Post Matura Shtetërore/ Flasin ekspertët e arsimit: Të reformohet procesi, këto janë sugjerimet tona...
Pas mbylljes së procesit të Maturës Shtetërore 2024 ekspertët e arsimit dhe qytetarët kanë reaguar për mbarëvajtjen e procesit por edhe për rezultatet e dala deri më tani. Ata kanë deklaruar se nga instancat përkatëse duhet bërë një reformim i MSH teksa japin edhe sugjerimet e tyre.
Maturantët e këtij viti i kanë mbyllur tashmë të gjitha provimet e Maturës Shtetërore. Por, si herë të tjera, edhe këtë vit procesi nuk mund t’i shpëtonte diskutimeve, sidomos atyre për daljen e tezave para apo menjëherë pas orarit zyrtar për fillimin e provimeve.
Në të katërta provimet teza u përhap me shpejtësi në rrjetet sociale. Reagimet nga publiku ishin të shumta. Ndjekësit e Portali Shkollor Albas një zëri kanë pohuar se “Dalja e tezave është një histori e përsëritur dhe procesi cenohet përderisa maturantëve mund t’u dërgohen përgjigjet e pyetjeve”.
Nga ana tjetër Ministria e Arsimit dhe e Sportit ka dalë me deklarimin se: “Ministria e Arsimit dhe Sportit siguron të gjithë maturantët dhe opinionin publik se procesi i provimeve të Maturës Shtetërore po kryhet brenda të gjitha standardeve të sigurisë të përcaktuara në Rregulloren e Maturës Shtetërore. Ritheksojmë se publikimi i tezave të provimeve të Maturës, pas nisjes së provimit, nuk cenon në asnjë rast procesin dhe mbarëvajtjen e provimit të Maturës Shtetërore”.
Ekspertët dhe specialistët e arsimit kanë reaguar gjithashtu.
Pak para se të fillonte procesi i testimeve, kemi publikuar shkrimin e z. Fiqiri Çifliku, “Matura shtetërore dhe nevoja urgjente për ndryshim”. Për hir të së vërtetës ky shkrim mori vëmendje në rrjetet e profesionisteve të arsimit, por edhe të publikut të gjerë duke ndezur një shpresë se diçka do të ndryshonte shpejt.
“Në vijim po paraqes një propozim konkret, që nuk synon vetëm amortizimin e presionit gjatë zhvillimit të provimeve, eliminimin e aspekteve negative të konstatuara dhe kufizimin për marrjen e rezultateve të pamerituara nga disa. Ky propozim e ndan procesin në dy etapa:
a) Vlerësimi brenda shkollës, përfundon me pajisjen e nxënësit me një certifikim të nivelit bazë.
b) Testi i aftësisë, instrument vlerësimi për pranimin në universitete dhe si sondazh për cilësinë e sistemit arsimor në tërësi.
Vlerësimi brenda shkollës kryhet nga komisionet shtetërore të ngritura në nivel vendor, me mësuesi të shkollës dhe një përfaqësues nga zyra vendore. Në këtë proces nxënësit i nënshtrohen tre provimeve të detyruara (Gjuhë Shqipe dhe Letërsi, Matematikë dhe Gjuhë e Huaj) të shoqëruara me një provim formimi, me gojë. Mund të jetë një temë ose një projekt që mbrohet para komisionit shtetëror. Në përfundim të provimeve dhe mbrojtjes së tezës me gojë, nxënësit i konsiderohet i përfunduar arsimi i mesëm i lartë dhe është i gatshëm për tregun e punës, nëse nuk dëshiron të vijojë arsimin e lartë. Ndërkohë testi i aftësisë, ose testimi i informatizuar duhet do të jetë hallka e ndërmjetme për vlerësimin e nxënësve që përfundojnë arsimin e mesëm të lartë dhe dëshirojnë të vijojnë formimin universitar. Ky proces duhet të organizohet dhe të vlerësohet nga një institucioni i jashtëm, mund të jetë QShA apo RASh. Në vitin 2023 për pranimet në degët e universitetit të mjekësisë u zbatua modeli i testimit të informatizuar dhe rezultoi i suksesshëm, përveç faktit se nxori në pah diferenca të mëdha (në ulje) midis mesatares së shkollimit, mesatares së notave të provimeve të MSh dhe vlerësimit të testit të informatizuar”- thuhet në këtë shkrim.
