
Prof. As. Dr. Teuta Toska: Shkrimi futurist i shqipes ose "lindja" e një kodi të ri shkrimor
"Në këtë shkrim jam përpjekur të dëshmoj se mënyra si të rinjtë shkruajnë kryesisht në celularët e tyre këto kohë, nuk është një shqipe e deformuar, por një mënyrë TJETËR, ndoshta edhe E RE, për të shkruar. Është ‘gjuha’ e tyre e komunikimit"- Teuta Toska, gjuhëtare, profesore e gjuhës shqipe.
Shkruar nga Teuta Toska, gjuhëtare, profesore e gjuhës shqipe
Marrë nga Peizazhe të fjalës
Prej kohësh vihet re një trazim gjithnjë në rritje për mënyrën se si po shkruhet shqip sot në mjetet elektronike, kryesisht në celularë, tabletë, kompjuter, dhe për rrjedhojë edhe në rrjetet sociale të populluara thuajse nga pjesa më e madhe e shqiptarëve. Janë të paktë ata si nëna ime që nuk kanë qasje në rrjete sociale, apo që nuk ndërveprojnë me të tjerët me mjete elektronike përmes aplikacioneve të ndryshme të komunikimit të shkruar. Me këtë ritëm të përhapjes dhe zhvillimit të teknologjisë së komunikimit pas disa vitesh është e pritshme që thuajse e gjithë popullata do të jetë duke komunikuar në dy realitete: atë tredimensional (botën e gjallë) dhe në atë virtual.
Kështu, shqipja po transferohet gjithnjë e më shumë në atë që quhet realiteti virtual 2.0. Duke qenë se përdoruesit nuk janë më thjesht spektatorë, por pjesëmarrës aktivë që bashkëveprojnë në realitetin virtual me mënyra gjithnjë e më të ndryshme, dhe kjo përfshin gjithnjë e më shumë aspekte të jetës së tyre, mund të themi se realiteti gjuhësor virtual është po aq i rëndësishëm sa ai i botës së gjallë dhe të dhënat gjuhësore janë po aq të rëndësishme sa ato të botës së gjallë. Kështu, gjuhësia po i ndërton teoritë dhe produktet e veta gjithnjë e më shumë prej të dhënave që vijnë nga realiteti 2.0 dhe po i shndërron metodologjitë e kërkimit shkencor gjithnjë e më shumë prej të dhënave të këtij realiteti. Në kohën kur unë kam studiuar gjuhësi, profesorët na mësuan se e dhëna gjuhësore par excellence ishte e folur, mbledhja dhe dokumentimi i dukurisë gjuhësore mund të niste nga teksti i shkruar, por ai duhej verifikuar prej realitetit të folur. Përparësia e gjuhës së folur është një nga kthesat më të rëndësishme të gjuhësisë moderne, ose më mirë të gjuhësisë si shkencë, kthesë ontologjike e sanksionuar me Kursin e Gjuhësisë së Përgjithshme të Ferdinand de Sosyrit (1916). Mirëpo sot ne po përballemi me një kthesë të pashembullt në realitetin gjuhësor. Transferimi gjithnjë e më shumë i gjuhës/gjuhëve në botën digjitale po e lëkund privilegjin epistemologjik të të folurit. Përmasa e shkruar gjithnjë e më shumë po merr rëndësi në mënyrën se si njerëzit dinë dhe duan ta përdorin gjuhën: për komunikim, ndërveprim, veprim, shprehje mendimesh e ndjenjash etj.
Diskutimi për mënyrën e shkrimit të shqipes në mjetet elektronike të përball kryesisht me tri qëndrime. I pari është kategorik dhe alarmist: ky shkrim po cenon shqipen. Shqipes, jo vetëm asaj të shkruar, po i kanoset gjithnjë e më shumë një rrezik i madh prej kësaj mënyre që po guxon të gjymtojë strukturën e qenësishme të shqipes, fjalën dhe fjalinë.
I dyti është çuditës, deri në zbavitje: kjo mënyrë e të shkruarit shfaq padituri për mënyrën si shkruhet shqipja; format e reja të cungëta të shkrimit të fjalës e fjalisë shkaktojnë buzëqeshje dhe besohet se kjo është një fazë kalimtare. Ajo do/mund të ndryshojë kur përdoruesi të shkollohet më mirë (në rastin e nxënësit/studentit), ose kur t’i hiqet mjeti elektronik nga dora, ose t’i jepet një më i mirë për përdorim (prindit, gjyshërve, të rriturve në përgjithësi).
Qëndrimi i tretë është i të rinjve, kryesisht i atyre që quhen gjenerata Z dhe gjenerata Alfa. Kjo mënyrë shkrimi është mënyra e TYRE e shkrimit dhe mënyra SI shkruhet në mjetet elektronike. Qëndrimi i parë dhe i dytë është kryesisht i gjeneratave pararendëse (Baby boomers, gjenerata X, gjenerata Y).
