Hulumtim

Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e mediave të shkruara

Një pjesë e shkëputur nga hulumtimi i Mentor Hajrizit për përdorimin e fjalëve të huaja në raportimet e medieve të shkruara në Kosovë.

Një pjesë e shkëputur nga hulumtimi i Mentor Hajrizit, për përdorimin e fjalëve të huaja në raportimet e medieve të shkruara në Kosovë.Mentor Hajrizi, ka hulumtuar për fjalët e huaja që përdoren në mediet e shkruara në Kosovë dhe ato i ka paraqitur në një listë të zbërthyera. Për secilën fjalë të përdorur ka një fjalë që i korrespondon në gjuhën shqipe. Hulumtimi i tij përfshin shumë fjalë, por për Portalin Shkollor ai ka përzgjedhur një listë që u përshtatet studentëve dhe nxënësve të shkollave të mesme përgjithësisht.


Pak fjalë mbi fjalët e huaja - në vend të hyrjes 

Fjalët e huaja kanë zënë vend dhe janë duke u përdorur shumë në gjuhën shqipe, sidomos në raportimet e mediave të shkruara. 

Në shtypin tonë, jo vetëm në organet gjuhësore e periodike, por edhe në shtypin e përditshëm, janë botuar dhe vazhdojnë të botohen artikuj e materiale të ndryshme për këtë çështje. Këto kanë dhënë dhe japin ndihmesë të madhe rreth gjuhës. Në fazën e sotme të zhvillimit të gjuhës letrare, kur kjo gjuhë është bërë pronë e masave të gjera punonjëse dhe kur edhe terminologjia teknike e shkencore ka marrë një përdorim mjaft të gjerë, del nevoja që puna për pastrimin e gjuhës letrare kombëtare nga huazimet e panevojshme të marrë një karakter më të organizuar dhe përmasa më të gjera (Kelmendi, 2000:3).

Në ditët tona bëhen përpjekje për t’i nxjerrë jashtë përdorimit fjalët e huaja, kur për to kemi fjalë shqipe e më të njohura, që kanë plotësisht të njëjtin kuptim. Sipas disa studiuesve, ndër të tjera, siç thekson Thomai (2002), fjalët e huaja e pasurojnë gjuhën, sipas të tjerëve ato e prishin, prandaj duhen nxjerrë të gjitha nga përdorimi. Në këtë çështje duhet mbajtur një qëndrim i drejtë dhe i mbështetur shkencërisht. E vërteta është se fjalët e huaja e prishin gjuhën kur pranohen e përdoren pa nevojë. Nuk duhen të merren e të përdoren fjalë të huaja në gjuhë kur kemi fjalët tona, veçse në ato raste kur ato sjellin një kuptim të ri, një nuancë të re, një ngjyrim emocionues a stilistik etj., që nuk e japin mjetet e shqipes. Në gjuhën tonë ndodh që brenda çerdhes së fjalëve të huazuara, disa fjalë janë zëvendësuar me fjalë shqipe, kurse disa të tjera të së njëjtës çerdhe jo, meqenëse nuk janë formuar ende fjalë gjegjëse, p. sh.: nacion, nacional dhe internacional janë zëvendësuar me komb, kombëtar dhe ndërkombëtar, kurse nacionalist, internacionalist e nacionalizëm nuk janë zëvendësuar ende.


Disa prej fjalëve të huaja, sipas Thomait, sot jo vetëm që përdoren shpesh në raportimet e mediave tona, po edhe në shumë fusha të ngushta, siç bie fjala:



Fjalë e huaj
Shqip
Fjalë e huaj
Shqip
Abonim
Abrogoj 
Adio 
Adapt
Afirmoj
Aman
Apel
Aprovoj
Avangardë
Brutal
Decidoj
Deciziv 
Dedikoj
Definicion
Definitiv
Determinoj
Diferencë
Eksperiencë
Ekzagjeroj
Ekzakt
Eksigjent
Maksimal
Perfekt
Prioritet
Reflektoj
Respektoj
Sinjal
Triumf
Progres
Paraelektorale
Solid