Ndërkohë pas mbarimit të provimeve të maturës disa pedagogë e specialistë të arsimit kanë dhënë deklaratat e tyre në lidhje me mbarëvajtjen e procesit, teksa kanë komentuar edhe rezultatet e këtij viti.
Pedagogia, Nora Malaj është shprehur se numri i notave maksimale që u morën në provimin e maturës në lëndën e Letërsisë është shumë i vogël dhe se ka diferenca mes notave lëndore që maturantët marrin në gjimnaze dhe asaj që marrin në provime.
Nora Malaj “Kur dalin rezultatet janë pak kokëfortë sepse në bazë të shifrës do të lexosh ecurinë e gjësë. Kemi rreth 28 mijë maturantë dhe kemi vetëm 30 maksimale, që do të thotë në 28 mijë maturantë, 30 maksimale i thonë 0.1 ose 0.2%, që do të thotë se është një numër shumë i vogël në raport me atë çfarë pritet, në raport me atë se çfarë mund të mendohet rezultati që nëse do të bënim kalkulimin midis rezultateve të maturantëve kur kanë mbyllur maturën dhe nota që iu ka dalë lëndore dhe pastaj nota e provimit, jam e bindur që aty ka diferenca shumë të mëdha sepse nuk mendoj asesi që të jenë vetëm 30 maturantë në të gjithë Shqipërinë që janë absolute në lëndën e Letërsisë”.
Pedagogia, Lili Sula është shprehur për mediat se dalja e tezave të provimit gjatë maturës shtetërore ka përmbysur sistemin e maturës shtetërore.
Lili Sula: “Një proces shumë problematik që për mua përmbys të gjithë rezultatet, të gjithë procesin e testimit. Mediat kanë qenë të parat që kanë publikuar në të gjitha provimet testi i provimit ka dalë në minutat e para të zhvillimit të tij. Madje në këto provimet me zgjedhje në 15 minutat e para. Në çdo vend normal duhet të ishte një kambanë alarmi për të njohur këtë dështim të maturës shtetërore. Për mua kjo është një përmbysje e sistemit të maturës shtetërore, përmbysje e procesit të maturës shtetërore”.
Isa Halilaj, zëvendës Presidenti i Sindikatës së Mësuesve ka hedhur idenë që në mënyrë që të shmanget publikimi i testeve, atëherë provimet duhet të bëhen në një sistem online ashtu siç ndodh me mësuesit.
“Duhet që provimet e Maturës të jenë provime përmbyllëse dhe pastaj të jenë provimet në universitet dhe të mos jenë të përfolura rezultatet e tyre që në fillim të maturës. Ose investimi më i mirë është që të bëhet një provim online nga të gjithë maturantët dhe rezultatin ta marrin aty direkt, ashtu sikurse bëhet kur jepet licenca e mësuesve. Prandaj, duhet me patjetër një investim i mirë në arsim”.
Reagimet për post maturën kanë qenë edhe nga ish maturantë e sot studentë. Njëri prej tyre Ermes Hoxhalli në një shkrim që na ka dërguar thotë: “Unë vij nga një sistem arsimor parauniversitar dhe jam pjesë e një sistemi arsimor universitar dhe i kuptoj shumë mirë problematikat që ka Matura Shtetërore. Personalisht kam pasur rastin tim konkret, ku pasi marr njërën prej tezave, e cila ishte korrigjuar në mënyrë absurde, bëj kërkesën për rikorrigjim. Të korrigjosh në fakt nuk do të thotë t’i hedhesh një sy testit por të ndalesh thellësisht, gjë që kjo nuk ishte bërë. Mendova që rikorrigjimi do bënte punën e tij. Por me pak ndryshime të vogla, përsëri rikorrigjimi më rezultoi se ishte një proces për sy e faqe. Provimi i informatizuar, është një risi në fakt që ka një qasje pozitive sepse është vendimtar, por përsëri duhet një formulë më koncize dhe e mirëmenduar”.
Këto janë mendime për përmirësim, modele të përshtatura me kushtet aktuale, me realitetin e sotëm. Por sa do të merren në konsideratë idetë dhe propozimet e ekspertëve të ndryshëm, brenda apo jashtë sistemit arsimor, kjo mbetet e diskutueshme.
Kaltra Tafani
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Letër e hapur për prindërit, mësuesit e institucionet: Për të mos neglizhuar asgjë në edukim!
Tirana mban rekord për numrin më të lartë të analfabetëve në Shqipëri
QSHA njofton zyrtarisht: Provimi i licencës për vitin 2022 do të zhvillohet gjatë periudhës Prill - Maj