Prezantohet portali “Mësues për Shqipërinë”
Nikolla prezantoi gjatë një aktiviteti portalin “Mësues për Shqipërinë”, si dhe njoftoi maturantët me rezultate të larta në mësime se nëse zgjedhin mësuesinë tarifën e shkollës e paguan MASR.
Gjatë një aktiviteti ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Lindita Nikolla ka prezantuar portalin “Mësues për Shqipërinë”. Nikolla tha se mësuesit tanimë do të kenë më shumë akses dhe do të njoftohen në kohë reale për vendet bosh të punës.
Portali “Mësues për Shqipërinë” merr dimension të ri dhe formësohet duke shtuar më shumë transparencën dhe besimin, se vetëm përmes tij mund të punësohesh në sistemin arsimor. Gjatë prezantimit të portalit të ri me të njëjtin emër por me përbërje krejt të re, që nisi gati 3 vite më parë, ministrja e Arsimit Lindita Nikolla nga shkolla e mesme “Sinan Tafaj” në Tiranë siguroi mësuesit se ka marrë fund koha e mikut dhe e ndërhyrjeve nga politika për t’u emëruar mësues i fëmijëve shqiptarë. Përmes këtij portal shtoi Nikolla do të ketë më shumë transparencë, efikasitet dhe vetë menaxhim të të dhënave për çdo mësues që do të konkurrojë për t’u punësuar.
E para, transparenca. Mësuesi shikon në kohë reale këndin e mësuesit si është listuar, si është ecuria në listë, kush janë pikët e tij qoftë të testit, qoftë të dosjeve, pra është i informuar çdo çast për listën, ashtu sikurse është i informuar në kohë reale edhe për çdo pozicion të ri që krijohet. Efikasiteti: Mësuesit nuk njoftohen më me telefonin më nëpërmjet telefonit që varet nga vullneti i përfaqësuesve të drejtorive ose të zyrave arsimore, por njoftohet automatikisht ne e-mail-in e vetë, përmes portalit “Mësues për Shqipërinë”. Vetëmenaxhimi është një tjetër pikë e fortë e portalit të krijuar, sepse në hapësirën personale mësuesi ka mundësinë që të gjenerojë në të shumë nga certifikatat, trajnimet të tjera të dhëna të fituara ndërkohë.
Portabiliteti po ashtu, është një pike tjetër e fortë e portalit, sepse ky portal është i lidhur me portalin e trajnimeve dhe kualifikimeve, pra procesit tjetër të mësuesve që janë në sistem, kështu që çdo mangësi që shikohet në testime por dhe çdo pikë e fortë që vërehet nëpërmjet testimeve, mësuesi mund ta konfrontojë me ofrimin e shërbimit kualifikimit nga portali tjetër që është portali i kualifikimit të mësuesve dhe sigurisht është një kualitet krejtësisht i ri, cilësor i bazës së të dhënave për mësuesit për Ministrinë e Arsimit.
Ministrja Lindita Nikolla nxiti mësuesit e rinj të aplikojnë në portal dhe të konkurrojnë, sepse punësimi do të ndodh të bazë te meritokracisë së gjithsecilit, dhe jo sipas ndërhyrjeve përmes partive apo mikut më të fortë. Nikolla rikujtoi edhe një herë se 2018 është viti i mësuesve, ndaj të cilëve do të drejtohet e gjithë vëmendja, që nga trajnimet dhe deri tek rekrutimet e më të mirëve për t’u bërë mësues. Kjo reformë do të nis me fakultetet e edukimit të cilët do të bëhen më tërheqës për të thithur brezin e ri të maturantëve me mesataret më të larta. Portali është i hapur për të gjithë aplikantët nga sot deri më 31 janar për t’u bërë gati më pas në muajin shkurt për t’ju nënshtruar testimit që rendit arritjet e tyre.
Gjatë fjalës së saj Nikolla ka njoftuar se maturantët me rezultate të larta të cilët do të zgjedhin të studiojnë në një nga Fakultetet e Edukimit, do t’u mbulohen tarifat e studimit nga ministria.
Ministrja Nikolla deklaroi se qëllimi i këtij lehtësimi është rritja e cilësisë së mësuesve.
“Ne nuk mund të presim që cilësia e arritjeve të nxënësve tanë të tejkalojnë cilësinë e mësuesve. E kundërta është e vërtetë, gjithnjë e më shumë mësues cilësor të çojmë drejtë shkollave.”
Nikolla theksoi se do të ketë një rritje të notës mesatare si kriter hyrës për fakultetet e mësuesisë në të gjitha programet. Puna me fakultetet ka filluar.
“Kam edhe detyrimin që rrjedh për shkak të ligjit të ri të arsimit të lartë, dhe shumë shpesh ne do të kemi një histori besoj të re cilësore të formimit të fakulteteve të edukimit pa hequr dorë nga ato që është angazhimi i kësaj qeverie për ta bërë profesionin e mësuesit jo thjeshtë një profesion që kërkohet cilësi por një profesion të respektueshëm, për t’i kthyer dinjitetin në shoqëri aty ku i takon mësuesit, pa dyshim edhe duke i mbështetur me paga të rritura. Do të vijojmë të ecim më rritjen e pagës së mësuesit deri ne masën 40% po ashtu edhe me një sërë iniciativash të tjera që lidhet si me orët mësimore, si me kushtet dhe investimet në infrastrukturat shkollore dhe me radhë”, - përfundoi Nikolla.
(Portali Shkollor)
Hartimi i projektit kurrikular
Rritja e pagave të punonjësve të arsimit dhe udhëzime për zbatimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!