Përballë kësaj që po ndodh, studiuesi i gjuhës ka për detyrë të përballet me realitetin e ri si me çdo dukuri gjuhësore të pranishme e të përhapur gjerësisht. Ajo po ndodh. Ajo po përfshin thuajse të gjithë popullatën shqipfolëse e shqipshkruese. Nëse njerëz si nëna ime nuk janë aktivë në rrjetet sociale dhe larg mjeteve elektronike, ata një herë të paktën janë përballur me këtë tip shkrimi dhe me bisedat për këtë tip shkrimi. Pra, dukuria duhet studiuar, përshkruar, analizuar shkaqet dhe pasojat dhe, në fund, mund të rekomandohen e sugjerohen veprime që mund ta ndryshojnë këtë dukuri, nëse shoqëria mendon se është e dobishme dhe e drejtë të ndërhyhet për ndryshim.
Autoriteti i Medias Audiovizive financoi një projekt studimor të titulluar “Gjenerata Z, interneti dhe gjuha shqipe”, që u zhvillua nga dhjetori i vitit 2024 deri në shkurt të vitit 2025 nga qendra “Shqipëria europiane”, e drejtuar nga prof.dr. Ilir Yzeiri. Në këtë projekt u përfshiva si studiuese e gjuhës dhe për këta muaj pata mundësi të hulumtoj më në thellësi këtë dukuri që më kishte tërhequr vëmendjen si shumë të tjerëve. Studimi pati si produkt hartimin e një raporti (mars, 2025) i cili tashmë është dorëzuar pranë AMA-s. Këtu po bëj një paraqitje të shkurtër të studimit dhe po ndaloj veçanërisht te dukuria që më intereson si studiuese e shqipes.
Studimi synoi të ofrojë një panoramë sa më të plotë të përvojave të të rinjve shqiptarë të gjeneratës Z me gjuhën, teknologjinë dhe stilin e komunikimit në gjuhën shqipe në botën digjitale. Në studim u përdorën dy instrumente kërkimore: pyetësori dhe intervistat me fokus-grupet.
Pyetësori u hartua në bashkëpunim me prof.dr. Adelina Çerpja, gjuhëtare pranë Akademisë së Shkencave, Instituti i Gjuhësisë dhe i Letërsisë; dhe dr. Anila Sulstarova, psikologe klinike, pedagoge pranë departamentit të pedagogjisë dhe psikologjisë në Universitetin e Tiranës. Pyetësori nisi të shpërndahet përmes platformës Google Forms në datë 30 nëntor dhe u mbyll në 9 dhjetor 2024. Pyetësori përbëhej nga 41 pyetje me natyrë të mbyllur dhe të hapur, i konceptuar që të përfshinte një spektër të gjerë të variablave që lidhen me përvojën digjitale të të rinjve sot. Pyetësorin e plotësuan rreth 1065 individë të moshës nga 13–27 vjeç, që përfshin edhe grupmoshën përkatëse të gjeneratës Z. Pjesëmarrësit përfaqësonin një shpërndarje të ndryshme gjinore (rreth 770 femra dhe 265 meshkuj) dhe të nivelit arsimor, duke përfshirë nxënës të shkollës së mesme, studentë universitarë dhe të punësuar.
Fokus-grupet e zhvilluara ishin katër, me pjesëmarrjen e nxënësve të moshës 17–18 vjeç dhe të studentëve (mosha 19-25 vjeç). Bisedat me fokus-grupet u realizuan me studentët e Universitetit “A. Xhuvani” Elbasan, me nxënës të gjimnazit “Ismail Qemali” në Tiranë, me nxënës të shkollës së mesme të bashkuar “Luigj Gurakuqi” në Elbasan dhe me nxënës të shkollës së mesme “Kostandin Kristoforidhi”, Elbasan. Pyetjet e bisedës u hartuan nga pjesëtarët e projektit në fjalë (prof.as.dr. Teuta Toska dhe prof.dr. Ilir Yzeiri), përkatësisht specialistë në fushat e gjuhësisë dhe të komunikimit, duke u këshilluar edhe me specialistë në fushën e psikologjisë së zhvillimit dhe të adoleshencës, duke synuar që të eksplorohen në mënyrë sa më të gjerë përvojat reale komunikuese të të rinjve sot në Shqipëri.
Veçanërisht bisedat e fokus-grupeve ishin shumë të vlefshme që unë vetë të ndryshoja qëndrim në lidhje me mënyrën se si të rinjtë po shkruajnë në mjetet elektronike sot në shqipe. Përpara këtij studimi mendoja se format e të shkruarit ishin rastësore, pasqyronin shkujdesje dhe padituri dhe, në thelb, një gjendje kalimtare. Më dukej i tepruar, nga ana tjetër, reagimi mohues dhe kundërshtues i shumë të tjerëve. Veçanërisht përgjigjja e një nëne, njëherësh studente e një programi universitar, më bëri të rishikoj qëndrimin tim. Për pyetjen: “A dalloni ndonjë ndryshim mes mënyrës se si shkruani ju dhe mënyrës se si shkruajnë të rinjtë?”, ajo u përgjigj se, ndërsa i shkruante së bijës gjithnjë me rregulla e forma të plota fjalësh, kjo e qortonte shpesh se “nuk shkruhej ashtu në celular”.
