O heroina ime! (Për mësuese Rozën)
Ne të gjithë e dimë se misioni yt si mësuese, nuk mbaron këtu. Ti do jesh pranë nesh gjithmonë, në çdo arritje, në çdo diplomë dhe nesër, kur ne të bëhemi dikush,ti do thuash gjithë krenari: Ja, këta janë fëmijët e mi!
ESE
(Për mësuese Rozën)
O heroina ime,
Sa vargje kam thurur unë për ty që të kanë falur bezëqeshje dhe lot gëzimi në sytë e tu. Kur shokët, shoqet dhe mësuesja më zgjodhën mua të shkruaja ese-në e 7 Marsit për ty, u gëzova shumë.
Por, më beso, se më pas kam qenë shumë në ankth se nuk e dija a do mund të shkruaja nje ese të mrekullueshme siç e meriton ti!
Nisa të shkruaj fjalë të mira, por nuk kishin vlerë me mirësine që fal ti.Nisa të shkruaj fjalë me emocion e dashuri, por çdo fjalë dukej e zbehtë se dashuria që dhuron ti nuk ka kufij. Atëherë i grisa të gjitha dhe fillova të shkruaj përsëri, por këtë herë mora guximin të shkruaja jo vetëm për vete, por në emër të të gjithë shokëve të mi. Bashkuam të gjitha fjalët që dilnin nga zemra jonë që të dhuronim ty sot një ditë plot emocion. Kërkuam një fjalë të përbashkët të krahasonim ty, por nuk u lodhëm aspak se kishim të gjithë të njëjtin mendim.
”Nëna jonë e dytë”, kështu je ti për ne. Askush me shumë se ti nuk i takon ta mbajë këtë emër. Katër vjet rresht, ti asnjëherë nuk na thirre “nxënësit e mi”, por “fëmijët e mi”; nuk harroje një ditë pa na përqafuar kur iknim në shtëpi.
Çdo të premte trishtoheshe dhe na thoshe: -Si do bëj unë dy ditë pa ju?
Eshtë aq e fortë lidhja që kemi me ty, sa nuk ka nevojë për fjalë; ti na kupton vetëm duke na parë në sy. Në dorën tënde ne erdhëm veç fëmijë me një botë të madhe përpara, ku fillimin ta besuam ta shkruaje ti.
Sa shumë punove, sa shumë u lodhe të gjeje rrugën e duhur që ne të na drejtoje. Sot duhet të jesh e lumtur dhe të qëndrosh para nesh gjithë krenari; Se me punën tënde, këmbënguljen, durimin, energjinë tënde pozitive, ti je sot për ne një frymëzim, një idhull: Ti je Heroinë!
Me gërma të mëdha të themi se ti je UNIKE. Këtë emër e ke fituar çdo ditë me punën tënde dhe duke falur shumë dashuri, pa bërë dallime me fëmijët e tu. Ti je UNIKE kur mësimin shpjegon. Ti je UNIKE kur bashkohesh me vajzat, kur kërcen e këndon. Ti je UNIKE kur bashkohesh me ne djemtë dhe me taka luan futboll.
O mësuesja jonë gojëmjalte, çdo fjalë e këshillë tënden do e ruajmë si thesar. S’do të harrojmë kurrë kur na mësove se arritja, fitorja, arrihen vetëm me këmbëngulje dhe shumë punë. S’do të harrojmë kurrë, kur na mësove se zhgënjimi dhe trishtimi janë pjesë e jetës, por s’duhet të na mposhtin asnjëherë. Çdo ditë na flisje për shkollën dhe nuk lodheshe kurrë: “Shkolla është jeta, pa të, je askush. Të jep një emër, të jep vlerë: Mos e harroni asnjëherë!” Këshillën tënde ne e zbatojmë cdo ditë, të shkojmë me njëri tjetrin, jo si shokë, por si motra e vëllezër, siç na mësove ti. O mësuesja jonë zemërmirë, kjo është dita jote: gëzo e lumtur se e meriton! Vetëm emri yt e bën këtë ditë madhështore!!!
E gjithë shkolla “ZOI VANGJELI" sot po feston, se heroinën e saj po nderon; Qëndro kryelartë si një mbretëreshë, se në sytë tanë, ti sot dukesh vërtet si një hyjneshë! Edhe pse ky është 7 Marsi i fundit në shkollë për ty, nuk duhet të trishtohesh!
Ne të gjithë e dimë se misioni yt si mësuese, nuk mbaron këtu. Ti do jesh pranë nesh gjithmonë, në çdo arritje, në çdo diplomë dhe nesër, kur ne të bëhemi dikush,ti do thuash gjithë krenari:
Ja, këta janë fëmijët e mi!
Të duam pa fund Mësuesja jonë!!!
Leonard Myftari (Klasa VI) Shkolla “Zoi Vangjeli” Berat
Për ty nëna ime, sepse nënat janë frymëzim i jetës
Lufta kundër bullizmit dhe ekstremizmit në sistemin arsimor
Është dita jote mësues/e