Aktualitet

Publikohen datat, ja kur mund të regjistrohen nxënësit e klasës së parë dhe të 10-të

Duke nisur nga 8 korriku deri në 31 gusht prindërit do mund të aplikojnë në e-albania për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë dhe të dhjetë. Për vitin e ri shkollor që nis më 9 shtator, MAS ka përcaktuar që afati i regjistrimit të zgjas më shumë se 1 muaj e gjysmë, ndryshe nga përvoja e shkuar.

Duke nisur nga 8 korriku deri në 31 gusht prindërit do mund të aplikojnë për regjistrimin e fëmijëve në klasë të parë dhe të dhjetë në portalin e-albania.


Për vitin e ri shkollor që nis më 9 shtator, Ministria e Arsimit ka përcaktuar që afati i regjistrimit i nxënësve të zgjas më shumë se 1 muaj e gjysmë, ndryshe nga përvoja e shkuar e cila zhvillohej me faza disa ditore dhe që prindërit e neglizhonin duke rrezikuar edhe humbjen e vitit shkollor për fëmijën.


E gjithë procedura do të kryhet sërish online përmes platformës e-albania, ku nxënësit i lejohet të regjistrohet në institucionin arsimor publik që mbulon vendbanimin e prindërve, pra në varësi ku jeton.


Me ndryshimet në Ligjin për Arsimin Parauniversitar, kanë mundësi të regjistrohen në klasë të parë edhe 5 vjeçarët  me kushtin që të mbushin 6 vjeç deri në datën 31 dhjetor të 2024, ky vendim nuk është i detyrueshëm por mbetet në dorën e prindërve nëse vlerësojnë se fëmijët e tyre kanë përgatitjen e zhvillimin e duhur për të filluar rrugëtimin arsimor më herët.


Ndryshe nga regjistrimet në arsimin fillor apo gjimnaz të përgjithshëm, nxënësit pranohen  në shkollat artistike dhe sportive vetëm nëpërmjet konkursit, që do të zhvillohet po brenda të njëjtës periudhë nga data 8 korrik deri më 31 gusht, teksa aplikimi për konkursin kryhet po virtualisht.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

1,332 Lexime
2 muaj më parë