,-u shpreh Qëndresa.
Sipas tyre, kjo situatë vjen kur institucionet drejtohen nga persona që kryejnë plagjiaturë.
“Nepotizmi, emërimet politike në sektorin e arsimit, korrupsioni në këmbim të notës dhe vendit të punës janë në themel të rrënimit të arsimit publik në vend, alarm që Qëndresa Qytetare e ka ngritur prej një dekade”.
Pak ditë më parë aktivistët denoncuan rastet e plagjiaturës së drejtuesve të universiteteve publike në vend, në kohën që po mbahen zgjedhjet.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Tirana mban rekord për numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri
QSHA njofton zyrtarisht: Provimi i licencës për vitin 2022 do të zhvillohet gjatë periudhës Prill - Maj