Përurohet në "Shkollën shqipe - Zvicër" seria e librave të klasikut për fëmijë, Bedri Dedja
Një aktivitet i veçantë letrar u organizua nga "Shkolla shqipe - Zvicër" kushtuar shkrimtarit Bedri Dedja, klasikut të letërsisë shqipe për fëmijë. Botuesja Rita Petro siguroi se ALBAS do të vazhdojë të kontribuojë në zhdukjen e kufijve përmes teksteve.
"Shkolla shqipe - Zvicër" organizoi ditën e premte një mbrëmje kulturore kushtuar shkrimtarit Bedri Dedja, klasikut të letërsisë shqipe për fëmijë.
Në këtë ngjarje kulturore morën pjesë dhe performuan me lexime nxënësit e shkollave shqipe në Regensdorf, Wetzikon, Uster, Rüti, Volkestwil, Fehraltorf dhe Schwerzenbach të kantonit të Cyrihut dhe të pikave shkollore në Neuenhof dhe Spreitenbach të kantonit të Argaut.
Programi u hap me këngën “Moj Arbëri” të kënduar nga nxënësja e shkollës shqipe në Neunhof, Melisa Selimi.
Pastaj përshëndeti ngjarjen znj. Suela Jorgaqi, drejtoreshë në Bibliotekën “Pestalozi” në Cyrih, ku dhe u zhvillua mbrëmja kulturore.
Në fjalën e rastit, znj. Suela Jorgaqi përshëndeti aktivitetin dhe foli për rëndësinë e librit dhe lidhjen bibliotekë-shkollë-nxënës.
Në mbrëmje ishte e pranishme Znj. Rita Petro, drejtoresha e shtëpisë botuese ALBAS, botuese e shkrimtarit Bedri Dedja.
Znj. Petro u ndal veçanërisht në prezantimin e botimeve të shkrimtarit Bedri Dedja, të botuara nga shtëpia botuese ALBAS, në veçoritë e krijimtarisë së tij, si dhe në rëndësinë e njohjes me veprat klasike të letërsisë për fëmijë.
Po ashtu, ajo u shpreh se ndihet e prekur nga interpretimi i fëmijëve në gjuhën shqipe, kryesisht të lindur dhe të rritur jashtë atdheut, si dhe nga përkushtimi i prindërve dhe mësuesve për t'u mësuar atyre gjuhën amtare.
Si botuese siguroi se shtëpia botuese ALBAS do të vazhdojë të kontribuojë në zhdukjen e kufijve përmes teksteve, gjë që ka qenë synimi i shtëpisë botuese që kur është krijuar.
E bija e shkrimtarit, Znj. Edlira Dedja, ishte pjesë e panelit dhe risolli dhe një herë kujtimin e të atit, si prind, si shkrimtar, si dhe si foli më gjerësisht për figurën e tij intelektuale.
Po ashtu ishin të pranishëm Z. Valon Gashi, konsull i Ambasadës së Republikës së Shqipërisë në Zvicër, dhe Zj. Shukrije Ramadani, konsulle e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Zvicër, të cilët mbajtën përshëndetjet e rastit dhe përgëzuan organizatorët për realizimin e aktivitetit.
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
"Fausti" Gëte - lexim i komentuar nga Rita Petro (Pjesa II)
Verë 2020, Sevi Lami Agolli: Librat që duhet të shoqërojnë pushimet tuaja
Albas organizon “VenusFest” për muajin Mars, aktivitete të larmishme dhe dhurata