Nga buron trishtimi i vogël në ditën e parë të shkollës?
Por i nderuar prind, fëmija juaj po rritet. Dhe për sa kohë ndryshon fiziku i tij, treguesit e tjerë të zhvillimit, ndryshojnë edhe interesat, aftësitë. Atëherë nuk duhet të na trembë as ndryshimi i mësuesit.
Trishtimi (melankolia) i / e ditës së parë të shkollës.
Gjithmonë në fillimviti të gjithë ose urojnë fëmijët për shkollën ose sjellin këshilla se si ata ta duan më shumë atë. Sepse shumica e të rriturve sot mendojnë se ky brez as që e vret mendjen fare për shkollën.
Por edhe mund të gaboheni. Vëreni mëngjesin e ditës së parë, kur ata, fëmijët e këtij brezi, (ndër ta edhe tanët), zgjohen më herët se zakonisht ose nuk duan të zgjohen fare.
Ndodh kështu pasi kjo ditë shoqërohet me njëfarë ankthi, duke nisur që nga fëmijët e klasës së parë, të cilët me të drejtë duan të dinë se si do të jetë mësuesja e tyre; Do jetë e mirë, do t’i ngjajë apo do kujdeset si mami, do t’i ngjajë edukatores së kopshtit, etj. Madje vetë prindërit kujdesen të gjejnë një mësues që t’i përshtatet natyrës së fëmijës ose të paktën të mos i prishë rendin e deritanishëm.
Por i nderuar prind, fëmija juaj po rritet. Dhe për sa kohë ndryshon fiziku i tij, treguesit e tjerë të zhvillimit, ndryshojnë edhe interesat, aftësitë. Atëherë nuk duhet të na trembë as ndryshimi i mësuesit.
Ju nuk duhet të zgjidhni thjesht mësuesin. Ju duhet të zgjidhni shkollimin e mirë në përputhje me interesat tuaja afatgjata.
Mos kërkoni as që mësuesja e klasës së parë t’u ngjajë juve, pasi mësuesi nuk është prindi i fëmijës.
Mos kërkoni që t’i ngjajë as edukatores së mëparshme, sepse edukimi kërkon edhe larmi. Edhe kur ka gabime të vogla, vlen natyrshmëria dhe zhvillimet moshore ndodhin pavarësisht nesh.
Stresi i ditës së parë ka edhe burime të tjera a shqetësime të ndryshme të natyrës; cilin shok do të kem në bangë, cilët nxënës do të takoj në oborr, ku ka shkuar shoku im i ngushtë, si t’i përgjigjem dikujt që më ka shkruar në rrjetet sociale, si do të reagoj nëse dikush më ngacmon për pamjen, çfarë të vesh… Uf sa shumë pyetje dhe detaje ngacmojnë të menduarit.
Dhe këtu duheni ju të dashur prindër, por veçanërisht ju mësues. Organizoni ditën e parë në mënyrë të tillë, që të duket gjithçka plot lirshmëri, ndiqni me sy lëvizjet e nxënësve, drejtoni pyetje që mund t’u përgjigjet gjithkush, konstatoni që janë shumë të lezetshëm, mos i diferenconi që në krye të herës, zhvilloni ndonjë tryezë, lojë, ku të marrin pjesë të gjithë, krijoni atmosferën që të tregojë se viti do të jetë i mbarë dhe pozitiv. Respektoni edhe heshtjen e dikujt. Pyetini me kujdes për problematika që ndikojnë në integrimin fillestar dhe sidomos për interesat që shfaqin e kanë. Flitini më pas për shkollën, mësuesit e tjerë. Mos harroni të prezantoni veten. Ata mezi e presin këtë gjë. Ky është një moment i rëndësishëm.
Dita e parë duhet të ofrojë mundësi për të gjithë njëlloj, pavarësisht prirjeve, formimeve dhe prejardhjeve.
Jeni ju po ata mësues, që mahniteni nga veprimet dhe rolet e mësuesve të talentuar nëpër botë. Përqafojini këto modele ndër filma e facebook. Ëndërroni dhe bëhuni si ata. Është e mundur. Ndërtoni situata të ngjashme, duke ruajtur individualitetin tuaj.
