QASJE KRITIKE

Plasin yjet porsi qelqi

Ç’profesion kemi? Mundohemi fort t’ia përplasim botës me krenari se ne jemi mësues. Ku është edukimi ynë? Pse respekti nuk shkon përtej interesit? Ku janë ndjenjat humane? Ku është mësuesi? Ku dreqin është psikologia?

Plasin yjet porsi qelqi


Ç’profesion kemi? Sa mburremi me të? Mundohemi fort t’ia përplasim botës me krenari se ne jemi mësues, se edukojmë breza. Ku është edukimi ynë? Pse respekti nuk shkon përtej interesit? Ku janë ndjenjat humane? Ku është drejtori? Ku është mësuesi? Ku dreqin është psikologia?


Të drejtohem ty nënë dhe babë që nuk ulesh me djalin tënd pas pune për t’i thënë se e rëndësishme është të jesh njeri. Se t’i bësh keq tjetrit nuk ta bën shpirtin e lumtur. Ku je ti nënë e babë kur djali yt dalldis epshëm me mishin e dikujt? Ku je ti nënë e babë ku djali yt rreh, gris shpirtin dhe mishin e një vajze të njomë? Ku është mësuesi që mbyll sytë koridoreve duke i thënë vetes: nuk është puna ime. Ku ishe ti drejtor? Ku je ti drejtor? Ku në tualetet e shkollës zhgërryhen muret me njolla tmerri. Ku isha unë? Ku ishim ne?


Ka pak ditë që Kavaja nuk na hiqet nga mendja dhe jo për ndonjë revolucion në turizëm, apo për ndonjë shfaqje të re alla kryetar bashkie, por për një ngjarje të rëndë e të hidhur si zeheri vetë. Një vajzë u përdhunua. Në fakt nuk u përdhunua vetëm një njeri, bashkë me të u dhunua i gjithë soji ynë. Nuk mundesh kurrsesi që të jesh femër dhe të mos ndjesh dhimbjen, revoltën n’tentativë e të mbushur me frikë.


Ne të gjithë jemi fajtor. Ne po rrisim si prindër keq fëmijët tanë, ne po i edukojmë djemtë duke iu thënë se sa më shumë të dashura të kesh aq më i suksesshëm je. Ne i edukojmë djemtë duke iu thënë se të bësh punë shtëpie është turp, se të ndihmosh me pazarin nuk është punë burrash, se të flasësh ëmbël është humbje nderi, se të biesh në dashuri nuk ke fort vlerë si burrë. Po, ne i mësojmë djemtë tanë se të rrahin është normale dhe nuk ka pse i vret ndërgjegjia, ne iu mësojmë djemve të kafshojmë mishin e butë dhunshëm për të treguar se ata urdhërojnë. Ne nënat, mësuesit, edukatorët kemi dështuar. Ka dështuar edhe policia që shëndoshet me raki vendi e meze bio. Por mbi të gjitha ke dështuar ti psikologe!


Ku janë psikologët tanë? Ku dreqin fshihet psikologia në gjithë këtë histori? Puna e psikologes nuk po justifikon as gjysmën e rrogës qyl. Shërbimi i saj është kaq i nevojshëm në shkolla. Seminaret, orët e konsultimeve, orët sensibilizuese ku janë? Çfarë ka bërë psikologia në gjithë këtë histori, asgjë. Shteti cipëplasur si studiues filmash hollivudianë na la të kuptojmë se përdhunimi si rast nuk është ndonjë gjë kushedi se çfarë. Uroj madamat epshmëdhaja të cilat përdhunimin e shohin jo si diçka të kobshme pikërisht këto madamat që vijnë erë qelb e që quhen deputete, t’ju bëjnë ndonjë dush syve që të kuptojnë se jo të gjithë janë si ju.


Në këto kohë pa diell, u kris shpirti i një vajze të mitur e cila nuk shijoi  gazin e moshës, nuk shijoi lojën me shoqet, nuk shijoi ekskursionet në natyrë, kësaj vajze iu vra gjumi i pafajshëm dhe për këtë duhen dënuar fajtorët. Për këtë vajzë do ul sytë sa herë do të shoh lajmet me mendimin se sa keq që jetojmë në një vend ku zemrat na i plasin si qelqi n’zjarr.


(Erisa Sipri për Portalin Shkollor)

4,792 Lexime
5 vjet më parë