PËR FEMRËN

“Për gratë vejusha në vendin tim”

Sot më 8 Mars këtë status dua t’ua kushtoj grave që si unë ju është dashur të rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre vetëm, për shkak humbjes së bashkëshortit dhe babait të fëmijëve të tyre.

 Sot më 8 Mars këtë status dua t’ua kushtoj grave që si unë ju është dashur të rrisin dhe edukojnë fëmijët e tyre vetëm, për shkak humbjes së bashkëshortit dhe babait të fëmijëve të tyre.

Është e vështirë të jesh vejushë në vendin tim, ku rroba e zezë të ndan menjëherë me thikë nga pjesa tjetër e gjinisë tënde. Dhe ti provon të “turpërohesh”pse ty të gjeti fati. Vazhdon të përulesh para tij, të njohësh konceptin e përballjes me malin.

Fillova pas kësaj të shoh gra si unë, madje fillova t’i kërkoj në turmë. Gjendeshin lehtësisht, ndonëse biseda me to më pas fillonte disi e ftohtë.

Ishte e veshtire të njihje nga afër njërën nga ato. 


T’i njihje, t’i detyroje të ritregonin apo t’u prezantoje shpresën dhe kufirin e hollë që ndante dëshirën nga mosrealizimi i saj. Shihja edhe fëmijët e tyre që kur ishin të vegjël, nuk ua lëshonin dorën nënave. Disa rëndom më mbeten në mendje me hutimin e gjatë të mospërshtatjes ndaj gjëmës dhe realitetit. Thelbi i mospranimit u bë pemë e ditës së tyre. Në gjithë këtë hulli kisha vetëm një dëshirë; të mos u ngjaja, në mënyrën si u rridhte jeta pas kësaj, nuk doja të viktimizohesha, nuk doja të isha gruaja e fortë, as e dobët, s’doja të luaja rolin e burrit, s’doja të isha e bukur, as e shëmtuar. S’doja të dështoja.


Doja të isha e qetë me fëmijët e mi përdore… të shkruaja kujtimet e një bote që të tjerët se njihnin….. t’u thoja shpesh faleminderit atyre që më ishin pranë… të shkoja të dileva në varrezë sipas ritualit tim… të dëgjoja një këngë pa kufje që muzika të përhapej në dhomën time si formë e gjallë njerëzore,.. të vishja një fustan me ngjyrat që doja… unë të kuqen e admiroj,,,të isha e thjeshtë e natyrshëm të më buronte dëshira, të ecte koha ashtu e padukshme mbi trupin tim, e vdekja të më vijë kur të jem ashtu e plakur. S’doja të isha kurrë vejusha e veshur me të zeza, ndonëse ndonjëherë më ka pëlqyer e zeza ime, derisa një ditë dola në rrugë dhe pashë dikë tjetër si unë.  E përtheva ndryshimin midis meje dhe asaj si unë përmes letërsisë, përmes procesit të të shkruarit, përmes librave. Kjo të bën të ndihesh ndryshe në raport me liritë dhe vecantitë e raporteve me të tjerët, konceptet dhe jetën. Por edhde ndryshe, unë sërish dua të jem një femër reale.


Tashmë realiteti është shtrirë në këmbët e mia e unë më shumë se kurrë dua të jem pikërisht një grua reale, Unë jam në fakt një grua reale. Po një grua reale ka nevojë për revolucion, ka nevojë për të vërtetën dhe modelet e jetës. Ka nevojë të lartë për të shmangur paragjykimet dhe shumë buzëqeshje, për të krijuar të bukurën shpirtërore e cila nuk gjendet vetëm te moda dhe fustanet. Nga ana tjetër kam nevojë ta ruaj po kaq gjatë femrën reale brenda vetes… Nën këtë frymë lindi poezia Vejusha me të kuqe.

(Adriatike Lami; Portali Shkollor)

6,922 Lexime
5 vjet më parë