Një marrëdhënie e rëndësishme është edhe ajo që ndërtohet me librin; tekstin mësimor. Ka nxënës që “i tremb libri”; Asnjëherë nuk dihet nëse është më mirë që librat të merren më pëpara, apo ditën e parë të shkollës t’i kenë mbi tavolinë, si surprizë apo dhuratë. Një gjë është e sigurt: aty nis kontakti dhe krijohet shija e parë, kështu që roli i mësuesit lëndor këtu është vendimtar. Në hapjen e faqeve të para, nxënësi ndihet mirë apo keq. Dihet që një nisje e mirë është gjysma e punës.
Prandaj mësues të nderuar, kushtojini vëmendje këtij momenti, përqendroni fjalët tuaja në shpjegimin për bukurinë dhe domosdoshmërinë e lëndës për jetën, pasqyroni larmitë e tekstit, shpjegoni lehtësitë që ju do të jepni si koordinator midis tij dhe nxënësit dhe ngjallni interesin e parë, sepse ai ndërton gjithë periudhën më pas. Nëse libri nis me një temë që nuk frymëzon, përshtateni ju, sepse ju nuk duhet të jeni skllav i tekstit. Unë jam bashkëautore e teksteve mësimore, por edhe kur jap një temë të punuar nga vetë unë, sërish bëj ndryshime pafund, sepse metodologjitë dhe aftësia improvizuese nuk mësohen përmendësh. Ndryshe do të kemi nxënës që nuk do ta hapin fare librin gjatë vitit.
Mendoni edhe për një detyrë. Le të mos jetë e shkruar; një detyrë që ata thjeshtë ta mendojnë. Të mos kërkojë shumë kohë për t’u bërë, por të kërkojë obligim për t’u menduar.
Por mbi të gjitha fëmijët vrasin mendjen se sa i gëzueshëm apo i mërzitshëm do të jetë një vit i tërë. Dhe këtë, lulet e ditës së parë nuk mund të fshehin.
Kështu mësues tregoni një ngjarje, krijoni raporte rrëfimi me secilin në klasë sado të jenë. Dita e parë se ka të domosdoshme zilen. Rrini pak më gjatë, krijoni besim.
Ndonjëherë nxënësit nuk i shqitet fiksimi për lëndët e vështira dhe fillimi shoqërohet edhe me ndjesinë e paaftësisë për to. Jepini modelin e punëve të mëdha në grupe e projekte, që nxënësi të kuptojë se do të jetë pjesë e një të tëre. Kjo e largon frikën.
Hiqni dorë nga ai modeli se sa më i egër të jesh si mësues, aq më të mirëdisiplinuar do t’i kesh auditoret. Jo, tashmë kjo është shumë e vjetëruar, për të mos thënë e dalë mode.
Një nxënës të bindet, të dëgjon, të ndjek vetëm falë dijes që jep, mënyrës së këndshme se si e jep. Fisnikërisë që tregon, dashurisë që ke për gjithçka. Nxënësi është mjeshtër; i dallon të gjitha këto që në takimin e parë; kështu ose të nxjerr jashtë loje, ose të pranon.
Situata e frikës së krijuar nga mësuesi është një gënjeshtër e madhe realiteti. Me frikë ndërtohet situatat e një “bombe” artizanale që plas atëherë kur s’duhet nga paaftësia e ndërtimit të saj mirë.
Ndërsa duhet të shfaqni një botë më të bukur, botë dijeje, botë leximi.
Kështu s’do keni nevojë për ngjalljen e frikën, sepse vendin e saj e zë respekti dhe adhurimi.
Ndonjëri nuk do bjerë dakort me mua, por kujtoni ditën tuaj të parë të shkollës, për vite me radhë. Unë e kam dashur shkollën, por merakun e asaj dite e mbaj mend ende. Sot e mbart si mësues e drejtues.
Ajo që duhet të bëni dhe që e keni në dorë vetëm ju mësues, të nderuar kolegë është që ta zbusni, ta largoni trishtimin, stresin dhe melankolinë e ditëve të para.
Zgjodha këtë moment sepse kjo lloj atmosfere zotëron shumë. Dhe për një arsye tjetër: sepse për lumturinë shkruajnë të gjithë.
Adriatike Lami, drejtore e shkollës "Woodrow Wilson"
(Portali Shkollor)
Ese: Mjedisi dhe njeriu
Thuaji JO bullizmit!
Mesazhet më të bukura të nxënësve shqiptar për Ditën e Tokës në Portalin Shkollor