Special
Certifikatë 
Preferim 
Ad hoc

Prezantim
Verifikim 
Ekzistencë 
Implikim
pajtim
shfuqizoj
lamtumirë
i përshtatshëm
pohoj
të lutem
thirrje
miratoj
pararojë
i vrazhdë
vendos
vendimtar
kushtoj
përkufizim
përfundimtar
përcaktoj
ndryshim (dallim)
përvojë
e teproj, e zmadhoj
i përpiktë
kërkues
më i lartë
i përkryer
përparësi
pasqyroj
nderoj
shenjë
fitore
përparim
parazgjedhjesore
i fortë, i qëndrueshëm,
i shëndoshë, i thellë, i ngurtë
veçantë, posaçëm
vërtetim, dëshmi
parapëlqim, pëlqim
për këtë qëllim, aty për aty, posaçëm
paraqitje, njohje
vërtetësim
qenie, jetesë, jam, jetoj
ngatërrim, përzierje
Eliminoj
Eveniment
Evident 
Evitoj
Fals
Frekuentoj
Indinjatë
Indipendencë
Influencë
Influencoj
Iniciativë  
Insistoj  
Injorancë
Karshi   
I komplikuar
Konkluzion
Konsideroj
Konsiston
Kualitet
Kuantitet
Kurioz   
Minimal
Prezent  
Racional
Refuzoj
Sinqeritet
Superioritet   
Unanimisht
Angazhim 
Territor
Destinacion
Alarm

Aktivitet
Hezitim 
Trotuar
Aplikim 
Kontakt
Divergjencë
zhduk (çrrënjos)
ngjarje
i qartë (i dukshëm)
shmang
i gënjeshtër (i rremë)
ndjek
zemërim
pavarësi
ndikim
ndikoj
nismë
ngul këmbë, këmbëngul
padituri
kundrejt
i koklavitur
përfundim
e quaj
qëndron
cilësi
sasi
kureshtar
më i ulët
i pranishëm
i arsyeshëm
kundërshtoj
çiltërsi
epërsi
njëzëri
zotim
truall, tokë
përcaktim, caktim
kushtrim (figurativisht: shqetësim i madh)
veprimtari
ngurrim
këmbësore
zbatim
takim (lidhje)
mospajtim, mosmarrëveshje, mospërputhje


Puna për pastrimin e shqipes nga byku i fjalëve të huaja, si ato që i vështruam më sipër, duhet të jetë e këmbëngultë dhe e vazhdueshme, konstaton Murati (2000), sepse kjo ka një vlerë edhe kombëtare. Sa kohë që duam që shqipja e sotme të jetë një gjuhë moderne, thotë ai, të shkojë krah për krah me shoqet e saj të tjera, ne duhet që këtë gjuhë ta njomim me fjalësin e saj të vendit; por në këtë punë do të fusim edhe huazime të gjuhëve të tjera që janë të domosdoshme, sidomos nga ato që shënojnë koncepte të reja moderne, e jo çfarëdo huazimi. Në arën e leksikut, shprehet ai më tej, shqipja është e mbushur me fjalë të huaja si me bishta miu e me barishte të tjera të këqija. 


Në këtë rast, gjuha standarde shqipe, me leksikun dhe me koloritin shprehës të saj, sipas Milazim Krasniqit, ofron mundësi jashtëzakonisht të mëdha për një gazetari të nivelit të lartë. Me këtë pikëpamje, Krasniqi na bën të kuptojmë se gjuha shqipe është e pasur dhe secili që e sheh veten në veprimtarinë e gazetarit duhet t’ia zgjojë vetes ndjenjën e gjuhës së vet amtare. Siç kuptojmë nga kjo, në raportimet e mediave tona, kështu edhe do të ruhej gjuha shqipe, pa u dhënë aspak hapësirë për fjalët e huaja të panevojshme.

Kultivimi i ndjenjës për gjuhën amtare bëhet në anën e leximit të vazhdueshëm (Krasniqi, 2008:92).


