Aktualitet

Portali “Mësues për Shqipërinë” 2024, paqartësi dhe dilema...

Problematika dhe dilema për aplikmet në Portalin “Mësues për Shqipërinë” 2024, për të cilat përgjigje jep specialisti i arsimit Fiqiri Çifliku.

Nga Fiqiri Çifliku, ekspert arsimi 


Në mbështetje të udhëzimit nr. 8, datë 3.5.2024 “Për procedurat e pranimit, të pezullimit dhe të largimit të mësuesit nga një vend pune, si dhe administrimit të portalit “Mësues për Shqipërinë”, i ndryshuar, prej 4 Korrikut u bë i mundur fillimi i aplikimeve për t’u regjistruar në portali . Aplikimet do të jenë të hapura për 15 ditë, deri në 19 korrik. 


Procesi në ditët e para është shoqëruar me paqartësi dhe problematika teknike nga të interesuarit për tu regjistruar.


Nga institucionet përgjegjëse duhet të ishin marrë masa për të sqaruar publikun dhe të interesuarit për çështje që kanë nevojë edhe pse procesi nuk është i vështirë e mund të kryhet në një kohë të shkurtër. Mjafton që të kemi të skanuara nga origjinali dokumentacionin si diplomë, listën e notave, librezën e punës, certifikatat e kualifikimit dhe dëshminë e gjuhës së huaj. Ka gjithashtu dhe një rubrikë për dokumente të tjerë nëse disponohen. E rëndësishme është që madhësia e dokumentit të skanuar në PDF të mos jetë më i madh se 5 MB. Aplikimi duhet kryhen nga kompjuteri pasi pajisjet e zgjuara (celularët) kanë kufizimet e tyre.


Aplikimi nis me hyrjen në llogarinë tuaj në e-Albania, si qytetar, më pas zgjedhim shërbimin "aplikim për konkurrim për punësim “Mësues për Shqipërinë".


Zgjedhim aplikim i ri dhe në dritare e parë plotësohen automatikisht të dhënat personale, përfshirë këtu konfirmimin vijoj pa licencë që duhet të jetë me të gjelbër. Është e plotësuar DRAP ku do të vlerësohet dosja, pasi automatikisht është e lidhur me vendbanimin tuaj dhe nuk ka pse të ndryshohet. Më pas plotësohen të dhënat për profilin, DRAP dhe ZVAP ku do të aplikoni (keni edhe opsionin nëse doni të punësoheni edhe si mësues në dispozicion ose Arsim Special, nuk ju kufizon konkurrimin në profilin tuaj). 


Këtu ka dy problematika, e para sistemi të detyron të zgjedhësh tre herë DRAP dhe tre herë ZVAP, ndërkohë që duhet të ishte më i thjeshtë nëse konkurrenti dëshiron të vijojë me një ZVAP të aplikojë vetëm në atë DRAP dhe ZVAP që dëshiron. 


Problematika e dytë është se në listën e lëndëve që mund të zgjedhësh për aplikim mungon profili i arsimit parashkollor, e kjo ka shqetësuar kandidatët e këtij profili.  


Për të vijuar duhet të plotësojmë të gjitha kërkesat duke vendosur tri herë të njëjtën zgjedhje të DRAP apo ZVAP ose tri të ndryshme, sipas dëshirës dhe kalojmë në hapin tjetër. 


Në këtë fazë plotësojmë me vet deklarim çdo kërkesë dhe ngarkojmë dokumentet e skanuara në vendin përkatës, pra diploma dhe shtojca e notave bashkë në krah të notës mesatare, certifikatat me kredite në një dokument, kualifikimi dhe librezën e punës më poshtë. 

Pasi të kemi ngarkuar të gjitha dokumentet e kërkuara kalojmë në hapin tjetër duke dhënë autorizimin për vërtetimin e gjendjes juridike, nuk je e dënuar, Këtu nuk ka nevojë të ngarkojmë shtojcën e udhëzimit pasi është e integruar dhe mjafton të klikosh duke e konfirmuar.


Në fazën e fundit kontrollon të gjithë aplikimin nëse është në rregull dhe nuk ke ndonjë gabim e më tej jep autorizim për shqyrtimin e vërtetësisë të dokumenteve të ngarkuara.


E printojmë fletën nëse dëshirojmë ose e ruajmë në kompjuterin tonë dhe vijojmë duke klikuar përfundo. Këtu mbyllet gjithçka e na mbetet të themi vetëm suksese konkurrentëve.


Sa i përket ruajtjes se pikëve për të cilat ka pasur interpretime të ndryshme në rrjet udhëzimi është i qartë: pikët do të mbarten duke u rivlerësuar sipas strukturës së re të miratuar dhe pas këtij vitit është e mundur të mbarten deri në dy vite.


Nga informacionet që kam thuhet se problematikat do të zgjidhen. Stafi teknik është duke punuar dhe shpejt do jetë i në listë edhe profili parashkollor apo mbartja e pikëve. Theksoj se ky është një sistem krejt i ri që po ndërtohet i gjithi në kujdesin e specialistëve të AKSHI, për hir të së vërtetës kanë bërë një punë shembullore.


Shpresoj shumë që me këtë sistem të shtohet transparenca në ofrimin e vendeve të punës dhe verifikimi nga konkurrentët dhe publiku i zbatimit me korrektësi të punësimit sipas renditjes. Duhet të marrë fund njëherë e përgjithmonë diskutimi për punësime të pamerituara apo që nuk respektojnë renditjen e kandidatëve, duke zhvlerësuar rezultatet e ca më keq duke cenuar rëndë besimin e publikut




©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,109 Lexime
5 muaj më parë