MËSUESI SHQIPTAR NË KINË

Njihuni me Bledin, mësuesin Mirditor që jep mësim në Kinë

Bledar Jushi ka mbaruar anglisht dhe për disa vite ka dhënë mësim në shkollën 9 vjeçare në Rrëshen, një mësuesi i ri pasionant, i cili tashmë jep mësim në Kinë. Ai na sjell eksperiencën e tij.

Bledar Jushi ka mbaruar anglisht dhe për disa vite ka dhënë mësim në shkollën 9 vjeçare në Rrëshen, një mësuesi i ri pasionant, që kishte bërë vend në zemrat e fëmijëve ketu për korrektësine, aftësitë shpjeguese dhe natyrën e tij solidare. Por erdhi një ditë që ai e la Rrëshenin, e la Mirditen, e la Shqipërinë për të shkuar si mësues i anglishtes, në një vend që pak kush do e mendonte, pikërisht në Kinë. Ai na rrëfen përjetimet e tij si mësimdhënës, pikërisht në vendin më të populluar të botës.


Nxitja nga një mik që kishte emigruar në Kinë

Bledi rrëfen se ishte muaj Tetor i vitit 2017 kur një mik, që kishte emigruar një vit më parë në Kinë, më thotë, pse nuk e provon të aplikosh përderisa kërkesa për mësues të gjuhës angleze është shumë e lartë, si dhe shpërblehet gati katër herë më shumë se në Shqipëri. 

Fakti që ishte një shqiptar që e kishte provuar si eksperiencë për më shumë se një vit dhe ishte i kënaqur me rezultatin më shtyu të bëja këtë lëvizje që keërkonte guxim dhe kosto të lartë monetare. 

Pasi kalova intervistën me një rekrutues të shkollës ku aktualisht punoj, bëra gati dokumentet e nevojshme dhe aplikova për vizë në ambasadën kineze. Me të dale viza e punës thashë me vete: të dalë ku të dalë! E kisha marrë parasysh dhe zhgënjimin, u nisa dhe pas pesë ditësh u gjenda përballë një klase me 50 nxënës kineze.

Problemi i parë me ushqimin

Impakti i parë me një kulturë dhe mënyrë jetese të “çuditshme” për ne. Si çdo emigrant që vendoset për herë të parë në një shtet të huaj dhe une kisha parasysh se do kem veshtirësi të përshtatem me jetën dhe punën këtu, por se do me dilte aq shumë punë sidomos me ushqmin nuk ma kishte marrë mendja. Diten e parë me tha supervizorja e mësuesve të shkoja për të ngrënë drekën me mësuesit kinezë, por hezitova dhe i thashe: sapo kam ngrënë!

Shkova ne supermarket, asnje nuk fliste anglisht, artikujt të gjithë 'made in China' kur me kap syri “Imported food”, thashe: eh shyqyr, më në fund i gjeta!...Afrohem aty, dhe shoh çokollata, patatina, red bull (version kinez) dhe fara lule dielli. E kalova atë ditë me çokollata. Të nesërmen shkova të provoj ndonjë ushqim të hajrit për drekë. E prisja ne fakt (oriz) dhe duhej ta haja me shkopinj. Kishte dhe një supë perimesh, por i kishin hedhur me shume speca djegës sesa ujë. 

Pas orës 6 të pasdites dilja te njihesha me jetën e komunitetit aty rrotull, njerez plot duke ecur, duke kërcyer grupe-grupe (kjo bëhej në vend të palestrës), restorante plot, por fatkeqësisht asnjë nuk ofronte ushqim për ne, në disa rrugë vinte era e pusetave që të bënte të ndryshoje drejtim, shumë njerëz mbanin maska në hundë (nga ato të kirurgëve) nga ajri i ndotur. 

Shkoja mëngjesesh në punë dhe u thoja siç e kemi kulturë: Mirëmëngjes, por asnjë nuk ma kthente, ishin aq të përqëndruar në planin ditor sa nuk e dëgjonin kush po flet dhe çfarë po thotë, nejse, "shih e bëj thonë", fillova të bëj si ata dhe unë. Tani që kam mësuar të flas gjëra të përditshme në gjuhë kineze më është lehtësuar shumë komunikimi me kolegët. Gjithashtu, po vazhdoj nje kurs 6 mujor për gjuhë kineze, e cila them se do më shërbejë në të ardhmen.



Kinezët, spartanë në disiplinë

Më dhanë rregulloren ku pika e parë ishte vonesa në punë, për një minutë me vonesë hiqeshin 200 yuan. Duke qenë se për 8 vite pune që kisha në Shqipëri nuk ia kisha bërë vendin të më hiqen qoftë dhe 5 lekë për vonesa në punë apo disiplinë, normalisht që do shkoja në punë 5 minuta para dhe me këtë rast do merrja dhe lëvdatat nga drejtoresha për 'mësues i mirë'. (E kanë fiksim orarin këta). Eksperienca prej 8 vitesh ne Shkollën 9 -Vjeçare Nr.2 Rrëshen ka qenë një plus shumë i madh për ambjentimin në kohë rekord në shkollën ku jap mësim. 

Vijnë shumë të huaj nga shtete të ndryshme sidomos nga Rusia, Ukraina, Armenia, Serbia, Italia, por shumë pak prej tyre e përfundojnë kontratën njëvjeçare për shkaqe të ndryshme, por më kryesorja është përballja me klasa të mëdha dhe numri i lartë i orëve mësimore. (Ne shqiptarët, jemi rracë vërtetë e fortë). Tani që kam kaluar një vit e katër muaj, mund të them se ndjehem shumë më komod në punë dhe ja ka vlejtur mundi dhe sakrifica që kam bërë.


Nxënësit shqiptar dhe nxënësit kinezë për gjuhët e huaja

Nxënësit kinezë, sa i përket gjuheëve të huaja, nuk kanë të krahanasuar me shqiptarët. Fëmijët në Shqiperi janë të paarritshëm në përvetësimin e gjuhëve të huaja. 

Ketu në Kinë vetëm gjuhë angleze mësojnë dhe kanë shumë vështirësi, sidomos në artikulimin e fjaleëve dhe gramatikën. Gjithashtu kam dëgjuar nga kolegët kinezë se ka shumë nxënës që nuk arrijnë të shkruajnë dhe lexojnë në mënyrë të mjaftueshme. 

Kam shumë e shumë për të shtuar se Kina është e madhe, si rrjedhoje dhe eksperiencat janë të shumta, por po e mbyll me kaq duke ju përshendetur të gjithëve. Shëndet,fat e mbarësi në familjet tuaja! 





(Bledi, Guangzhou, Kinë, shkurt, 2019)

11,207 Lexime
5 vjet më parë