
Nisin punimet për shkollën e re në Astir, pjesë e investimeve në infrastrukturën arsimore
Në zonën e Astirit po ndërtohet një shkollë e re me standarde europiane për 900 nxënës, që do të përfshijë edhe çerdhe e kopsht. Investimi, i mbështetur nga qeveria, është një premtim i mbajtur për komunitetin dhe synon përmirësimin e infrastrukturës arsimore në zonë.
Në një nga hapësirat urbane që po njeh një zhvillim të jashtëzakonshëm që ndodhet në njësinë Administrative 14, po hidhen themelet për ndërtimin e një shkolle të re, e cila do të funksionojë bashkë me kopshtin e ri dhe çerdhen e re.
Shkolla e re po ndërtohet në rrugën “Muharrem Çaushi” dhe është një investim i qeverisë shqiptare në përgjigje të nevojës së komunitetit të Astirit.
Kryeministri, Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe Kryetarja në detyrë e Bashkisë së Tiranës, Anuela Ristani inspektuan nga afër punimet për ndërtimin e shkollës së re.
Gjatë inspektimit, Kryeministri Edi Rama deklaroi:
“Duhet të ecim me një plan të ri për caktimin e objekteve arsimore për Tiranën që të shoqërohet edhe me shpronësimet ose me partneritetet kur marrim lejen e ndërtimit që të lëshojnë territor për shkollën. Ndërsa për çerdhet duhet të vazhdojmë për të marrë hapësirë të brendshme në godina për çerdhet.”
Kjo shkollë po ndërtohet në përputhje me të gjitha standardet e Bashkimit Europian, për një kapacitet prej 900 nxënësish, me 30 klasa, 8 laboratorë, terrene sportive, palestër, bibliotekë dhe hapësira të gjelbëruara, duke respektuar edhe nevojat e nxënësve apo personave me aftësi ndryshe.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, tha gjatë inspektimit se kjo është një shkollat e reja që i shtohen zonave në zhvillim dhe lagjeve të reja të Tiranës.
"Do të jenë 900 nxënës kryesisht në gjithë ciklin e arsimit 9-vjeçar, por do të kemi edhe dy klasa parashkollore dhe kjo është shumë e rëndësishme se gjithë ata nxënës apo fëmijë të vegjël të cilët duhet të shkojnë në kopsht edhe në pamundësi mund të kapin ciklin parashkollor dhe të futen direkt këtu. Do të kemi edhe klasën burimore për nxënësit me aftësi ndryshe dhe tashmë jemi duke e përfshirë në të gjitha shkollat si një standard të vendosur, duke qenë se kemi edhe mësuesit ndihmës. Ndërkohë që përsa i përket stafit mësimor tashmë me reduktimin e shkollave me dy turne, ku kemi reduktuar mbi 50% shkollat me dy turne, kanë mbetur vetëm 25 shkolla të cilat me rritjen e kapaciteteve dhe me ndërtimin e shkollave të reja, 5 janë në ndërtim ku kemi dhe zgjerim kapacitetesh, besoj që do t’i eliminojmë në katërvjeçarin e ardhshëm. Ky është një premtim i mbajtur dhe gjithë komuniteti i Astirit. është shumë i kënaqur me këtë realizim të këtij investimi Ndërkohë që do të kemi edhe 9-vjeçaren dhe shkollën e mesme në Kashar, e cila është afër dhe kemi edhe shkollën ‘Kol Jakova’ në njësinë 11, ç’ka bëhet një shpërndarje shumë e mirë për të gjithë. Pozicionimi i shkollës mes Bulevardit të Kasharit dhe rrugës 'Muharrem Çaushi' është përzgjedhur në mënyrë që t’i shërbejë komunitetit jo vetëm si një institucion arsimor, por edhe si një hapësirë komunitare", tha Ogerta Manastirliu.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Fiqiri Çifliku: Ndryshimet e reja në vendimin për transportin e nxënësve dhe punonjësve arsimor
Fondi i pyetjeve për provimin e licencës, për të gjitha profilet
QSHA: Regjistrimet për licencën e mësuesisë deri më 7 prill, provimi do të zhvillohet në muajin maj, ja procedurat