PËSIM DHE MËSIM - FABULAT E EZOPIT

Fabula të të gjitha kohërave - për fëmijët e kohëve të sotme

“FABULAT E EZOPIT” është një seri librash kushtuar Ezopit, krijuesit të fabulave më të madh të të gjitha kohërave, që ende edhe sot arrin të mrekullojë lexues të çdo moshe.

Tani në vjeshtë pemët ngjajnë si kavaleta pikture, duke ekspozuar frutat e tulta, të pjekura e ngjyrashe si t’i ketë krijuar dora e një piktori të vërtetë. Ato janë kaq krenare për këto kryevepra të vetat 3D (frutat), saqë i hedhin skicat 2D (gjethet), për t’i nxjerrë ato sa më mirë në pah... Frutat, joshëse sa më s’ka, sa duket sikur thonë: “Më merr mua”... “Më merr mua”...


Por- një pemë - a mund të prodhojë edhe fabula?

Pikërisht mu në tul të vjeshtës, enkas për Panairin e Nëntorit, janë bërë gati “të sapopjekura” katër përmbledhje fabulash ezopiane plot-e-përplot me personazhe kafshë. Ato qëndrojnë nëpër raftet e librarive gati “për t’u vjelë” si fruta prej fëmijëve, për t’iu bërë atyre shëndet në mendje e në shpirt, me gjithë ato vitamina mësimesh të çmuara dhe plot emocione për të vegjëlit, që do t’u shërbejnë për të gjithë jetën.

Dhe ju e dini se pemët janë shtëpi për shumë kafshë, si për milingonën, gjinkallën, lejlekun, mushkonjën e madje tek ato gjahtarët mund të lidhin edhe luanin që zënë në kurth. Siç duket, Ezopi i lashtë e ka dashur jashtë mase natyrën, pasi shumë nga fabulat e tij janë frymëzuar prej kafshëve dhe prej dukurive të natyrës.


  


 

Kafshët e egra a të buta, insekte a shpezë, të shpejta a të ngadalta, punëtore apo përtace, mendjemprehta apo mendjelehta.... Secila prej tyre shquhet që mbart një huq a një ves njerëzor, për të cilin në fund të fabulës kafsha e pëson dhe mëson.

 


“FABULAT E EZOPIT” është një seri librash kushtuar Ezopit, krijuesit të fabulave më të madh të të gjitha kohërave, që ende edhe sot arrin të mrekullojë lexues të çdo moshe. Kjo seri krejt e re e këtyre fabulave të përjetshme është konceptuar në mënyrë shumëmoderne, ku ilustrimit bashkëkohor i lihet hapësira e duhur. Çdo libër ka një temë të posaçme dhe për secilën temë ka shtatë fabula. Rrëfimi vjen “i freskët” dhe me shumë humor, i përshtatshëm për t’u lexuar me zë, dhe po ashtu janë edhe ilustrimet shumëngjyrëshe që të bëjnë për të qeshur.


TË VEGJËL, POR MENDJEMPREHTË

Mos vallë, vetëm ata që janë të mëdhenj ia dalin mbanë?

Jo, aspak... nëse të vegjlit janë mendjemprehtë, siç janë personazhet e këtyre fabulave. Gjinkalla ia hodhi dhelprës dinake, miushi i shpëtoi jetën luanit dhe kecushi ia mbathi prej kthetrave të ujkut... Nuk e beson?! Lexoje vetë me sytë e tu! 


KUSH TEPËR LAKMON...

Kush tepër lakmon, a thua më shumë gëzon? As që bëhet fjalë!

Kush shumë lakmon, mbetet me gisht në gojë!

Kjo i ndodhi luanit të babëzitur, gomarit lakmitar dhe personazheve të tjerë të fabulave të kësaj përmbledhjeje. 


URI PREJ UJKU

 Kujdes prej personazheve të këtyre fabulave: kanë një uri të madhe! Çne të madhe, të llahtarshme fare! Çne të llahtarshme: kanë një uri prej bishe! Dhe, po qe se ca grykës si ujku, dhelpra dhe luani kanë një uri kafshërore, kushedi ç’kurthe e ç’gracka sajojnë për të mbushur barkun! 


MIRË T’U BËHET! / Ç’IU BË MIRË! 

Mirë t’i bëhet edhe erës që desh të matej me diellin babaxhan, edhe lepurit mburravec. Ja që, jo gjithmonë fiton më i shpejti! Le pastaj dhelpra, që desh ta tërhiqte prej hunde (sqepi) lejlekun! Mirë t’i bëhet edhe asaj!


(Portali shkollor)

12,752 Lexime
6 vjet më parë