PëRSHTYPJE

(MOS) DËSHIRA PËR TË LEXUAR...?!

Një shkrim nga Artemisa Bushi, mbi kontaktin e vazhdueshëm me lexuesin në panairin e librit "Tirana 2018". Duke qëndruar pas një stende për t'i prezantuar lexuesit librin, arrin të kuptosh interesin e tij.

Të qëndrosh pas një stende për t’i prezantuar lexuesit librin, të bashkëbisedosh me , të vëresh qartë dhe të ndiesh interesimin e tij për autorët që ka për zemër, dikush me një dëshirë të edukuar për të lexuar dhe dikush në dilemë se çfarë të lexojë, është vërtet një ndjesi që s’ka fjalë ta përshkruash. 


Dikush më pyeti (pa diskutim lexues inteligjent): “Ç’libra gjejmë në bibliotekën e një lexuesi, që mund të quhen të mirë?” I përgjigjem: “Ata libra që kërkohen nga lexuesi edhe pas shumë e shumë vitesh e për shumë më tepër.” - “Një gjë është e sigurt, - më përgjigjet, - pjesa më e madhe e librave të mirë jetojnë më gjatë se vetë lexuesi.” As s’kishte të drejtë? 

Dikush tjetër më tha: “Librat duhet të na tregojë një histori së cilës i besojmë.” Ndoshta me të drejtë, sepse, sidomos romanet, na tregojnë histori që në pjesën më të madhe të rasteve nuk janë të vërteta. Situatat dhe veprimet nuk kanë ndodhur ashtu siç paraqiten aty. Ata janë egoistë, kontradiktorë dhe kaotikë (por a s’ngjasojnë me realitetin?). Vërtet janë të sajuara, por shpesh na ndodh që personazhet, rrethanat dhe konfliktet e përfytyruara nga autori i gjykojmë të besueshme dhe të logjikshme. Po ashtu, ne mësojmë gjëra që deri atëherë i kishim të panjohura, si një “shtojcë të shpirtit”, mësojmë të njohim vetveten. 


Të shumtë ishin lexuesit të interesuar për artin e romancierëve të vjetër (romanet e Balzakut, Floberit, Zolasë, Dikensit, Fontanit, Tolstoit apo Dostojevskit, të vlerësuar dhe të nderuar si gjigantë të letërsisë botërore). Por në këtë panair libri kuptova se lexuesit e sotëm po shfaqin interes për të lexuar edhe prurjet e reja të letrarëve të sotëm.

Dhe janë të shumtë romancierët e rinj premtues. Është e tepërt të pyetet sot se cili prej tyre do të përfshihet një ditë midis “klasikëve” të kohës së tij, por ne mund të jemi të sigurt për një gjë: të gjithë, ose pothuajse të gjithë, kanë shumë për të na rrëfyer. 


Ndjeva keqardhje për një pjesë (sidomos të rinj), që u dukej që në sy mosdëshira për të lexuar, që nga mënyra se si e preknin librin, duke u dhënë titujve konotacione të shëmtuara. 


Duhet pranuar se një pjesë e njerëzve tërhiqen nga vulgariteti. Ndonjëherë, dhe nuk janë të paktë ata që mendojnë si unë, duhet të tregohemi të matur kur cekim diçka që nuk shkon, duhet të zbusim tonet dhe të vëmë buzën në gaz nëse kritika del shumë e rreptë; duhet të mbetemi në lojën e gjërave që nuk thuhen, sepse në të kundërt do të dukemi si moralistë, qesharakë, censurues. 


Por sot për këta lexues po citoj një thënie nga “Në kërkim të kohës së humbur” të Prustit: “Fatkeqësia për këta njerëz është se duhet të kesh një sëmundje apo të kesh thyer njërën këmbë, për të gjetur kohë të lexosh.”


I NDERUAR LEXUES! 

Biblioteka duhet pasuruar nga ne vetë. E mandej ajo mbrohet e gjitha vetë, ajo është e pazbërthyeshme ashtu si e vërteta që mban brenda, mashtruese si gënjeshtra dhe e vërteta që mban shtrënguar mes mureve. Labirint shpirtëror është, gjithashtu edhe një labirint tokësor. Ju mund të hyni në të dhe do të kuptoni se nuk mund të dilni më prej saj.


(Përgatiti: Artemisa Bushi, redaktore e shtëpisë botuese Albas)

3,577 Lexime
6 vjet më parë