Kështu, arrita të kuptoj se celulari, dhe me të edhe mjete të tjera të ndërmjetësimit të komunikimit, po kushtëzojnë krijimin e një forme të të shkruarit. Të rinjtë po kërkojnë një mënyrë tjetër të shkrimit, e cila po konsolidohet tashmë. Përhapja gjithnjë e më e madhe e mjeteve teknologjike për komunikim po kërkon një sistem tjetër për të shkruar. Sipas këtij sistemi, duhet shkruar: “Aq shkurt sa mund të kuptohet. Aq shkurt sa ta shkruash, apo ta lexosh shpejt një mesazh. Ose shumë shpejt“. Kjo ishte përgjigjja që mora më së shumti prej të rinjve për pyetjen: “Çfarë do të thotë të shkruash mirë me mjete elektronike?”
Gjuha, ajo e folur më së pari, por edhe e shkruar, ka natyrë sistemore, dhe çdo ndryshim i mundshëm do të ndikohet nga prirja për rregullsi e sistemit. Tërësia e ndryshimeve që ndodhin në një periudhë të caktuar ushtron trysni për të sistemuar vetë masën e ndryshimeve. Shkurt, edhe kur shkalla e ndryshimeve duket e madhe, po aq e fortë është edhe prirja për të pasur rregullsi dhe sistemim të ndryshimit. Nuk ka kaos në gjuhë. Nuk mund të ketë kaos në një sferë ku gjithkush kërkon të jetë i komunikueshëm, i kuptueshëm.
Substanca e parë e gjuhës është tingulli. Substanca e dytë, që e zëvendëson të parën, është shkrimi. Gjuha e ka këtë veçori të natyrës së saj: është e transferueshme nga pikëpamja e substancës, pasi lidhja e saj me substancën që e shfaq ka natyrë jothelbësore (Sosyri ishte ndër të parët që e formuloi këtë ligjësi ontologjike të gjuhës). E thënë ndryshe, thelbi i gjuhës ka pavarësi nga substanca e saj. Duke qenë në thelb një sistem, ajo ia dikton edhe substancës, çdo substance, natyrën sistemore.
Ajo që vërej sot është se jemi përpara një ndryshimi madhor në mënyrën e të shkruarit, që gjeneron një shumëllojshmëri ndryshimesh më të vogla: shtimin e regjistrave të të shkruarit. Ndërkohë që deri para ca kohësh të shkruarit në shqip bëhej kryesisht e vetëm duke përdorur drejtshkrimin (1972), dhe çdo mënyrë tjetër e të shkruarit ishte nga ndonjë gabim/shmangie vetjake, mungesë njohurie e shkollimi, sot po normalizohet përdorimi shoqëror i një mënyre TJETËR të shkrimit. Është sikur të kemi tashmë në shqip një stil/regjistër të lartë (me përdorimin e rregullave të drejtshkrimit) dhe të zakonshëm a të shkujdesur të të shkruarit. Kemi një zgjerim të mënyrës se si funksionon shkrimi, një shndërrim të fillesave të tij, ose më mirë, të një rikthimi tek origjina e tij, që është realiteti i folur. Por ky rikthim është i ndryshëm. Nuk është rikthim te ngjashmëria fonike me fjalën, por tek elementet funksionale të të folurit. John Lyons shkruan: “Këto rrethana të shumëllojshme, në të cilat, sidoqoftë, ligjërimi dhe shkrimi sot parapëlqehen – njëra në komunikimin joreflektues të menjëhershëm, tjetra në tekstet e zgjedhura me kujdes më të madh, që, me siguri, janë për t’u lexuar dhe kuptuar pa ndihmën e treguesve, që përmban situata e drejtpërdrejtë – sqarojnë gati gjerësisht burimin e shkrimit ….”[1] Karakteristikat e të folurit (speech), të përmendura më lart (komunikimi joreflektues dhe i menjëhershëm [unreflecting, face-to-face communication]) sot po i përvetëson të shkruarit në botën e komunikimit digjital.
Po transferohet në të shkruar shpejtësia, karakteri dialogjik (ndërveprimi i drejtpërdrejtë), thukëtia në sintaksë (elipsat, fjalitë mungesore, parataksa etj.) dhe emocionaliteti i spikatur, dhe kjo ka sjellë si pasojë dy prirje të dukshme në sistemin shkrimor ose, ndoshta, shndërrimin në një tjetër:
1) Shkurtimin e njësisë së shkruar gjuhësore, kryesisht fjalës dhe fjalisë;
2) Përdorimin e mjeteve që zëvendësojnë mimikën, tonin, intonacionin, timbrin (pra gjithë arsenalin me të cilin shprehim emocionalitet në të folur): emoji, stickers, GIF, imazhe, avatarë, grafika etj. Kështu, shkrimi po hapet edhe ndaj kodeve të tjera.
