MATURA SHTETËRORE 2019

Përgatitjet e maturës shtetërore 2019

E ndërsa maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet finale për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019, autoritetet e arsimit kanë konfimruar edhe ndryshimet që do të ketë teza e provimit.

E ndërsa maturantët kanë nisur tashmë me përgatitjet finale për provimet e detyruara dhe ato me zgjedhje të Maturës Shtetërore 2019, autoritetet e arsimit kanë konfimruar edhe ndryshimet që do të ketë jo vetëm teza e provimit, por edhe forma e korrigjimit të tyre.


Për të orientuar maturantët në lidhje me strukturën dhe llojin e pyetjeve të provimeve, Qendra e Shërbimeve të Arsimit ka zbardhur disa modele testesh si për provimet e detyruara, ashtu edhe për provimin me zgjedhje.


Referuar ndryshimeve të bëra saktësohet se testi i lëndëve të detyruara do të vlerësohet në total me 60 pikë. Koha për zhvillimin e pyetjeve të testit do jetë 2 orë e 30 minuta. Secila tezë e provimi do të ketë në përmbajtje 20 pyetje me zgjedhje (alternativa) dhe pyetjet e tjera do jenë me zhvillim dhe arsyetim.


Sa i takon vlerësimit të testeve, për provimet e këtij viti po diksutohet edhe mundësia e rikthimit të korrigjimit elektronik. Ky model korrigjimi do të zbatohet vetëm për pyetjet me alternativa, ndërsa ato me arsyetim do të vijojnë të korrigjohen nga mësues të përzgjedhur.


Struktura e testit të gjuhës shqipe dhe letërsisë

Duke qenë se provimet e Maturës Shtetërore zhvillohen me shkrim, kompetencat gjuhësore dhe letrare që do të vlerësohen janë: Të lexuarit e teksteve të ndryshme, të shkruarit për qëllime personale dhe funksionale, përvetësimi i rregullave gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit, analiza dhe interpretimi i teksteve të gjinive dhe të llojeve të ndryshme letrare, vlerësimi i letërsisë shqipe dhe asaj botërore në periudha të ndryshme letrare dhe historike.


Referuar këtyre përcaktimeve, testi do të jetë i strukturuar në tre pjesë. Pjesa e parë do të ketë në përmbajtje një tekst joletrar dhe njohuritë e aftësitë gramatikore, drejtshkrimore dhe të pikësimit. Teksti joletrar (mund të jetë përshkrues, rrëfyes, informues paraqitës dhe argumentues) do të jetë i panjohur për nxënësit.


Pyetjet për njohuritë dhe aftësitë gramatikore, drejtshkrimore e të pikësimit do të integrohen me tekstin joletrar. Pjesa e dytë do të ketë në përmbajtje një tekst letrar, fragmentet e të cilit do të merren nga veprat letrare që janë përcaktuar në programin orientues.


Ndërsa pjesa e tretë e testit përfshin esenë. Kjo e fundit dëshmon formimin gjuhësor dhe letrar të nxënësit. Tema e esesë mund të lidhet me njërën nga pjesët që janë në përmbajtje të testit.


Struktura e testit të matematikës

Edhe testi i matematikës vlerësohet në total me 60 pikë. Testi ka në përmbajtje 20 pyetje me zgjedhje (alternativa) dhe pyetjet e tjera janë me zhvillim dhe arsyetim. Në pyetjet me zgjedhje duhet të rrethoni vetëm shkronjën përbri përgjigjes së saktë, ndërsa për pyetjet me zhvillim është dhënë hapësira e nevojshme për të shkruar përgjigjen.


Bazuar në kurrikulën që nxënësit kanë zhvilluar në shkollë, përmbushja e kompetencave matematikore që një nxënës duhet të zotërojë përgjatë gjithë zhvillimit të lëndës dhe jo vetëm, arrihet nëpërmjet 5 tematikave kryesore që janë: numri, matja, gjeometria, algjebra dhe funksioni (përfshirë derivatin dhe integralin), statistika dhe probabiliteti. Për secilën tematikë është paraqitur pesha që zë secila prej tyre në përmbajtjen e pyetjeve që do të ketë teza finale e këtij provimi. Konkretisht pyetjet rreth tematikës së numrit zënë


17 për qind të tezës, pyetjet rreth matjes 15 për qind, pyetjet gjeometrisë rreth 13 për qind, pyetjet rreth algjebrës dhe funksionit 38 për qind, ndërsa pyetjet rreth statistikës dhe probabilitetit rreth 17 për qind të përmbajtjes së testit.


Struktura e provimit të gjuhës së huaj

 Autoritetet e arsimit bëjnë me dije se testi i gjuhës së huaj do të jetë i strukturuar në tre pjesë që janë: Të lexuarit dhe të kuptuarit e një teksti të shkruar që do ketë në përmbajtje rreth 50 për qind të pyetjeve, përdorimin e drejtë i gjuhës (gramatika dhe leksiku) që do ketë rreth 28 për qind të pyetjeve, si dhe të shkruarit me 22 për qind të pyetjeve. Testi i gjuhës së huaj hartohet në përputhje me gjuhën, e cila në planin mësimor të arsimit të mesëm trajtohet si gjuhë e huaj e parë. Teza e provimit do të jetë në nivelin gjuhësor që përcaktohet në kurrikul në përfundim të arsimit të mesëm përkatës.


Provimet e Maturës 2019 do zhvillohen në këto data:

• Testi i gjuhës së huaj (D3) do të zhvillohet më 7 qershor.

• Testi i gjuhës shqipe dhe letërsisë (D1) do të zhvillohet me 12 qershor.

• Testi i matematikës (D2) do të zhvillohet në datën 17 qershor.

• Testet e i provimit me zgjedhje do të zhvillohet me 24 qershor.



(Portali Shkollor)

4,142 Lexime
5 vjet më parë