Viti shkollor 2021-2022

Nis fillimi i mësimit plotësues, Ministrja Kushi u drejtohet me një mesazh nxënësve, mësuesve dhe prindërve

Sot kur edhe nisi mësimi plotësues në të gjitha institucionet e arsimit parauniversitar, Ministrja e MASR Evis Kushi përveç urimit të rastit u ka bërë thirrje mësuesve dhe nxënësve që të shfrytëzojnë këtë mundësi rikuperimi njohurish dhe aktivitetesh për ta rinisur shkollën me më shumë dëshirë dhe pasion.

Me rastin e fillimit të  mësimit plotësues Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë Evis Kushi u është drejtuar nxënësve, mësuesve dhe prindërve me anë të një mesazhi të publikuar në rrjete sociale. 


Duke iu drejtuar nxënësve ajo thekson se të gjitha shkollat janë gati për mësimin plotësues, i cili u vlerësua nga ekspertët, mësuesit dhe prindërit si një nevojë, sidomos për nxënësit në zonat e riskut në kohën e kulmit të pandemisë, ku mësimi online zgjati më shumë se në zonat e tjera të vendit.

 

"Për këtë periudhë shkollat tuaja kanë përgatitur një program gjithëpërfshirës, që përveç përsëritjes apo përforcimit të njohurive, përmban edhe aktivitete argëtuese dhe sportive. Prandaj shfrytëzojeni këtë mundësi sepse kjo do t’ju ndihmojë që të jeni sa më të përgatitur dhe ta nisni vitin e ri shkollor me njohuri të rikuperuara, e mbi të gjitha, me dëshirë e pasion për të mësuar akoma më shumë,"- shton Ministrja Kushi.


Duke iu drejtuar prindërve dhe mësuesve Kushi  shprehet se puna, bashkëpunimi dhe solidariteti që kanë treguar, ka ndihmuar shumë në punën e përbashkët përgjatë vitit të vështirë që kaloi.

"Do të kërkoja nga ju që të tregonit të njëjtin përkushtim edhe në këtë periudhë të mësimit plotësues, që së bashku të bëjmë më të mirën për fëmijët tanë"- shkruan ajo.


Në përfundim të mesazhit Ministrja Kushi u ka rikujtuar të gjithëve që të mos harrojnë kujdesin dhe vëmendjen ndaj rregullave anti-COVID, për të ruajtur shëndetin dhe të afërmit.

© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë. 

2,283 Lexime
3 vjet më parë