Gazetarët, nga ana tjetër, pohon Bardh Rugova (2009), shpeshherë ndiejnë nevojë të huazojnë shprehje nga gjuhë të tjera. Në gazetat e Kosovës huazimet e këtilla realizohen kryesisht në shkrime, ku burimi ka qenë folës i një gjuhe të huaj ose ku burimi ka qenë një medium tjetër në gjuhë të huaj (gjatë përkthimit). Veç kësaj disa autorë e ndiejnë nevojën “për t’u treguar” dhe qëllimisht shfrytëzojnë fjalë e shprehje të huaja, pa e marrë parasysh fare qëndrimin e lexuesit.


Në përpjekjen për ta ruajtur gjuhën amtare nuk është e nevojshme të shkojmë aq larg sa francezët, të cilët nxorën një ligj të veçantë, ligjin Toubon, që kërkonte t’i ndalonte anglicizmat nga përdorimi gjuhësor. Pasi edhe ligji në këtë rast nuk ka më shumë efekt sesa një apel, për t’i përdorur me kursim fjalët e huaja, sidomos për të hequr dorë prej tyre aty ku gjuha amtare i shpreh gjërat dhe rrethanat më qartë e më kuptueshëm (Mohl-Russ, 2010:85).


Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e gazetës Epoka e re 

Gazeta Epoka e re, gjatë raportimeve të veta u jep hapësirë fjalëve të huaja. Këtë e vërejmë qartë edhe në shkrimet e botuara të kësaj të përditshmeje të pavarur, me nr. 4 059. Nga kjo gazetë kemi shkëputur disa fjalë të huaja dhe ato po i paraqesim me shembuj konkretë: 


Shembulli I: 12 vjet pas nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje Ahmeti ka thënë se është arritur progresnëshumë fusha për shqiptarët e Maqedonisë... (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 2)

PROGRES, ~ I m. Kjo fjalë, që zë fill nga kjo temë e burimit latin, përdoret kryesisht në gjuhën librore. Fjalën progres, të cilën FGjSSh e shpjegon: Prirje e përgjithshme zhvillimi, ecje përpara, kalim në një shkallë më të lartë, përparim, e zëvendëson fjala shqipe përparim, të cilën edhe FGjSSh e jep si sinonim pas shpjegimit, p. sh.: Përparim ekonomik(shoqëror).Në rrugën e përparimit (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:112). 


Shembulli II: Vlerësohet angazhimi i OSBE-së për zgjedhjet në veri. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 6) 

ANGAZHIM, ~I m. sh., ~E, ~ET. Ështëfjalë e ligjërimit libror me temë nga frëngjishtja. FGjSSh i ka përfshirë por, sipas kuptimeve e përdorimeve, herë i ka çuar te fjalët shqipe, herë i ka shpjeguar e herë ka dhënë për to sinonimet gjegjëse. Emri foljor angazhim në kuptimin themelor është zëvendësuar tashmë me zotim, p. sh.: Marr zotim. Plotësimi i zotimeve (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:16).


Shembulli III:... Ka vlerësuar se kjo periudhë paraelektorale është jashtëzakonisht e rëndësishme për vendin dhe shoqërinë, për faktin se për herë të parë këto zgjedhje mbahen në territorin e Kosovës. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 7) 

ELEKTORAL, ~E mb. Është fjalë e huazuar nga gjuhët neolatine. Si term është zëvendësuar me fjalën shqipe zgjedhjesor, ~ e, që e ka edhe FGjSSh dhe me emrin zgjedhje në rasën gjinore, p. sh.: Fushata zgjedhjesore (e zgjedhjeve). E drejta zgjedhjesore (e zgjedhjeve).

Edhe TERRITOR, ~ I m. Është fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine. Këtë fjalë e ka edhe FGjSSh dhe FShS por, veç shpjegimit, japin edhe fjalët gjegjëse në gjuhën tonë: truall, tokë për territor, ndërsa tokësor për territorial, p. sh.: Truall kombëtar. Ujërat tokësore (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:55-133). 


Shembulli IV: Thaçi pret pjesëmarrje solidetë serbëve në zgjedhje. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 7) 

SOLID, ~E. Këtë fjalë me prejardhje nga gjuhët neolatine FGjSSh dhe FShS nuk e kanë. Për mbiemrin solid shqipja ka, sipas rastit, fjalët i fortë, i qëndrueshëm, i shëndoshë, i thellë, i ngurtë, p. sh.: Dije të qëndrueshme (të thella, të shëndosha). Mbështetja e shëndoshë (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:124). 