Kress (2023) e quan këtë “komunikim multimodal” dhe “transsemiotik”. Mjetet transsemiotike kanë të bëjnë me faktin që mesazhet e shkruara nuk janë të ndërtuara vetëm prej një sistemi semiotik (si kodi gjuhësor në rastin tonë), por gjithnjë priren edhe në përdorimin e mjeteve të kodeve të ndryshme semiotike (emoji, stickers, fotografi, mesazhe zanore etj.). Komunikimi digjital nuk përbën vetëm një akt gjuhësor, por një ndërtim transsemiotik, ku mesazhi transmetohet me ndërthurje kodesh: gjuhë, imazh, ritëm dhe simbolikë kulturore.
Sa më shumë rritet prania e kodeve të tjera në një mesazh të shkruar, aq më pak vend zë kodi gjuhësor në të dhe aq më pak kuptim do të transmetojnë shenjat gjuhësore.
Përpara se të përmend disa rregulla të kësaj mënyre të re a tjetër të të shkruarit, vlen të theksohet edhe një element tjetër. Të rinjtë nuk përshkruajnë substancën fonike të të folurit të tyre. Kur i pyeta nëse edhe prindërit e gjyshërit shkruanin si ata, përgjigjja ishte kategorike “JO”. Pyetjes se cili ishte dallimi mes mënyrës së tyre të të shkruarit dhe të të rriturve, iu përgjigjën se të rriturit “shkruajnë ashtu si flasin“. Kjo më bëri të kuptoj se ky kod i ri shkrimor që përdoret kryesisht në aplikacionet e bisedave/dialogëve të shkruar (Whatsapp, Snapchat, Messenger etj.), edhe pse mund të duket si transkript bisede, nuk e përshkruan realitetin fonik të të folurit. Ai formohet prej manipulimit të njësive grafike gjuhësore. Është si të thuash, një kod i dytë shkrimor mbi kodin shkrimor tradicional (atë të standardit). Ky kod i ri kryen një funksion identitar dhe komunitar, duke krijuar njëherësh një ndarje me brezat e mëparshëm dhe duke siguruar, kështu, përkatësinë në grup.
Për të kuptuar rregullat e kësaj mënyre të re të shkrimit, krijova një korpus prej 11 300 fjalësh prej përgjigjeve të pyetjeve të hapura të shkruara nga pjesëmarrësit e pyetësorit të përmendur. Gjithashtu, përdora screenshot bisedash të dërguara nga të rinj (studentë e nxënës) dhe, po ashtu, përgjigjet e tyre në bisedat e fokus-grupeve të pyetjeve të mia specifike.
Kështu, mund të them se shkrimi që përdorin të rinjtë e gjeneratës Z në mjetet e elektronike është një formë ekonomike e sistemit shkrimor aktual. Një përshtatje/manipulim i rregullave të tij. Ai mund të mësohet i pari, por për të ushtruar trysni dhe për të sjellë ndryshim në këtë sistem, duhet të mësosh të shkruash sipas kodit drejtshkrimor (të parin) në fuqi për të kaluar në këtë sistemin tjetër (të dytin). Ky sistem mbi sistemin në mënyrë të natyrshme ka krijuar rregullsitë e veta.
Synimi i këtij shkrimi nuk është as saktësia gjuhësore dhe as estetika e të shkruarit. Format e këtij shkrimi që përbëhet nga ndryshime mbi kodin shkrimor aktual dhe përdorimi i mjeteve të tjera nga kode të tjera (transsemiotika e teksteve) është e diktuar nga shpejtësia e shkrim-leximit. Shpejtësia, lidhur ngushtë me kuptueshmërinë, dikton shkruesin të krijojë një mesazh që nuk duhet LEXUAR, por SHIKUAR. Kështu, edhe akti i leximit po pëson një shndërrim këto kohë. Të rinjtë nuk po i lexojnë mesazhet që shkëmbejnë, por i shohin. Lënda gjuhësore e ndërkëmbyer në botën digjitale synon të japë sa më shumë informacion në pak sekonda të hedhjes së syve në ekran. Leximi i mesazhit duhet të jetë paksekondësh (një, dy deri në tre). Totaliteti i mesazhit (pra, kuptueshmëria e tij si një i tërë) na çon kështu tek receptimi i tekstit gjuhësor si imazh (fotografi, pikturë), ku receptimi funksionon në simultanitet (njëkohshmëri) dhe jo në linearitet, që është karakteristikë e kodit gjuhësor (verbal). Pra, ti lexues që lexon këto radhë, ndjek linjën e rreshtit për të bashkuar fjalët dhe syri yt në mënyrë zigzage shkon nga njëra fjalë te tjetra, nga njëri grup fjalësh i njohur te tjetri. Por në bisedat e shkruara nuk po lexohet më kështu. Shpejtësia e leximit kërkon receptim global të mesazhit. Për rrjedhojë, nuk është saktësia ajo që ka rëndësi, nuk është forma e plotë e fjalës ajo që e bën atë të dallueshme (estetika e quajtëm më lart), por mjetet me pertinencë më të madhe dhe shmangia e mjeteve redondante. Në fjalinë paraardhëse, fjalë, si “pertinencë” dhe “redondante”, kanë nevojë të shkruhen të plota në një mesazh të komunikimit digjital, sepse denduria e ulët në përdorim ua rrit atyre pertinencën. Por fjalët sa më shumë rrisin përdorimin e tyre në komunikim (frekuencën), aq më shumë rrisin mjetet redondante (të tepërta). Për shembull: “pr rrjdhoj, nk ësh sktsia ajo q ka rndsi, nk ësh frm e fjals ajo q bn t dallushme….” Në këtë fjali, mungesa e zanoreve nuk e cenon kuptueshmërinë e mesazhit. Mesazhi kështu përcillet shpejt dhe lexohet shpejt, nëse një grup lexuesish i kanë parë të shkëmbyera të paktën një herë këto forma. Pra, sipas meje, nuk kemi të bëjmë me një mungesë të njohurive për drejtshkrimin, sesa me një zgjedhje të vullnetshme për të pasur shpejtësi maksimale dhe përfitim maksimal të informacionit.
