"Ylli i zemrës"-Lasgush Poradeci, lexim i komentuar nga Rita Petro
Albas dhe Portali Shkollor po përgatitin disa video me LEXIM TË KOMENTUAR për veprat e planifikuara në provimin e maturës. Video e mëposhtme është realizuar për poezinë "Ylli i zemrës" i Lasgush Poradecit". Së shpejti do të paraqesim vepra te tjera.
Ky lexim ka për synim t’ju vijë në ndihmë maturantëve për një rishikim të përmbledhur të veprës letrare, i cili merr parasysh renditjen e ngjarjeve, siç është në vepër. Leximi i komentuar nuk është as analizë letrare dhe as koment, të cilat janë të përfshira në botime të tjera. Shpresojmë, që nëpërmjet kësaj mënyre, të nxitim dëshirën e nxënësit për ta lexuar në mënyrë të drejtuar veprën, duke zbuluar tekstin dhe nëntekstin e saj.
Ylli i zemrës - një udhëtim me Lasgush Poradecin në pesë rrathët kozmikë e tokësorë...
ZEMRA E QIELLIT
Në këtë cikël simbolika të Lasgushit janë:
YLLI –Jeta me pafundësinë e saj dhe me lëvizjen e pandërprerë.
GJUMI I SHPIRTIT –Meditimi dhe shkrirja me misterin e natyrës, si vetënjohje, vetëdjegie, vetëndriçim.
GJUHA E ZJARRTË – Kërkimi i të përsosurës, duke harmonizuar gjuhën e shpirtit me gjuhën e shkruar; transmetimi i energjisë që ndodhet brenda nesh te të tjerët.
ZEMRA E DHERIT
Në këtë cikël simbolika të Lasgushit janë:
DREMITJA E LIQERIT – Imazh në lëvizje e në ndryshim për shkak të kalimit të kohës; nga përflakja në terr dhe në përndritje yjesh – sugjestion poetik.
ZEMRA E LIQERIT DHE GJERATORJA – Jeta njerëzore me qetësinë dhe të papriturat e saj që kërkon nga ne një shpirt luftarak – lëvizja rrethore.
DRITË FSHEHTËSIE – Syri projektues i poetit-zot, kapërcim nga tokësorja në imazhe kozmike përtej Galaktikës sonë.
RAPSODI POPULLORE – Kalohet nga metafizikja në imazhe reale e mesazhe konkrete patriotike; harmonizim i tyre përmes imazheve e tingujve, ritmit e rimave.
ZEMRA E JETËS
Në këtë cikël simbolika të Lasgushit janë:
MALL I LARGË, VESË DASHURIJE, ERË TRËNDELINE – Kënga e poetit merr ritmin, rimën, figuracionin e poezisë popullore; dashuria, dhimbja malli vijnë si mituri.
LAMTUMIRA; MË ZU NJË MALL SOT – Na vijnë në disa variante që lidhen me përsosjen e formës, ndërsa kuptimi mbetet po ai.
DASHURIA, THELLËSI E MISTER – Poeti është i mrekulluar nga paqja absolute, ku shkrihet bukuria e femrës me bukurinë e natyrës.
DORA JOTE LEDHATARJA – Futemi kështu në brendësi të lëndës, të asaj lënde prej së cilës u krijua njeriu, ku të gjitha elementet kozmike e tokësore u harmonizuan dhe u krijua bota.
PORSI BURBUQ’ E TRËNDAFILIT – Erosi jepet në kulmin e zjarrit të vet në këtë poezi.
KUR NË FLAKË – Lëvizja lart-poshtë dhe mes-për-mes në thellësi.
Dashurisë do t’i këndohet në kuptimin konkret dhe metafizik.
ZEMRA E PËRJETËSISË DHE ZEMRA E VDEKJES
Në këtë cikël simbolika të Lasgushit janë:
POEZI LIRIKE METAFIZIKE – Ku përzihet pasioni me mendimin, ndjenja me arsyetimin, shkenca me misterin dhe mbeten të hapura pyetjet për të panjohurat e gjërave në botë.
KOHA kur ndodh veprimi poetik është një e tashme e përjetshme, që ka elemente nga e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja.
HAPËRSIRA ka 3 përmasa: trupi - zemra - shpirti.
LËVIZJA BRENDA-JASHTË: që lidhet me bashkimin e qenies me përjetësinë, por që njëkohësisht qenia ndodhet edhe jashtë saj.
MISTERI I KRIJIMIT: është njëkohësisht i kuptuar dhe i moskuptuar nga mendja njerëzore.
LËVIZJA RRETHRROTULLIM CIKLIK – Jeta nuk do të ekzistonte pa vdekjen – pa këtë lëvizje të pandërprerë.
JETË-E-VDEKJE-PËRQAFUAR – Dashuria për jetën mund të kuptohet veç duke përqafuar frikën nga vdekja, përderisa pjesë e saj janë njerëzit tanë të dashur që nuk jetojnë më.
Rita Petro është specialiste didakte e lëndës së gjuhës e të letërsisë në arsimin parauniversitar (që prej vitit 1985, kur ka nisur të ushtrojë profesionin e saj në Shtëpinë Botuese të Librit Shkollor); bashkautore në 40 tekste shkollore, që përdoren nga nxënësit shqiptarë jo vetëm në Shqipëri, por edhe në Kosovë, Maqedoni, Preshevë dhe në Diasporë.
© Portali Shkollor- Të gjitha të drejtat e rezervuara. Ndalohet kopjimi pa lejen tonë.
“Antologji kujtimesh”, dhurata e ALBAS për mësimdhënësit shqiptarë me rastin e 7 Marsit!
Bashkëbisedim për librin “Engjëlli Blu” me nxënësit e shkollës “Gustav Majer”
(MOS) DËSHIRA PËR TË LEXUAR...?!