Ne “mirëpritemi” gabim në gjuhën shqipe!
Kur udhëton nga një vend tjetër drejt vendit tënd, krahas mallit që të shtrëngon zemrën për tokën tënde, përballesh me shprehjet pasthirrmore të mirëseardhjes të shkruara gabim.
“Mirësevini në Republikën e Shqipërisë!”, është tabela që të mirëpret sapo futesh në territorin e vendit tënd! Shpreson që ky të jetë një rast i vetëm, kur këto shprehje pasthirrmore i has të shkruara gabim, por teksa pret për verifikimet e nevojshme, në muret e sporteleve të doganës sytë të hasin të njëjtën gjë.
Mendimet t’i ndërpret zilja e telefonit, një mesazh i ardhur në kutinë tënde të mesazheve! Është kompania jote e telefonisë celulare që të uron: “Miresevjen ne vendin e shqiponjave....”
Futesh më në brendësi të vendit tënd dhe kalon para qyteteve, që u paraprin një tabelë po e shkruar gabim: "Mirësevini në qytetin X!".
Por më trishtuese janë banderolat e varura në hyrjen e shkollave me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, institucione ku merren dijet bazë të gjuhës shqipe, që urojnë:“Mirësevini nxënës të dashur!” Përse vallë ne nuk dimë ta urojmë saktë nga ana gjuhësore mirëseardhjen?
Drejtshkrimi i gjuhës shqipe thotë se shprehjet pasthirrmore që shprehin përshëndetje, urime, falënderime, ngushëllime shkruhen ndaras, pasi pjesët përbërëse të tyre e ruajnë pavarësinë kuptimore!
Dhe kemi “Mirë se vini! Mirë se erdhe! Mirë se vjen! Mirë se rrini! Mirë se ju gjeta! Mirë ardhsh! Mirë mbetsh! Qofsh mirë! Ju bëftë mirë! Për shumë vjet! Këto lokucione shkruhen bashkë vetëm kur marrin veçoritë e emrit, (dhe për t'i dalluar, ato kanë një përdorim të rrallë). P.sh.: Pasi i uroi mirëseardhjen, e ftoi të uleshin brenda. Fjala e mirëseardhjes. Darka (dreka) e mirëseardhjes. Në shenjë mirëseardhjeje etj.
(Nga Sevi (Lami) Agolli ; Portali Shkollor)
Evropë apo Europë?
Përdorimi i fjalëve të huaja në raportimet e mediave të shkruara
TE vs TEK, si t'i përdorim saktë këto dy parafjalë?