Shembulli V:... Destinacione kanë Portin e Tivarit në Mal të Zi. (Epoka e re, 14 gusht 2013, f. 9) 

Fjalët e huaja si destinoj, destinohet, destinim, i destinuar dhe destinacion nuk kanë asnjë arsye që të përdoren në mediat tona, ose në gjuhën tonë amtare sepse, sipas autorëve të librit, Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, kuptimin e tyre e japin fare mirë fjalët shqipe, si: paracaktoj, përcaktohet, përcaktim, i përcaktuar dhe caktoj, i caktuar.


Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e gazetës Zëri 

As në gazetën e përditshme Zëri nuk mungojnë fjalët e huaja. Kjo gazetë, siç kemi vështruar në numrat e saj të botuar, nr. 4 335 dhe nr. 4 339, ka përdorur fjalë të shumta, të cilat janë të marra nga gjuhë të ndryshme, pa pasur aspak nevojë të përdoren. Nga këta dy numra po të kësaj gazete, kemi marrë pesë shembuj dhe, si të tillë, edhe i kemi veçuar: 


Shembulli I: I dërguari special i Gjermanisë për Europën Juglindore, Turqinë dhe shtetet e EFTA-s, Erns Reichel. (Zëri, 14 gusht 2013, f. 2) 

Sa i përket mbiemrit SPECIAL,sipas një Cikli leksionesh dhe përmbledhje leximesh (Prishtinë), si botim i parë, në gusht të vitit 2005, kuptojmë se në shqip kjo fjalë e ka kuptimin veçantë (i/e) dhe posaçëm (i/e).


Shembulli II:... alarmojnë se produktet... (Zëri, 14 gusht 2013, f. 7)

ALARM, ~I m, ALARMOJ kal. Këto janë çerdhe fjalësh me temë të huazuar nga italishtja. Në FGjSSh pasqyrohen me disa kuptime e njësi frazeologjike. Alarm, si term ushtarak që mbart edhe kuptimin fillestar të fjalës, po zëvendësohet me fjalën shqipe kushtrim, p. sh.: Kushtrim luftarak. Kushtrim ajror. Si term ushtarak me kuptimin “jap kushtrimin, ngre në kushtrim” mund të përdoret edhe folja kushtrimoj. Në kuptimin e figurshëm shumë herë mund të zëvendësohet me togun shqetësim i madh, p. sh.: Shkaktoi (ngjalli) shqetësim të madh. 

Edhe fjalët alarmoj, alarmohem, i alarmuar, që janë formime të shqipes me temë të huazuar, mund të zëvendësohen me fjalë e shprehje të shqipes, si: shqetësoj ose shqetësoj shumë; shqetësohem ose shqetësohem shumë; i shqetësuar ose shumë i shqetësuar, p. sh.: Kushtrimoj gjendjen. Shqetësohem për shëndetin. Dukej i shqetësuar (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:13-14).


Shembulli III: Disa madje i merrnin certifikatat nga nëpunësit komunalë edhe përmes dritareve. (Zëri, 14 gusht 2013, f. 8) 

CERTIFIKAT/Ë, ~A f. Është fjalë e stilit zyrtar me prejardhje nga gjuhët neolatine. FGjSSh (1980) e shpjegon, kurse FShS (1984) e jep vetëm me dy sinonime shqipe, që e mbulojnë atë në të gjitha kuptimet e përdorimet: vërtetim, dëshmi, p. sh.: Dëshmi shkollore. Dëshmia e lindjes. Në Fjalorin e termave të së drejtës fjala certifikatë është zëvendësuar, sipas kuptimeve të saj, me fjalët dëshmi dhe vërtetesë (p. sh.: vërtetesë trashëgimie). Fjala vërtetim është më mirë të përdoret me kuptimin e veprimit të foljes përkatëse, p. sh.: Vërtetimi i një dokumenti (i një pohimi). Vërtetimi i teoremës (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:35).