Kështu, duket sikur ky shkrim tenton të shkojë drejt ideografisë. Pra, shenja gjuhësore bëhet figurë në kuptimin edhe më të plotë të kësaj fjale, dhe jo bashkim njësish për të dhënë njësi më të larta. Kështu, kalohet nga tipari i qenësishëm i gjuhës, nyjëtimi (artikulimi) i saj i dyfishtë në një perceptim global, holistik të tekstit gjuhësor.
Çfarë karakteristikash a rregullash shfaq ky kod tjetër shkrimor nga pikëpamja gjuhësore?
- Ky sistem shkrimi është rrokjesor, silabik. Në përgjithësi struktura grafike që i përgjigjet një fjale shmang përdorimin e zanoreve në fjalë që janë kryesisht të frekuencës së lartë të përdorimit: bsj (besoj), msj (mësoj), flm (faleminderit), prsh (përshëndetje), shkr (shkruaj), bj (bëj), pr (për), ig (instagram), fls (flasim) etj. Këtu përfshihen edhe shkurtime që kanë tashmë një përdorim konvencional dhe gjenden në fjalorë e manuale drejtshkrimi, si: nr, dmth, bfj, psh, etj. Sigurisht, të shkruara pa pikën identifikuese të shkurtimit (sipas drejtshkrimit). Po ashtu mund të shkurtohet fjala edhe në rrokjen më të qenësishme, si: tak (takohemi), lex (lexoj), tel (telefonoj), cel (celular), inf (informacion ose informoj, sipas kontekstit) etj.
- Për njësi më të mëdha se fjala, për togfjalësha e sintagma me frekuencë të lartë, që përfaqësojnë një koncept, krijohen shkurtime në formë akronimesh: dsh (detyra shtëpie), pz (për Zotin), klm (kalofsh mirë), cpb (çfarë po bën?), shm (shumë mirë) etj.
- Fjalët (njërrokëshe) që kanë një frekuencë edhe më të lartë përdorimi për shkak të karakterit të tyre gramatikor më shumë se leksikor, përfundojnë me shkronjën e parë: m (moj, more), q (që), n (në), t (të), një (nj), gj (gjë) etj.
- Shkronja Ë duhet të mungojë gjithnjë – pra, duhet të mos shkruhet asnjëherë (or, dor, muzik, bashk, pun etj.). Në vend të saj, aty ku Ë-ja është pertinente, zëvendësohet me shkronjën E, si bejm (bëjmë), dhen (dhënë), perdor (përdor) etj. Mungon edhe shkronja Ç, e cila zëvendësohet nga C-ja. Lexuesin nuk po e lodh me shembuj, sepse ka parë mjaft gjithandej.
- Shkronja e madhe nuk përdoret në asnjë rast, edhe nëse bëhet fjalë për të shkruar emra të përveçëm. Shkruhet gjithnjë me të vogla. Në fakt, është dallimi shkronjë e madhe/shkronjë e vogël që nuk ka më domethënien simbolike të kodit të parë shkrimor. Nëse shfaqet shkronja e madhe, ajo shfaqet si stil shkrimi. Pra, mund të shkruhet e tërë fjala ose fjalia me të madhe, SI NË KËTË RAST QË PO LEXON TANI. Mospërdorimi i shenjave të pikësimit në fund të fjalës, i pikës në veçanti, e ka shfuqizuar edhe përdorimin e dallimit shkronjë e madhe/shkronjë e vogël. Sigurisht, përzgjedhja në tastierë e shkronjës së madhe (kapitale) kërkon kohë dhe rregull, siç e thamë, është “përdor sa më pak kohë për të shkruar dhe shkruaj sa më shpejt”.
