Ngjarja

Pezullohen nga detyra dy mësueset e përfshira në konfliktin e ditës së djeshme pranë shkollës “Andon Zako Cajupi”

Nga ana e Zyrës Vendore të Arsimit Parauniversitar në Tiranë është njoftuar pezullimi nga puna i dy mësueseve të gjimnazit “Andon Zako Cajupi”, pasi ditën e djeshme ato janë përfshirë në një konflikt jashtë ambienteve të shkollës. Ndërkohë po punohet për zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Menjëherë pasi ka konfirmuar zyrtarisht nga organet kompetente përfshirjen e dy mësueseve të shkollës së mesme “Andon Zako Cajupi”, në ngjarjen e ndodhur ditën e djeshme jashtë ambienteve të shkollës, Zyra Vendore e Arsimit Parauniversitar Tiranë ka kërkuar nga Institucioni Arsimor mbledhjen urgjente të komisionit të etikës për vlerësimin e rastit në fjalë. 


Komisioni menjëherë pas kërkesës mori vendimin për pezullimin nga puna të dy mësueseve, Domenika Toptani dhe Elida Qenami, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes.


Në njoftimin e saj publik Zyra Arsimore thekson se: 

"Dëshirojmë të garantojmë opinionin publik dhe prindërit e nxënësve në veçanti se për çdo punonjës arsimor i cili përfshihet në ngjarje që cenojnë integritetin e profesionit, apo figurën e lartë të mësuesit, institucionet tona do të veprojnë pa asnjë tolerim, duke u mbështetur në aktet ligjore dhe nënligjore në fuqi".




© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.

3,403 Lexime
3 vjet më parë