Shembulli IV:... në komunën e Pejës janë duke vazhduar aktivitetetpër përgatitjen e shkollave për të pritur nxënësit e tyre në muajin shtator (Zëri, 14 gusht 2013, f. 15)

AKTIVITET, ~I m. Edhe pse me burim të huaj, ka ende një përdorim relativisht të gjerë sidomos në letërsinë politiko-shoqërore. Në njëjës po përdoret me sukses fjala shqipe veprimtari, por në numrin shumës përdoret ende fjala e huaj aktivitetet. Edhe në shumës nuk ka asnjë arsye që ta përligjë fjalën e huaj, prandaj duhet të zërë vend fjala shqipe. Pra, mund të thuhet e të shkruhet fare bukur: Veprimtaritëkulturore etj.(Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:12).


Shembulli V: PDK nuk preferon kamera në vendvotime. (Zëri, 19 gusht 2013, f. 3) 

PREFEROJ kal. Folja preferoj (preferohem), me temë të huazuar nga gjuhët neolatine, FGjSSh e cilëson si fjalë librore dhe në vend të shpjegimit jep fjalët dhe shprehjet shqipe parapëlqej, pëlqej më shumë, p. sh.: Parapëlqen (pëlqen më shumë) mendimin tënd. Parapëlqejmë (pëlqejmë më shumë) lojërat me dorë (Kelmendi, 2000:4). 


Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e gazetës Koha ditore                                   

Fjalët e huaja gjejnë përdorim jashtëzakonisht të dendur edhe në njërën prej gazetave më të lexuara, e njohur në shtypin ditor të Kosovës si gazeta me nivelin më të lartë në veprimtarinë përkatëse, Koha ditore. Për t’i zbërthyer fjalët e huaja në këtë të përditshme, i kemi marrë po dy numra të botuar të kësaj gazete, numrin 5 817 dhe numrin 5 820. Shembujt e marrë nga kjo gazetë tregojnë edhe më tepër për përdorimin e fjalëve të huaja: 


Shembulli I: Ai ka mohuar që hezitimi i OSBE-së ka ardhur... (Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 3)

HEZITIM, ~I m. Është fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Sipas FGjSSh, në vend të fjalës hezitim dhe hezitoj, përdoren prej kohësh fjalët shqipe ngurroj, ngurrim, p. sh.: Ngurroj ta marr.E bën pa ngurruar. Një çast ngurrimi. E bëri pa ngurrim (Kelmendi,2000:29). 


Shembulli II:... me një vendim “ad-hoc” nga ana e KQZ-së.(Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 3) 

Zbërthimin e fjalës “ad-hoc” në shqip e shpjegon Cikli i leksioneve dhe ai me përmbledhje leximesh (Prishtinë), si botim i parë, në gusht të vitit 2005, ku kuptojmë se në shqip kjo fjalë e ka kuptimin për këtë qëllim, aty për aty dhe posaçëm. 


Shembulli III: Edhe për lirimin e trotuareve... (Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 5)

TROTUAR, ~I m.sh. ~E, ~ET. Vjen nga frëngjishtja. Në vend të saj sot ka filluar të përdoret fjala shqipe këmbësore, që e këshillon edhe FGjSSh, p.sh.: Këmbësore e gjerë. Këmbësore e shtruar me pllaka.Ecnin në këmbësore. Zbriti nga këmbësorja (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:136). 


Shembulli IV: Lëvizja për Bashkim e ka prezantuar të dielën Muratin...(Koha ditore, 2 shtator 2013, f. 6)

PREZANTIM, ~I m. Fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine. Përdoret pa nevojë sidomos në ligjërimin bisedor. FGjSSh nuk i ka këto fjalë dhe në vend të tyre jep fjalët dhe togjet e fjalëve shqipe, përkatësisht: paraqit, njoh me; paraqitem, njihem me; paraqitje, njohje, p. sh.: Po ju paraqit (po ju njoh).Të paraqitemi (të njihemi) (Kelmendi,2000:44).