- Hapësirat mes fjalëve janë kryesisht për fjalët fonetike, që do të thotë se elementet gramatikore, si parafjalë, pjesëza për krijimin e trajtave gramatikore (të zgjedhimit të foljes, të lakimit etj.) shkruhen së bashku me fjalën kryesore: ungrt (u ngrit), uvsh (u vesh), tltm (të lutem), tthm (të them), tgjith (të gjithë), nshpi (në shtëpi) etj. Kjo më ka kujtuar tekstet e autorëve të vjetër të Veriut, ku këto forma shkruheshin kështu.
- Gabimi në të shkruarit e këtij kodi nuk ekziston. Fjala mund të shkruhet “gabimisht”, pra ke dashur të shtypësh një tast dhe gishti ka shtypur një tjetër, pavëmendja të ka bërë të shtypësh një trajtë “tjetër”, jo trajtë “të gabuar”. Nëse një fjalë është shkruar gabim, zakonisht nuk kthehesh për ta ndrequr. Tjetri që lexon, duhet të hamendësojë fjalën që ke shkruar nga konteksti dhe afërsia e shkronjave, dhe kështu lexuesi e merr me mend kuptimin. Pyetjes se çfarë bëhet kur nuk e kupton një fjalë tek mesazhi, të rinjtë iu përgjigjën se fjala nuk rishkruhet e plotë: në përgjithësi dërgohet fjala me voice message (mesazh zanor), pra regjistron fjalën dhe e dërgon, ose mund të dërgosh një imazh zëvendësues.
- Numrat shkruhen gjithnjë me shifra dhe jo me fjalë.
- Siç e cekëm më sipër, shenjat e pikësimit mungojnë thuajse të gjitha. Zhvlerësimin e shenjave të pikësimit, të cilat në parim shënojnë elementet mbisegmentore (që lidhen me intonacionin dhe pauzat në ligjërim), e ka ndikuar përdorimi i imazheve që shprehin emocionalitet, si emoji, stickers etj., të cilat janë të shumëllojshme dhe shumë të dallueshme. Ndërkohë që shenjat e pikësimit që shprehin emocionin e thënies janë të pakta: pikëçuditja, pikëpyetja, bashkimi i të dyjave, trepikëshi për të shprehur ngurrim, ndërdyshje, dhe kaq. Pika dhe presja që shënojnë pauzat që ndajnë thëniet nga njëra-tjetra (pika) ose grupet kuptimore brenda thënies (presja) janë zhvlerësuar sa kohë që mesazhi i shkruesit është kryesisht vetëm një fjali/thënie. Në bisedat e shkruara digjitale nuk kemi njësi grafike me më shumë se 2 fjali që dërgohen, ose parapëlqehen të dërgohen. Njësia e informacionit që do të transmetojë dikush mund të jetë edhe disa mesazhe njëra pas tjetrës, dhe jo një mesazh që përmban disa fjali. Pra, në vend të pikës, funksionon tasti “dërgo” (send, invia). Në ato raste kur kemi më shumë se një fjali brenda një mesazhi, duhet të marrësh me mend fundin dhe fillimin e fjalisë tjetër sa kohë që mungojnë pika dhe shkronja e madhe (elementet simbolike që dallojnë fillimin e fjalisë).Pikëçuditja përdoret fare rrallë. Ajo përdoret kryesisht e përsëritur (!!!!!) për të shënuar thirrjen, habinë, kërkesë e ngutshme për të kuptuar më shumë, reagimin kategorik ndaj diçka etj., pra ndjenja të forta kundërveprimi. Pikëpyetja përdoret pak më shpesh nga simotrat. Mund të thuhet se pikëpyetja është e vetmja shenjë pikësimi e cila i ka bërë ballë shndërrimit funksional që kanë pësuar shenjat e tjera. Ekzaltimi i pikëpyetjes lidhet edhe me faktin se prania e pyetjeve është e madhe në komunikimin e përditshëm. Ndoshta, në ligjërimin e përditshëm (bisedat e zakonshme) kemi aq pyetje sa edhe pohime. Ne flasim/shkruajmë kryesisht për të pyetur. Pyetja është një ftesë për të nisur bisedën më fort sesa për të kërkuar informacion. Por pikëpyetja rrallë përdoret në fund të një fjalie pyetëse. Ajo shpesh dërgohet edhe vetëm, si një mesazh. Ose e përsëritur. Kështu, ajo për nga funksioni perceptohet edhe si një imazh që nënkupton se mesazhi i mësipërm i dërguar ishte një pyetje, ose se shkruesi kërkon të kuptojë më mirë se çfarë ka dashur të thotë/shkruajë bashkëbiseduesi me mesazhin e dërguar.
- Mungon tërësisht apostrofi, edhe në përdorimin e trajtave të shkurtra të bashkuara, edhe te përdorimi pas pjesëzës mohuese etj. Kjo e fundit bashkohet me foljen, siç ndodhte edhe me fjalët fonetike (sdi, skam, svij, svjen etj.)
