Analizë

Përse mësuesit e shohin si vështirësi Maturën Shtetërore dhe çfarë çalon në këtë proces?

Shkrimi më poshtë është një analizë mbi procesin e Maturës Shtetërore. Mësuesja Alma Mara pasqyron nëpërmjet tij problematikat që hasen por jep edhe sugjerime për zgjidhje të mundshme, në mënyrë që maturantët të vlerësohen me meritë dhe jo nga fati, rastësia apo kopja.

Matura Shtetërore përveçse njihet si sistemi i testimit të gjimnazistëve, konsiderohet edhe si matëse e fatit të tyre lidhur me përkatësinë universitare.

Çdo vit, pas realizimit të provimeve të maturës, maturantët ( pjesa më e madhe e tyre) ngrenë pretendimet mbi nivelin e testeve dhe shkallën e vështirësisë së tyre. 

Këto pretendime përshkallëzohen edhe më shumë menjëherë pas procesit të vlerësimit të testeve ku dukshëm shihen vlerësime të çuditshme apo të paparashikuara. 

Çdokush që është i papërfshirë në këtë proces, sigurisht që e ka gati akuzën ndaj shkollës, sistemit arsimor, nxënësve, administratorëve të provimeve... 

Më "fatlumët", ata që fitojnë një notë shumë më të lartë se pritshmëritë dhe mundi i tyre, "zerojnë" paaftësitë dhe pasivitetin e tyre gjatë kohës së gjimnazit duke shtuar peshën e vlerësimit të tyre me mesataren e provimeve të maturës. Ky kontingjent nxënësish që çuditen edhe vetë nga progresi i arritjeve të tyre, janë studentët që mbushin auditorët e universiteteve me defiçenca të konsiderueshme në njohuri. 

Pjesa tjetër e nxënësve, ajo që ka punuar dhe studiuar për tri vite me radhë, radhiten midis studentëve të pafatë, plot njohuri, por me një barrë penalizuese nga një proces që vlerëson kopjacin dhe fatlumin në provime.

Në armatën e këtyre nxënësve janë pikërisht ata që përzgjedhin universitetet e huaja dhe universitetet private të cilët e shpërblejnë me bursë mbështetëse mundimin dhe mesataren e tyre të tri viteve të gjimnazit.


Çfarë çalon në këtë proces dhe përse mësuesit e shohin si vështirësi Maturën Shtetërore?


Matura Shtetërore përgatitet, administrohet nga hallka që duhet të ishin ndryshe nga ç'janë. A do ishte më mirë sikur Matura Shtetërore të zëvendësohej me një komision provimi në çdo gjimnaz? Shkollës, që përgatit nxënësin për tri vite mos i është dhënë vetëm roli i " rojës" në provime dhe të ekspertit kontabël të shqyrtimit të rezultateve pas provimit?


Përvoja e mësuesve, kualifikimet e tyre, pesha e vlerësimit të tyre për tri vite, nuk janë kritere të mjaftueshme për të matur arritjet e nxënësve? 


Shkolla, e cila mat performancën e nxënësit për 3 vite, nuk ka aftësinë dhe infrastrukturën për të organizuar komisione të posaçme për të testuar nxënësit? 


Fondet për pagesën e korrigjuesve të testimeve a nuk mund të përdoren për të ndërtuar një sistem administrimi provimesh brenda shkollave?


Brenda këtij fondi pyetjesh, është bindja se brenda çdo shkolle ka mësues të aftë, vlerësues objektivë, administratorë korrektë, që njohin dhe dinë të finalizojnë më së miri një proces si Matura Shtetërore.  


Testimi i zhvilluar me shkrim dhe me gojë përballë një komisioni mësuesish do të ishte kurimi më i mirë i çdo problematike që ka evidentuar Matura Shtetërore prej vitesh.


Të rinjtë nuk mund të lihen edhe për më shumë kohë në lojën e fatit ku kopjaci rrëmben meritën dhe mundin e tri viteve të më të mirit. Përballë një situate të tillë askush nuk do të ndërmerte iniciativën të vinte në peshore notat sipas qyteteve e fshatrave por dhjeta dhe katra do të peshonin kudo njëlloj.


Përballë një situate të tillë në universitete do të kemi nxënësit që i vlerësuam ne dhe jo fati, rastësia apo kopja.



Nga Alma Mara

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

3,354 Lexime
2 vjet më parë