Botim i ri

"Nokturn '18"

Është një libër që të shijon shumë kur e lexon në atë gjendje kur, siç shkruan autori: “Gjithësia fle. Asgjë s’pipëtin…”, përveç zërit të autorit që nëpërmjet metamorfozës së tingujve, na vjen me fjalët e shkruara.

Muzikë, sport, ikonë, mrekulli, buzëqeshje…të gjitha të bëra bashkë në Nokturn ’18 nga autori Dhimitraq Dhjaku. Janë këta gurët kryesorë vendosur në qendër të mozaikut të tij të jetës. Gjatë rrëfimeve ato plotësohen me të tjera imazhe, ndjesi, ngjarje të ngulitura në kujtesë nga rrëfyesi, por dhe të mëvonshme që kalojnë nga këtej dhe përtej oqeanit. Në stilin e autorit kombinohet ndjesia romantike me paraqitjen sa më reale të ndodhive. Kjo ruajtje fanatike e ndjeshmërisë rinore nga ana e autorit e bën rrëfimin të dashur, por njëkohësisht dhe mbresëlënës në raport me ngjarjet faktike të ndodhura. Është një libër që të shijon shumë kur e lexon në atë gjendje kur, siç shkruan autori: “Gjithësia fle. Asgjë s’pipëtin…”, përveç zërit të autorit që nëpërmjet metamorfozës së tingujve, na vjen me fjalët e shkruara. (Rita Petro)


Për librin

Një mik i rinisë sime, Dhimitraq Dhjaku, del për herë të parë me një vëllim me tregime. Fjala është për dikë që, pasi ka ecur gjatë në rrugë të ndryshme në jetë, ka vendosur të shkelë në moshën e tij të “maturitetit” edhe në shtegun e mundimshëm të letërsisë. “Shkelja” e Dhjakut në këtë rrugë duket serioze dhe ndoshta pa kthim pas. Them kështu se libri i tij është mjaft realist e veçanërisht njerëzor, duke pasur për objekt përditshmërinë e jetës së njerëzve të thjeshtë, kryesisht me personazhe realë, gjë që dëshmon ndjeshmërinë e autorit ndaj dukurive dhe problematikave të sotme shoqërore.


Uroj që Dhjaku të mos ndalet në këtë rrugë që ka ndërmarrë, shpresoj gjithashtu, që lexuesi të tërhiqet nga ky libër, i cili na zbulon një faqe relativisht të panjohur të shqiptarëve sot në emigracion, duke zgjuar ëndrrat dhe shpresat e tyre. (Ylljet Aliçka)


Autori rrëfen për veten

Kam lindur në Tiranë më 1950. Pas diplomimit në Universitetin e Sporteve (ish-Instituti i Lartë i Kulturës Fizike “Vojo Kushi”), punova si mësues i edukimit fizik në Tiranë. Në vitet e mëvonshme gara ime me jetën dhe karrierën u bë më e fortë. Fillova të kapërceja lartësi të reja, duke u ngjitur në nivelin e kërkuesit shkencor në Qendrën Kërkimore Shkencore të Komitetit Shtetëror të Sporteve dhe më pas në postin e drejtuesit të Akademisë Olimpike Shqiptare.


Vitet e demokracisë më gjetën në nivelin më të lartë të karrierës sime zyrtare: drejtor i Organizimit dhe Promocionit të Sporteve në Ministrinë e Kulturës, së Rinisë dhe Sporteve. Doktor i Shkencave qe lartësia rekord në fushën e studimit dhe të edukimit.


Në fushën sportive, si anëtar i ekipit kombëtar të Shqipërisë, ngrita dy herë limitet e rekordit shqiptar të kërcimit me shkop. Për rezultatet e mia të larta u vlerësova dy herë me medaljen “Mjeshtër i sportit i Republikës së Shqipërisë”. Gara ime në fushën e letrave ka nisur qysh më 1974-n me debutimin në faqet e gazetës “Sporti Popullor” dhe më pas në buletinin shkencor “Kultura Fizike e Sporti”, gjithashtu edhe në organe të tjera, për të mos harruar bashkëpunimin tim në disa emisione sportive në Radio-Tirana, e vetmja radio (shtetërore) në vend deri në rrëzimin e diktaturës.


Bashkëpunimin tim me organet e shtypit nuk e ndërpreva deri në ditët e fundit kur emigrova në Kanada (viti 1999). Kohët e fundit, krahas aktivitetit dhe punës së përditshme, jam marrë edhe me grumbullimin e botimeve të mia në organet e shtypit, si dhe të studimeve personale për fushën e sportit tim -atletikës. Kështu, kam mbledhur një material të bollshëm dhe jam duke e përpunuar, me mendimin se një ditë mund ta botoj në një libër më vete.


Ndër vite, gjatë jetës sime në të dy vendet -Shqipëri dhe Kanada- kam pasur shumë mbresa e kujtime; madje shpesh fantazia më ka nxitur të hidhja në letër disa prej tyre, pa menduar se një ditë mund t‟i përmblidhja në një vëllim më vete, në këtë vëllim me tregime, të titulluar “Nokturn ’18”, të cilin ta jap sot ty, lexues i dashur, si librin tim të parë në fushën e letërsisë artistike.


Blini online librin duke klikuar këtu


(Portali Shkollor)

2,527 Lexime
6 vjet më parë