- Më sipër e përmendëm përsëritjen e pikëpyetjes dhe të pikëçuditjes për të plotësuar emocionalitetin e të folurit. Por një mjet shumë i përdorshëm për këtë funksion është edhe dyfishimi a shumëfishimi i grafemës së fundit ose asaj më të qenësishmes të fjalës (mosssssss, Ikaaaaaaaa, joooooooo, pooooooooo, eccccc, ejjjjj, mooooosss etj.). Nëse fjala që ka një shkronjë të shumëfishuar ndodhet në mes të fjalisë, kuptohet që kjo fjalë ka edhe theksin emfatik të saj.
- Ky sistem përdor atë që quhet “code-switching”, karakteristik për komunitetet ku individët jetojnë në situata të dygjuhësisë. Kështu, shfaqen në shkëmbimet gjuhësore fjalë, frazema në anglisht (edhe në ndonjë gjuhë tjetër në modë, si italisht a spanjisht) ose si mesazh më vete, ose duke i përzier dy gjuhët në një mesazh, duke krijuar mesazhe hibride, që përmbajnë fjalë të të dyja gjuhëve.
- Nga përgjigjet e pyetjeve të hapura të pyetësorit të zhvilluar, ajo që vihet re më së shumti është se të rinjtë zgjedhin kryesisht të japin përgjigje të shkurtra dhe të fragmentuara (eliptike). Meqenëse identiteti në botën digjitale është i fragmentuar (identitete të ndryshme në rrjete të ndryshme sociale), edhe gjuha, si elementi themelor i identitetit po priret drejt fragmentarizimit.
Kështu, për shembull, nga 1065 pjesëmarrës në pyetësor që duhet të ishin përgjigjur me të paktën një fjali pyetjes “Për çfarë e përdor më shumë internetin?” kemi vetëm 840 përgjigje ose tentativa për përgjigje (dikush shkruan vetëm një pikë ose presje, ose hapësirë, ose ndonjë shkurtim fjale):
- 87 përgjigje vetëm me 1 fjalë.
- 120 përgjigje me 2 fjalë: per pun, per shkoll, per qef, per informacion etj. (Sic!)
- rreth 247 përgjigje janë telegrafike, të fragmentuara. Kryesisht përdorin një formë të paskajores “për të + folje” dhe shtojnë edhe një fjalë tjetër: per te ber detyrat, per te kaluar kohe, per te marr informacion, per te ber mesimet etj. (Sic!)
- Vetëm 386 përgjigje kanë 5 ose më shumë fjalë, që mund të konsiderohen si fjali të plota ose struktura më të zhvilluara të mendimit, p.sh. “Per te komunikuar me moshataret e mi per detyrat ne shkolle“, “Per te marr informacione sipas situatave te ndryshme“, “Psh per te kaluar kohen per mesime per te mesuar nje recet gatimi qr Un nuk e di dhe deshiroj ta mesoj per to four me shoqen time etj“, “Për informacione nëse kemi projekte dhe për tu kënaqur duke par vidjo e duke luajtur lojra” etj. (Sic!)
- Në rreth 80 përgjigje mund të them se përdorej drejtshkrimi i shqipes dhe struktura sintaksore e fjalisë së shqipes së shkruar. Interesante është se sa herë që ka një përgjigje të shkruar ku nuk ka ose ka fare pak gabime drejtshkrimore, aty ka edhe një strukturë të plotë sintaksore dhe një mendim të plotë, si p.sh. “Për të komunikuar me njerëzit e afërt dhe shokët/miqtë,gjithashtu për të kërkuar informacione në lidhej [lidhje, gabim shtypshkrimi, TT] me diçka që ndodh gjatë ditës ose diçka që më nevojitet. Dhe së fundmi për të shikuar filma apo seriale“. (Sic!)
Fragmentarizimi identitar dhe gjuhësor është tipar themelor i kësaj gjenerate. Përdorimi paralel i shumë platformave, ndërrimi i shpeshtë i kodeve gjuhësore dhe i këtij kodi të ri shkrimor, si dhe krijimi i identiteteve të ndryshme digjitale dëshmojnë një komunikim gjithnjë e më të personalizuar, emocional dhe joformal. Teknologjia nuk po shfaqet vetëm si mjet, por edhe si modelues i të menduarit dhe i të shprehurit të të rinjve. Zhvendosja drejt formave të shkurtra, funksionale dhe spontane të të shkruarit tregon për një pragmatizëm të ri gjuhësor dhe për një konceptim të gjuhës si “veprim” më shumë sesa “strukturë”.