Shembulli V:... Pas përfundimit të afatit për aplikim...(Koha ditore, 5 shtator 2013, f. 3) 

APLIKIM, ~I m. Është fjalë me temë të prejardhur nga gjuhët neolatine. Folja aplikoj përdoret me kuptimin vë në jetë, vë në veprim, përdor në një rrethanë të caktuar. Këtë kuptim e shpreh me përpikëri fjala shqipe zbatoj, po kështu kuptimin e emrit aplikim e shpreh plotësisht fjala zbatim, p. sh.: Po zbatojnë një metodë të re. Zbatimi i ligjit. Në disa raste, nën ndikimin e gjuhëve të huaja, fjalët aplikoj, aplikim përdoren gabim me kuptimin e fjalëve ushtroj, ushtrim. Në gjuhën shqipe thuhet të ushtrohet noti dhe ushtrimi i notit dhe jo tëaplikohet noti, aplikimi i notit etj (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:18). 


Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e gazetës Kosova sot

Përkrah gazetave Epoka e re, Zëri dhe Koha ditore qëndron edhe e përditshmja informative dhe e pavarur Kosova sot. Përdorim të njëjtë, sikurse edhe te gazetat e përmendura më parë, fjalët e huaja kanë zënë vend të rëndësishëm edhe në gazetën Kosova sot. Numri 5 045 i botuar i kësaj gazete sjell disa nga fjalët e huaja të përdorura, të cilat po i trajtojmë me shembuj, siç vijon: 


Shembulli I:... për t’u verifikuar... (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 2). 

VERIFIKIM, ~I m. Është fjalë me temë të huazuar nga italishtja. Prof. A. Xhuvani ka dhënë mendimin që të zëvendësohet me foljen vërtes dhe me çerdhen e saj. Meqë kuptimi themelor i fjalës verifikoj është të provuarit e vërtetësisë së diçkaje, për ta zëvendësuar çerdhen e saj mund të formohet një çerdhe fjalësh nga tema e fjalës vërtetësi. Atëherë do të kemi: vërtetësoj, vërtetësohet, vërtetësim, i vërtetësuar dhe i pavërtetësuar, me të cilat nënkuptohet veprimi që bëhet për të provuar vërtetësinë e diçkaje, p. sh.: Vërtetësoj një çështje. Vërtetësimi i dokumenteve.Janë shifra të pavërtetuara (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:40).


Shembulli II: Gazeta ka kontaktuar edhe zyrtarë nga organizatat joqeveritare. (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 3) 

KONTAKT, ~I m. ~E, ~ET. Është fjalë e ligjërimit libror, e huazuar nga frëngjishtja. FGjSSh dhe FShS e kanë por, veç shpjegimit, japin edhe fjalët gjegjëse të shqipes takim, madje, sipas kontekstit, edhe fjalën lidhje, p. sh.: Pikë takimi. Takime (lidhje) miqësore. Takime (lidhje) me popullin. Edhe si term në elektronikë ka filluar të zëvendësohet po me këto fjalë të shqipes, p. sh.: Takim (lidhje) elektrikë (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:86). 


Shembulli III: Ekziston një hetim lidhur me pohimet e bëra nga Dick Marty. (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 4) 

EKZISTENC/Ë, ~A f., EKZISTOJ jokal. Këto janë fjalë të huaja, të huazuara nga gjuhët neolatine. Emri ekzistencë përdoret me kuptimin “qenia në jetë e diçkaje, qenie, jetesë” dhe mund të zëvendësohet fare mirë me këto fjalë të shqipes, p. sh.: të qenët e botës (në vend të: ekzistenca); mjetet që kemi ose që janë (në vend të: që ekzistojnë); luftë për jetën (në vend të: për ekzistencë). Folja ekzistoj mund të zëvendësohet me fjalët e shqipes jam, jetoj, p. sh.: janë kushtet; nuk jeton më. Pra, kjo fjalë e huaj dhe rrjedhojat e saj mund të mënjanohen duke përdorur në vend të tyre sipas rastit fjalët shqipe qenie, jetesë, jetoj (Kelmendi, 2000:24). 


