APOSTROFI

Përdorimet e gabuara të apostrofit/Si ta përdorim drejt apostrofin

Shumë prej nesh na ndodh ta përdorim gabim apostrofin, sidomos te trajtat e shkurtra, pjesëza mohuese s’ apo përemri pyetës ç’. Atëherë, ja 4 rastet si duhet të përdorim apostrofin...

  

Shumë prej nesh na ndodh ta përdorim gabim apostrofin, sidomos te trajtat e shkurtra, pjesëza mohuese s’ apo përemri pyetës ç’. 


Atëherë, ja 4 rastet si duhet të përdorim apostrofin: 

1. Te trajtat e shkurtra të përemrave vetorë “më” dhe “të”, kur bashkohen me trajtën e shkurtër “i”, për të shënuar rënien e zanores “ë”. Dhe kemi: (më + i) m’i dha; (të + i) t’i dha; m’i fali; t’i fali etj.


2. Te pjesëza “të” e mënyrës lidhore, e kohës së ardhme të dëftores, si dhe te ndërtimet e ndryshme me pjesore (për të, me të, një të + pjesore) etj. P. sh.: t’i shkruash nënës; do t’i rrëfej të gjitha; për t’i mbajtur mirë; do t’u them; për t’u çuar makinën; t’ia thuash; do t’ia numëroj; për t’iu përgjigjur asaj; do t’ju telefonojmë; do t’jua di për nder; do t’ua tregoj shokëve; m’u bë zemra mal; si t’u duk? etj.


3. Pas pjesëzës mohuese “s’” dhe pas përemrit pyetës “ç’”. P.sh.: s’arrin; s’e di; s’presim; ç’e do? ç’do? ç’zë i ëmbël! etj.


4. Për të shënuar rënien e ë-së te nyjat e përparme “të”, “së” me kuptim pronor në rasat e zhdrejta të emrave: i ati, e ëma: (i, e) t'et, (i, e) s'ëmës, me t'ëmën.


Formimi i trajtave të bashkuara 

Ja trajtat e shkurtra që përdoren me apostrof dhe apo pa apostrof:

më + e = ma

më + i = m’i

të + e = ta

të + i = t’i

i + e = ia

i + i = ia

na + e = na e

na + i = na i

ju + e = jua

ju + i = jua

u + e = ua

u + i = ua


KUJDES! Shkruhen pa apostrof trajtat përemërore “ma”, “ta”, ku nuk kemi një rënie të ë-së, por një shkrirje të dy zanoreve (më + e = ma; të + e = ta): (ma dha librin; s'ma jepte; ma jep; për të ma treguar; duke ma treguar; me të ma treguar; pa ma thënë; një të ma kujtuar etj.)

KUJDES!  Shkruhen pa apostrof përemri i pakufishëm “çdo” dhe përemri pyetës “çfarë”, si edhe fjalët e formuara prej tyre.

 


(Përgatiti: Sevi Lami Agolli)

49,065 Lexime
6 vjet më parë