Qëndra e Trajnimeve Albas

Përfundon trajnimi i parë, Albas vijon trajnimet në qytete të tjera

Qëndra e Trajnimeve Albas përfundoi me sukses trajnimet e para me kredite për modulet: “Mësimdhënia me kurrikulat e reja” dhe “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithpërfshirës”.

Qëndra e Trajnimeve Albas përfundoi  me sukses trajnimet e para me kredite për modulet: “Mësimdhënia me kurrikulat e reja” dhe “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithpërfshirës”. 


Trajnimet u zhvilluan në mjediset e qëndrës ku u mirëpriten dy grupet e para të mësuesve, të cilët treguan interes dhe u regjistruan duke përfituar certifikatën me 1 kredit, si pjesë e detyrueshme e dosjes së mësuesit. Mësuesit pjesmarrës ishin kryesisht nga Tirana, por edhe qytete të ndryshme të vendit.

Në të dy modulet u trajtuan çështje interesante dhe të rëndësishme për secilën nga fushat. Moduli “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuara në arsimin gjithëpërfshirës”  trajtoi çështje të tilla si:


- Kuptimi mbi përfshirjen e fëmijëve me AK, këndvështrimi historik, kërkesat ligjore dhe integrimi i saj si një domosdoshmëri e sistemit të edukimit dhe fëmijëve në vështirësi për t’ia dalë.

- Fëmijët me aftësi të kufizuar: llojet, vlerësimi, trajtimi, aktorët pjesëmarrës në vlerësim dhe trajtim. Sfidat dhe dilemat në përfshirje. 

- Vlerësimi i nevojave të fëmijëve me AK dhe ardhja në ndihmë e këtyre nevojave me programe te dedikuara. Programet e Edukimit Individual (PEI) dhe zhvillimi i objektivave brenda klasës. Teknikat dhe shkathtësitë e mësueseve në realizimin e objektivave. 

Moduli “ Mësimdhënia në kurrikulat e reja” trajtoi çështjet e mëposhtme:


- Mësimdhënia dhe të nxënët bazuar në kompetenca.

- Konceptimi i orës mësimore bazuar në kompetenca.

- Reflektimi i metodave të mësimdhënies - nxënies ndaj programeve të hartuar mbi kompetencat e synuara nga nxënësit 

- Kuptimi mbi situatën e të nxënit . Mënyrat e përpilimit dhe paraqitjes së tyre në lëndë të ndryshme.

- Roli i mësuesit për arritjen e rezultateve të të nxënit, të synuara në kompetenca, në lëndë të ndryshme.

Gjatë seancave të pushimit, mësuesit  evidentuan ato aspekte të trajnimit të cilat kishin tërhequr vemendjen si: profesionalizmi i trajnerëve, materialet e bollshme dhe të pasura me informacion, shembujt praktikë dhe puna në grupe, mjediset e këndshme të punës  si dhe mikpritja  që ofronte qendra. Gjithashtu, mësuesit të cilët ishin pjesë e modulit “ Pjesëmarrja e nëxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës”, pohuan domosdoshmërinë e trajnimeve të tilla, pasi  edhe pse shërbenin si mësues ndihmës prej dy vitesh, ata  nuk kishin realizuar trajnime të kësaj natyre.  Komunikimi me trajneren Denata Toçe ishte shumë i frytshëm, pasi shpesh ajo është ndalur edhe në  vështirësitë që mësuesit  hasnin rast pas rasti në përditshmërinë e tyre në shkollë. 

Trajnimi  për modulin “Mësimdhënia në kurrikulat e reja” demonstroi, që edhe pse është  një temë e trajtuar shumë kohët e fundit, mësuesit ndiejnë nevojën  për të folur  rreth  aspekteve të ndryshme të kurrikulës, për të shkëmbyer eksperiencat dhe për t’u përmirësuar. Nisma “tri lëndë në gjashtë orë” ka risjellë në vëmendjen e tyre nevojën dhe rëndësinë e përdorimit të librit digjital në orën e mësimit, duke theksuar format konkrete të ilustrimit të mësimit  dhe veçanërisht efikasitetin që kanë materialet të cilat ndërtojnë situatën e të nxënit. Trajnerja Natasha Poroçani rezervoi kohën për të dëgjuar pyetjet e mësuesve dhe për t’iu përgjigjur atyre.

Pas testimit përfundimtar mësuesit u pajisen me certifikata të cilat përmbajnë 1 kredit i nevojshëm për të plotësuar zhvillimin profesional  të mësuesit brenda një viti shkollor sipas udhëzimit të MASR, Nr 1 datë  20.01.2017. 

Qëndra e Trajnimeve Albas do të vijojë trajnimet në të gjitha qytetet e Shqipërisë, duke prezantuar tre modulet e akredituara nga Instituti i Zhvillimit të Arsimit (IZHA):  “Menaxhimi i klasës”, “Mësimdhënia me kurrikulat e reja” dhe “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithpërfshirës”.

Qëndra e Trajnimeve Albas kujdeset të plotësojë të gjitha kushtet për zhvillimin e trajnimit në mjedise të përshtatshme dhe  të paisur me të gjitha mjetet e nevojshme për trajnim.

Në datat 16 - 18 mars trajnimet për dy modulet  e akredituara “Menaxhimi i klasës” dhe “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës” do të  zhvillohen në Elbasan në Qendrën “Danida” (pranë gjimnazit “Vasil Kamami”) në orën 14:00. 

Me 23 mars në orën 14:00 trajnimet zhvillohen në Durrës. Ju mund të zgjidhni mes dy moduleve se cilin prej tyre do të ndiqni “Menaxhimi i klasës” ose “Përfshirja e nxënësve me aftësi të kufizuar në arsimin gjithëpërfshirës”. 

Ju mund të zgjidhni mes dy moduleve se cilin prej tyre do të ndiqni dhe të regjistroheni në trajnim Nëse hasni vështirësi gjatë procesit të regjistrimit jeni të lutur të kontaktoni në:  0697070480 ; 0697098026 ; 0692058402 ose në adresën [email protected]


Mbetemi në kontakt për çdo paqartësi apo nevojë që ju keni nëpërmjet numrave të telefonit dhe adresës së e-mailit.


(Portali Shkollor)

5,643 Lexime
6 vjet më parë