Shembulli IV: Janë vërejtur divergjenca të ndryshme në vendime. (Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 5)

DIVERGJENC/Ë, ~A f. Fjalë e huaj që ka hyrë në gjuhën shqipe nga gjuhët neolatine. E ka edhe Fjalori i gjuhës së sotme shqipe. Kuptimi kryesor i kësaj fjale është “mospërputhje e mospajtim në mendime dhe në veprime ndërmjet dy a më shumë njerëzve, ndryshim mendimesh a pikëpamjesh për një çështje, mosmarrëveshje”. Në këtë kuptim kjo fjalë zëvendësohet me fjalët e shqipes mospajtim, mosmarrëveshje, mospërputhje. P. sh.: Mospajtim teorik. Mosmarrëveshje ideologjike (politike). Kanë mosmarrëveshje. Kemi mospërputhje mendimesh etj. (Kelmendi, 2000:21). 


Shembulli V: Ndërkaq, ka gjasa të ketë implikime...(Kosova sot, 7 shtator 2013, f. 6) 

IMPLIKOJ kal., IMPLIKOHEM vetv. Këto fjalë me temë të huazuar nga gjuhët neolatine nuk janë përfshirë në FGjSSh. Në vend të tyre prej kohësh përdoren fjalët ngatërroj a përziej, ngatërrohem a përzihem, p. sh.: Deshën ta ngatërronin (ta përzienin) edhe atë në atë punë. Nuk është ngatërruar (nuk është përzier) në atë çështje. Në stilin bisedor në vend tëfjalës së huaj implikohem, mund të përdoret edhe shprehja frazeologjike ka gisht, p. sh: në këtë çështje ka gisht edhe ai (Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, 1989:71).


Përfundim

Për ta parë gjendjen e shtypit të Kosovës u volën fjalët e huaja të përdorura në të përditshmet tona ditore (Epoka e re, Zëri, Koha ditore dhe Kosova sot) dhe u dhanë shembuj konkretë nëpërmjet të cilëve u përpoqëm t’i japim shpjegimet e nevojshme për fjalët që duhet të përdoren në mediat e shkruara. Hulumtimi është bërë përgjatë muajve gusht–shtator të vitit 2013. Ky hulumtim botohet për herë të parë në revistën shkencore Akademia.


Përdoren fjalët e huaja: progres, angazhim, paraelektorale, territor, solid, destinacion, special, alarm, certifikatë, aktivitet, preferim, hezitim, ad hoc, trotuar, prezantim, aplikim, verifikim, kontakt, ekzistencë, divergjencë, implikim etj.

Duhet të përdoren fjalët shqipe: përparim, zotim, parazgjedhjesore, truall (tokë), i fortë (i qëndrueshëm, i shëndoshë, i thellë, i ngurtë), përcaktim (caktim), veçantë (posaçëm), kushtrim (figurativisht: shqetësim i madh), vërtetim (dëshmi), veprimtari, parapëlqim (pëlqim), ngurrim, për këtë qëllim (aty për aty, posaçëm), këmbësore, paraqitje (njohje), zbatim, vërtetësim, takim (lidhje), qenie (jetesë, jam, jetoj), mospajtim (mosmarrëveshje, mospërputhje), ngatërrim (përzierje) etj.


Literatura 

Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore i

Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës, Prishtinë, 1989

Kelmendi, Shaban, Fjala shqipe në vend të fjalës së huaj, [s. n.], Mitrovicë, 2000

Krasniqi, Milazim, Hyrje në gazetari, Rozafa,Prishtinë, 2002

Mohl-Russ, Stephan, Gazetaria - tekst didaktik e praktik, K&B, Tiranë, 2010

Murati, Qemal, Kulla babilonike dhe përzierja e shqipes, Shoqata e Shkrimtarëve

Shqiptarë, Shkup, 2000 

Rugova, Bardh, Gjuha e gazetave, Koha,Prishtinë, 2009 

Thomai, Jani, Leksikologjia e gjuhës shqipe, ShBLU, Tiranë, 2002


Gazetat ditore

Gazeta Epoka e re

Gazeta Zëri

Gazeta Koha ditore

Gazeta Kosova sot



(Nga: MA. Mentor Hajrizi, Kosovë)

76,293 Lexime
6 vjet më parë