Si përfundim
Sistemi arsimor na mëson të shkruajmë me një dorë, kryesisht rreth moshës 5 a 6-vjeçare (në grupin parashkollor të kopshtit dhe në klasën e parë). Këtë tip shkrimi sot ende e quajmë “shkrim me dorë”/ “shkrim dore” përkundrejt shkrimit me mjete elektronike (i cili në fakt po me duar bëhet). Mirëpo, pas disa vitesh, thuajse të gjithë mësojnë në mënyrë AUTODIDAKTE të shkruajnë me dy duar (në tastierën e kompjuterit, videolojërave etj.) dhe pastaj me dy gishtat e mëdhenj të dy duarve (në celular). Ironike është se shkrimi që mësojnë në shkollë bëhet jo aq aktiv pas disa vitesh dhe këto kohë ne përfundojmë që gjatë ditës përdorim më shumë shkrimin me mjete elektronike, të cilin e kemi mësuar vetë. A duhet të rrijë larg shkolla larg të mësuarit të këtij tipi shkrimi që po pushton gjithë veprimtarinë tonë të të shkruarit e të lexuarit? A duhet përjashtuar ende shkrimi gjuhësor me mjetet elektronike në shkolla?
Mendoj se ka ardhur koha të riformulohen programet arsimore të mësimit të gjuhës shqipe, me qëllim që të përfshihen format digjitale të komunikimit si pjesë e mësimdhënies së gjuhës në klasë. Nëse duam të ndërhyjmë në mënyrën se si shqipja po shkruhet në rrjetet sociale dhe bisedat e shkruara, duke përmirësuar edhe mënyrën e të menduarit dhe të të shprehurit të fëmijëve dhe të të rinjve sot, duhet të mësohet në shkollë shkrimi i shqipes me mjete elektronike, edhe tek ai që konsiderohet sot si mjeti më i rëndësishëm teknologjik për komunikimin – celulari. Në pyetësorin e zhvilluar, 97.7% e pjesëmarrësve deklarojnë se celulari është pajisja teknologjike më e përdorur gjatë ditës. Dhe mundësitë që jep teknologjia për ta afruar shqipen e botës digjitale me trajtat e përbashkëta të standardit janë të shumta sot. Siç edhe e pamë më lart, pothuajse sa herë që dikush shkruan mirë standardin, ai ka të përvetësuar edhe një mënyrë të mirë të të menduarit dhe të shprehurit, pra të arsyetimit. Përdorimi i dialektit/dialekteve në botën digjitale lidhet gjithnjë me përgjigjet e automatizuara, të shkujdesura dhe emocionale. Kjo, gjithsesi, mund të jetë objekt i një studimi tjetër që do ta vështrojë në mënyrë më të thelluar këtë pohim.
Ligjërimi digjital edhe në realitetin shqiptar po luan një rol identitar dhe komunitar, duke krijuar ndarje të qarta simbolike me brezat e mëparshëm dhe forma të reja të përkatësisë në grup. Të rinjtë vërtet do ta ruajnë komunikimin e tyre identitar në botën e vet digjitale, por ata duhet të pajisen me vetëdijen se ky kod i ri shkrimor nuk është tërësia e shqipes së shkruar. Një pjesë e të rinjve të gjeneratës Z janë të vetëdijshëm, por numri i atyre që nuk e bëjnë këtë dallim po rritet.
Po ashtu, është e gabuar qasja që pretendon se mënyra se si të rinjtë e gjeneratës Z po shkruajnë sot në botën e tyre digjitale është tërësia e shqipes së shkruar në të ardhmen. Pikërisht sepse një pjesë e madhe e të rinjve dinë ta bëjnë dallimin me shkrimit “të tyre” dhe “të të rriturve”. Vetëm shkolla dhe mësimdhënia e shqipes mund ta rrisin vetëdijen për dallimin mes këtyre kodeve, duke hequr dorë nga qëndrimi përjashtues për njërin, duke rrezikuar shpërfilljen e tjetrit. Në fund të fundit, prania e një kodi TJETËR mund të shihet edhe si një pasuri për shoqërinë tonë sot.
Bibliografi
Lyons, John. Hyrje në gjuhësinë teorike. Përktheu nga gjermanishtja prof.dr. Ethem Likaj, Dituria, 2001
De Sosyr, Ferdinand. Kurs i gjuhësisë së përgjithshme. Dituria, Tiranë, 2002
Kress, G. (2023). Multimodality: A Social Semiotic Approach to Contemporary Communication. First published 2010, by Routledge.
Boyd, Danah. (2014). It’s Complicated: The Social Lives of Networked Teens. Yale University Press. http://www.jstor.org/stable/j.ctt5vm5gk
Twenge, J. M. (2017). iGen: Why Today’s Super-Connected Kids Are Growing Up Less Rebellious, More Tolerant, Less Happy–and Completely Unprepared for Adulthood, New York, NY: Atria. ISBN: 978-1-5011-5201-6
Sebba, M., Mahootian, S., & Jonsson, C. (2012). “Language mixing and code-switching in writing.” ISBN 9780203136133, Published February 7, 2012 by Routledge
[1] John Lyons, “Hyrje në gjuhësinë teorike”, përktheu nga gjermanishtja prof.dr. Ethem Likaj, Dituria, 2001, f.71-72, kapitulli “Substanca e gjuhës së folur dhe të shkruar”.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Faleminderit” APO “Falemnderit"?
Emrat asnjanës dhe gabimet tona me ta
Gabimet tona me ÇORAPËT! "Çorapë" dhe "Çorape" nuk kanë të njëjtin kuptim