Në pragun e një Panairi Libri ndryshe...
LEXUES TË DASHUR! Do të flitet për librin këto ditë nëntori ndryshe.... Ndaj le të jemi virtualisht të pranishëm në këtë Panair Libri, po ndryshe!
Jemi në prag të fillimit të Panairit të Librit 2020. Një panair ndryshe. Kjo për shkak të situatës së pandemisë që ka pushtuar gjithë globin: një zgjedhje ndër më të mirat, mes të keqes më të madhe që po zë rrënjë në të gjitha fushat (dhe jo vetëm, por mbi vetë njeriun).
Prej vitesh të tëra kam qenë e pranishme pas një stende të mbushur përplot me libra. Është emocion i vërtetë teksa i sheh aq shumë botime të zhanreve të ndryshme: letërsi për fëmijë (jo vetëm artistike, por edhe që ndihmojnë në zhvillimin e tyre), libra artistikë për të gjitha moshat (romane, libra psikologjikë, vëllime poetike, analizë studimore) albume etj.
Të qëndrosh pas një stende për t’i prezantuar LEXUESIT librin, të bashkëbisedosh me TË, të vëresh qartë dhe të ndiesh interesimin e tij për autorët që ka për zemër (dikush me një dëshirë të edukuar për të lexuar dhe dikush në dilemë se çfarë të lexojë), është vërtet një ndjesi që s’ka fjalë ta përshkruash.
Sot, ky komunikim do të më mungojë. Panairi i Librit 2020 do të startojë përmes informimit online të lexuesit.
Do të zhvillohen aktivitete me një prani të kufizuar, por që do të vijnë drejtpërdrejt te lexuesi në të gjitha faqet e internetit dhe platformat e krijuara për librin.
Lexuesve, pa diskutim, do t’u mungojë kënaqësia e të blerit të librit. Prej vitesh të tëra ata janë mësuar të jenë pjesë e kësaj “feste të madhe të librit”. Duket sikur prekja e librit apo një bashkëbisedim i shpejtë, janë një shtysë për ta se çfarë duhet të zgjedhin.
Më kujtohet kur, teksa qëndroja pas stendës, dikush më pyeti (pa diskutim lexues inteligjent): “Ç’libra gjejmë në bibliotekën e një lexuesi, që mund të quhen të mirë?” I përgjigjem: “Ata libra që kërkohen nga lexuesi edhe pas shumë e shumë vitesh e për shumë më tepër.” - “Një gjë është e sigurt, - më përgjigjet, - pjesa më e madhe e librave të mirë jetojnë më gjatë se vetë lexuesi”.
As s’kishte të drejtë?
Ka nga ata lexues që janë edukuar me shkollën e romancierëve të vjetër (romanet e Balzakut, Floberit, Zolasë, Dikensit, Fontanit, Tolstoit apo Dostojevskit, të vlerësuar dhe të nderuar si gjigantë të letërsisë botërore). Por, janë po ata që nuk u mungon interesi për të lexuar edhe prurjet e reja të letrarëve të sotëm.
Gjithsesi, mendoj se një panair i tillë online, përpos minuseve që mund të ketë, është një nga format më të mira për t’i sjellë lexuesit më të rinj më pranë librit. Jetojmë në epokën e teknologjisë dhe, sot, ata janë më të përfshirë se kurrë në dritaret informuese në internet.
Mjafton që të dinë “të hapin me zgjuarsi kanatat e këtyre dritareve”. Njëra prej tyre (ndër më të mirat), është: www.librarialbas.al
Një rini e lexuar, është një katalizë për një shoqëri të emancipuar nesër. Mes botimeve të shumta ata do të gjejnë edhe shumë romancierë të rinj premtues. Është e tepërt të pyetet sot se cili prej tyre do të përfshihet një ditë midis “klasikëve” të kohës së tij, por ne mund të jemi të sigurt për një gjë: ata kanë shumë për të na rrëfyer.
LEXUES TË DASHUR! Do të flitet për librin këto ditë nëntori ndryshe.... Ndaj le të jemi virtualisht të pranishëm në këtë Panair Libri, po ndryshe!
Biblioteka duhet pasuruar nga ne vetë. E mandej ajo mbrohet e gjitha vetë, ajo është e pazbërthyeshme ashtu si e vërteta që mban brenda. Labirint shpirtëror është. Hyni në të dhe do të kuptoni se nuk mund të dilni më prej saj.
Nga Artemisa Bushi, Redaktore
©Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
Leximi dhe fëmijët, libra jashtëshkollorë për çdo grupmoshë
Përdorimi i paketës “Gjuha shqipe dhe kultura shqiptare, niveli II”, disa strategji mësimdhënieje e të nxëni nga Aurela Konduri
Botimet “Albas” në secilën shkollë të Kosovës